Ibrahimaj: Bizneset e pafiskalizuara nuk do gjobiten për përdorimin e blloqeve tatimore; Përdorimi i SelfCare edhe pas 1 korrikut, do lehtësonte subjektet 

06/07/2021 5:00 PM 3 komente

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi aktin normativ për shtyrjen e gjobave të fiskalizimit deri në 31 dhjetor 2021.

Pak ditë më parë nisi faza e dytë e faturimit të ri për bizneset që kryejnë mes tyre transaksione pa para në dorë.

Në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, deputetja Edlira Hyseni kërkoi shpjegimin e disa procedurave për sistemin e ri të faturimit që po shqetësojnë biznesin.

Për aktin normativ, drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj pohoi se do të zbatohet edhe në rastet kur bizneset në pamundësi për të lëshuar fatura të fiskalizuara vazhdojnë të përdorimin sistemit aktual të faturimit (lëshimin e faturave nga blloqet tatimore).

“Mosaplikimi i gjobave do të lidhet me faktin që të gjitha bizneset që nuk janë fiskalizuar do të vazhdojnë të përdorin blloqet tatimore deri në momentin e fiskalizmit. Sot nga drejtoria e tatimeve do të bëhet një njoftim se si do të funksionojnë bizneset që nuk janë fiskalizuar ende”, pohoi Ibrahimaj.

Më 1 korrik përfundoi afati për përdorimin e portalit SelfCare pa pagesë për lëshimin e faturave nga bizneset (përjashtohet biznesi i vogël). Tashmë nëpërmjet këtij portali bizneset kanë detyrimin të ngarkojnë certifikatën elektronike, ndërsa për lëshimin e faturave elektronike është e nevojshme të përdorin programet e tyre software.  Drejtoresha e Tatimeve i sugjeroi deputetëve të komisionit parlamentar rishikimin e afatit të përdorimit të portalit nga të gjitha bizneset.

“Për sa i përket platformës SelfCare në bazë të vendimit të këshillit të Ministrave përfundimi i afatit të përdorimit të platformës ka qenë data 1 korrik. Me sugjerimin tuaj ne mund ta diskutojmë nëse ka një mundësi shtyrje, pasi do të ishte një lehtësi për bizneset”.

Shqetësimit të ngritur në komisionin parlamentar nëse ASHKI a ka përmbushur 100% detyrimin për dhënien e certifikatave elektronike të gjithë bizneseve që kanë aplikuar apo për ndryshimet e programeve të kontabilitetit në mes të vitit kur nga bizneset ka një paqartësi për mbajtjen e bilanceve dhe pasqyrave financiare, drejtoresha e Tatimeve dha këtë përgjigje.

“Për sa i takon AKSH-it ne jemi çdo ditë në përditësim të shifrave për aplikimin e certifikatave elektronike. Ashtu siç parashikonim të gjitha bizneset e lanë për ditën e fundit aplikimin për certifikatë elektronike. AKSHI ka një afat 10 ditor për lëshimin e saj dhe me lëshimin e tyre po ecën me ritme të përshpejtuara. Aktualisht janë 22 mijë biznese që kanë marrë certifikatë elektronike dhe çdo ditë lëshohen 1 mijë certifikata. Procesi ka qenë i ngarkuar për AKSHI-n, pasi ka pasur edhe nënshkrimin e certifikatave për regjistrin e pronarëve përfitues që ka pasur afat datën 30 qershor dhe kishte dyndje të kërkesave siç kanë qenë për certifikatë elektronike. Për sa i përket moscertifikimit të disa programeve të kontabilitetit janë më shumë se 30 subjekte të tjera që janë certifikuar. Biznesi është njohur me ligjin për fiskalizimin para 1 viti e gjysmë dhe duhet të kishte marrë masat për ofruesit e shërbimit dhe nuk presim që biznesi të ketë probleme me pasqyrat financiare për shkak të fiskalizimit”, nënvizoi Ibrahimaj.

Zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Vasilika Vjero e pranishme në mbledhjen e komisionit parlamentar tha se miratimi i aktit normativ shtyn në kohë penalitetet për fiskalizimin, por jo afatin e fillimit të procesit.

“Akti normativ për mosvendosjen e penaliteteve u rishikua për t’i dhënë më shumë mundësi biznesit për të përdorur sistemin e ri. Kjo masë do të jetë një ndihmesë për komunitetin e biznesit janë më shumë se 100 mijë tatimpagues që do të hyjnë në procesin e fiskalizimit sipas afateve kohore të përcaktuar në ligj. Për këtë administrata tatimore do të duhet të tregojë më shumë kujdes duke i orientuar dhe nëpërmjet trajnimeve. Nga 1 janari 2022 do të fillojë të funksionojë çdo gjë sipas legjislacionit, nuk do të jetë në fuqi heqja e gjobave”, tha Vjero. /D.Azo

3
Komente

avatar
2 Comment threads
1 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
3 Comment authors
OrnelaBasAnonymous Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Bas
Guest
Bas

Po presim njoftimin po nuk po del???

Anonymous
Guest
Anonymous

Po per faktin qe asnje Drejtori Rajonale ne gjithe Shqiperine nuk kane ne magazina prej nje jave asnje cope blloku tvsh ,cfare duhet te themi?ketej edhe i lejojne ti perdori por nga ana tjeter nuk ka blloqe.Hajde dhe gjeje lidhjen e deklaratave me realitetin e shemtuar.