Në Patras, në sheshin Georgiou, po i vjen fundi një dite plot diell. Qindra persona janë mbledhur rreth ndërtesave me arkitekturë veneciane, shkruan Le Figaro. Disa prej tyre mbajnë flamuj të kuq, të tjerë parrulla të bardha që kanë siglën e Syriza, partia e koalicionit të majtë radikal. Alexis Tsipras, me një ecje të sigurt dhe buzëqeshje, hipën mbi podium. Në duar ka dy trëndafila të kuq, që i janë dhënë nga një e re militante. Që në fjalët e para të tij ka ovacione. Por qetësia rikthehet shumë shpejt, pasi «ne duam që të dëgjojmë të gjithë fjalimin e tij», thotë Vassiliki, një studente e letërsisë, 24 vjeçe. «Prindërit e mi votojnë për të djathtën që prej tre brezash. Për herë të parë, unë i kam bindur, që t’i japin shansin Tsipras. Unë kam nevojë që të dëgjoj argumentet e tij. Që tani, ai paraqitet si një kryeministër i vërtetë.» Faktikisht, që prej disa javësh, drejtuesi i partisë së djathtë, që kryeson lehtë në sondazhet e opinioneve, e ka ndryshuar tonin. Ai e peshon çdo fjalë që thotë dhe kultivon tonin e tij prej oratori. Ai denoncon premtimet e pambajtura të dy partive të mëdha tradicionale, Pasok (socialiste) dhe ND (konservatorët). Si një studente e lexuar e qytetit portual të Peleponezit, Vassiliki nuk është e pandjeshme: «Që kur kam lindur, kam dëgjuar familjen time që të flasë për gënjeshtrat e politikanëve dhe në fund, ne duhet që të paguajmë për të gjitha gabimet e tyre.
Por a do t’i mjaftojë ky ndryshim stili për t’u zgjedhur? Politikani i ri 37 vjeçar propozon pesë masa konkrete dhe të menjëhershme. Ai premton që t’u japë fund pushimeve nga puna në administratën publike, të rrisë pagën minimale nga 480 në 700 euro, të rivendosë marrëveshjet kolektive të punës, të anulojë borxhet e disa kredimarrësve me probleme dhe të heqë taksën e jashtëzakonshme mbi banesat që është vendosur nga qeveria e mëparshme. «Por, ku do t’i gjejë ai paratë për të bërë të gjitha këto!», thotë Evripidès Styliannidès, deputet konservator i ND. «Arkat e shtetit do të jenë bosh në 20 korrik, në rast se Brukseli na pret fondet. Në rast se ai beson se mund të drejtojë një shtet duke pushtuar vendet publike, ashtu siç ka bërë gjithmonë, gabohet!», ngul këmbë ai.
Një plan B
Edhe në planin ndërkombëtar ka ndryshim të qëndrimit. Kështu, ndërsa më parë Alexis Tsipras denonconte hapur memorandumin e masave të rrepta dhe reformave dhe propozonte anulimin e tyre gjithashtu dhe mosnjohjen e borxhit grek, ai sugjeron sot një rinegocim me Bashkimin Europian. Kjo shpjegon arsyen se pse një sërë analistësh konsiderojnë sot se zgjedhja e tij nuk do të jetë aq vendimtare, në krahasim me ditët që do të vijnë pas procesit. Në rast se Bashkimi Europian nuk e ndryshon pozicion e vet, kjo pak rëndësi ka. Dirigjenti i Syriza nuk beson aspak në një dalje të vendit nga zona euro. Por, ka një plan B, që ai refuzon që ta bëjë publik për momentin.
Për shkrimtarin Takis Theodoropoulos, më shumë se për një maskaradë bëhet fjalë për një diversion për të mos qeverisur. «Ai i ka mbajtur fjalimet e tij, gjë që është normale për një drejtues, partia politike e të cilës kalon nga 4 në 28 % në disa javë. Ai luan europianin, por a e di ai se çfarë është Europa? Mungesa e ekuilibrit në gjuhën e tij dhe mungesa e programit të saktë tregon që ai thjesht po luan aktin e prezencës mbi skenën politike greke, por nuk do që të drejtojë vendin », thotë shkrimtari. Ai shpreh keqardhjen për mënyrën se si vepron klasa politike që asnjëherë nuk merr përgjegjësi për atë që ndodh. Por, parashikoi se «kjo lojë do të na çojë në shpërthim ». Në këtë kontekst, asgjë nuk përjashton një shpërthim teatral dhe një humbje të Syriza.