Edhe pse në një orar aspak të zakonshëm dhe në fundjavë qeveria nuk ngurroi të njoftonte me dalje televizive çeljen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Por publikimi i paketës së dokumenteve është bërë vetëm këtë të hënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik. Procedura që ka për objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë)” u çel me një fond limit prej 19.1 miliardë lekësh apo rreth 155 milionë euro.
Kompanive të interesuara u është lënë afat deri në datën 12shkurt 2021 që të dorëzojnë kërkesat e tyre për pjesëmarrje.
Në dokumente është specifikuar se operatori që do të rezultojë fitues në fund të garës do të ketë në dispozicion 37 muaj pra më shumë se tre vjet për të bërë zbatimin e kontratës ndërsa burimi i financimit do të jetë buxheti i shtetit.
Tuneli do të ndjekë projektin që u shpall fitues vetëm pak kohë më parë në një tjetër garë të hapur nga qeveria. Fitues rezultoi bashkimi i operatorëve ekonomikë iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh, kompani inxhinierike e regjistruar në Austri, ELEA iC d.o.o dhe IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring – kompani inxhinierike regjistruar në Slloveni, dhe SEED Consulting sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka vlerësuar këtë bashkim operatorësh për zgjidhjen më të mirë teknike, kapacitetet dhe kualifikimet e stafit teknik të duhura për të realizuar projektin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
Tuneli i Llogarasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7- 10 minuta.
Tuneli është vazhdim i kontratës “Dhënia me konçesion /PPP ‘Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Segmentit Rrugor Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)’ fituar nga kompania Gjikuria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.