1 në 4 biznese aktive në Shqipëri u menaxhua nga një grua gjatë 2018-s. Shifrat tregojnë se gjatë 2018-s gratë u tërhoqën nga biznesi duke ulur peshën e tyre në menaxhimin e ndërmarrjeve aktive. Sipas Regjistrit të Ndërmarrjeve Ekonomike, u përllogarit se 25.7% e grave kishin marrë përsipër menaxhimin e ndërmarrjeve në vend në raport me 29.7% që ishte një vit më parë.
Numri i grave sipërmarrëse është ulur edhe në Bashkinë Tiranë, ku janë përqendruar pjesa më e madhe e ndërmarrjeve në vend. Sa i përket ndërmarrjeve aktive që operojnë në bashkinë e Tiranës, gratë menaxhojnë 33,2 % të tyre. Një vit më parë gratë menaxhonin 36.5% të ndërmarrjeve aktive në Tiranë.
Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1- 4 të punësuar, të cilat zënë 91,2 % të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë. Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar, gratë drejtojnë 19,6 % të ndërmarrjeve.
Edhe pesha e grave në drejtimin e kompanive të mëdha ka shënuar rënie pasi vjet INSTAT kishte regjistruar se 24.2% e grave drejtonin kompanitë me mbi 50 të punësuar.
Cilat janë qarqet me gratë më sipërmarrëse?
Nga 162,835 biznese aktive në Shqipëri, rreth 41 mijë menaxhohen dhe drejtohen prej grave. Pas qarkut të Tiranës, me 32.2% të bizneseve që drejtohen nga gratë, kryeson Lezha për peshën më të lartë të grave në menaxhimin e ndërmarrjeve aktive me 28.9% të tyre. Ndjekur nga Durrësi me 28.5% dhe Vlora me 27.3%.
Ndërsa qarku Beratit dhe Korçës kanë peshën më të ulët të grave sipërmarrëse në biznesin aktiv. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT për vitin 2018 përllogaritej që 18% e grave menaxhonin bizneset aktive në Berat, kurse Korçë pesha e grave në biznes ishte 18.2%. Edhe në Fier, pesha e grave sipërmarrëse ishte më e ulët se mesatarja e vendit, ku sipas të dhënave 18.5% e bizneseve kishin në krye një grua, e ndjekur nga Kukësi me 19%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.