Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani është treguar mjaft kritik sot, ndaj bankave nga eurozona, që kanë aktivitet në rajon. Në një seminar, të organizuar nga Banka Qendrore në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, Fullani u shpreh se partnerët tanë kanë adaptuar një sjellje që maksimizon fitimet e tyre si pronarë dhe vendimarrja e tyre është ndikuar nga situatat e bankave mëmë në eurozonë. Por, sipas tij, në vend që të rregullonte situatën, kjo ka krijuar probleme të tjera që po shkaktojnë pasoja në vendet e rajonit.
Fullani i referohej të ashtëquajturit proces të “deleveraging”, ku bankat në eurozonë, me synim që të plotësojnë raportin e kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9% deri në fund të qershorit, sipas kwrkesave nga Autoriteti Bankar Europian, po nxisin degët e tyre në Europën Qendrore e Lindore që të reduktojnë aktivet e konsideruara me rrezik, ku pwrfshihen si kreditw ashtu dhe investimet nw bono thesari tw qeverisw.
“Bankat e eurozonës po i trajtojnë investimet në vendet tona me rrezik 100%”, tha Fullani. Kjo, sipas tij, nuk është e vërtetë dhe nuk mund të vlerësohen në kiëtë mënyrë vendet e rajonit, që kanë 20 vjet që po bëjnë reforma. “Konsiderimi i këtyre vendeve me rrezik 100% dekurajon investimet lokale,” tha ai.
Fullani pranoi se kjo situatë e ka bërë të vështirë transmetimine politikës monetare të Bankës së Shqipërisë dhe po pengon që ekonomia të financohet me norma të ulëta interesi. Këto të fundit kanë mbetur të larta si rrjedhojë e rritjes së primit të rrezikut për vendet e rajonit.
Situata në Shqipëri
Banka më e madhe në vend, Raiffeisen, ka reduktuar për herë të parë aktivet me 1.1% në fund të marsit 2012, në krahasim me fundin e 2011-s, e ndikuar kryesisht nga ulja me 6% (rreth 62 milionë euro) e stokut në investimet me letrat me vlerë të qeverisë, duke vënë në vështirësi financat për financimin e borxhit të brendshëm, çka u pranua dhe nga ministri i Financave, Ridvan Bode, pak kohë më parë. Raiffeisen ka ndikim të ndjeshëm në këtë treg, teksa zotëron rreth 40% të stokut të letrave me vlerë të qeverisë që mbahen nga bankat.
Për fat të mirë, deri tani, rregullimi i bilancit ka prekur vetëm letrat me vlerë të qeverisë, ndërsa banka më e madhe në vend ka vijuar që të shtojë huadhënien për ekonominë, ndonëse me ritme më të ulëta.
Shpëtimtarja e qeverisë duket se ka qenë BKT-ja, e cila rezulton të ketë investuar të gjitha mjetet e saj të lira në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, duke rritur zotërimet e saj me 26%, apo rreth 125 milionë euro, çka ka lehtësuar presionin e ushtruar nga tërheqja e Raiffeisen (pesha e zotërimeve të BKT-së është rritur nga 20% në 25% të totalit të investimeve të bankave në bonot e thesarit). Ndërkohë që BKT e ka rritur kreditimin për ekonominë për të njëjtën periudhë vetëm me 1%, ndryshe nga vitet e kaluara kur ka qenë shumë aktive në këtë drejtim.
Të dhënat bëhen të ditura në statistikat e bankave për tremujorin e parë 2012, të publikuara nga Shoqata e Bankave.
Bankat me kapital perëndimor po bëjnë përpjekje për të rregulluar bilancet e tyre, një lëvizje kjo që ishte e pritshme në reagim të kërkesave nga bankat mëmë. Këto të fundit duhet të rrisin raportin e kapitalit ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9% deri në fund të muajit qershor, çka po shoqërohet me lëvizje, që konsistojnë në reduktimin e aktiveve që mund të konsiderohen me probleme, si huatë apo letrat me vlerë të qeverive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.