Kompania celulare, tërësisht shqiptare, PLUS Communication, ka nisur fushatën e saj të imazhit, ku prezanton sloganin me të cilin iu drejtohet shqiptarëve “PROGRES”, “TË DUA SHUMË”, “JAM ME TY”, “KRENARI” janë fjalë që kanë tërhequr vëmendjen e gjithkujt këto ditë fundviti.
Janë mesazhi që përcjell fushata e imazhit e kompanisë celulare, tërësisht shqiptare, PLUS Communication. Janë fjalë që i sheh çdo ditë në televizor, i dëgjon në radio, i shfleton në gazeta, por i gjen edhe në rrugë. Me anë të kësaj fushate, kompania ka zgjedhur të prezantojë përpara publikut shqiptar edhe sloganin që do t´i shoqërojë gjatë gjithë vitit 2012. Po si u ideua kjo fushatë? Kush e ka realizuar? çfarë mesazhesh përcjellin? Cilat do të jenë surprizat e radhës. “Monitor” i zbulon në një intervistë me drejtoren e Divizionit të Marketingut tek PLUS Communication.
Slogani ynë, “PLUS të përket ty”
Flet Floreta Zhulali, drejtore e Divizionit të Marketingut tek PLUS Communication
Si është konceptuar nga PLUS, fushata e re e reklamave? çfarë përgatitjesh bëni përpara se të hidhni në treg një fushatë publicitare?
Kur rreth një vit më parë filloi të operonte në tregun shqiptar të telekomunikacionit, PLUS Communication ishte një kompani që po hynte në një treg për të konkurruar si e barabartë me të gjithë operatorët e tjerë, që prej shumë vitesh ishin stabilizuar dhe ofronin shërbimet e tyre. Rrugëtimin e filluam duke u siguruar që kishim krijuar të gjithë bazën teknologjike që do të na mundësonte realizimin e kësaj ambicieje. E sigurisht, fillimisht na u desh ta provonim veten para klientëve tanë se ne ishim në gjendje ta bënim një gjë të tillë. Prezantuam të parat produkte tonat, sepse nëpërmjet tyre ne i shërbejmë konsumatorit dhe kështu ai do na njihte dhe më mirë. Nuk deshëm të bënim shumë premtime, por vetëm një, atë që viti i ardhshëm do të na konfirmonte në treg si një alternativë serioze dhe e qëndrueshme, duke qenë në gjendje të ofrojmë paketën e plotë të shërbimeve dhe produkteve. Në këtë moment, ne jemi gati të themi: po, tashmë kemi dhe jemi në gjendje të ofrojmë gjithçka që kërkon tregu, ndoshta edhe më shumë.
Ky ishte momenti i duhur për ne, për t´u shfaqur si ajo kompani, për të cilën kemi 18 muaj që punojmë, për t´u treguar shqiptarëve që ne e kemi mbajtur premtimin tonë dhe tani na duhet besimi i tyre.
Fushata që sapo ka nisur është një fushatë imazhi e kompanisë dhe qëllimet që duam të arrijmë nëpërmjet saj janë disa. Së pari, kemi dashur të transmetojmë një imazh të dëshirueshëm dhe modern të PLUS Communication dhe njëkohësisht të afërt dhe miqësor. Kemi dashur gjithashtu të komunikojmë katër shtyllat ku bazohet zhvillimi i kompanisë sonë: mirëkuptimi, përshtatja ndaj kërkesës, risia dhe kompetenca.
Sigurisht, përpara se kjo fushatë të hidhej në treg, PLUS ka marrë parasysh përfundimet e studimeve të ndryshme të tregut, me fokus grupe me grupmosha të ndryshme, të kategorive dhe karakteristikave të ndryshme, të cilat personifikojnë publikun e gjerë, që ne kemi pasur si qëllim t´i drejtohemi.
Cili është mesazhi që ju keni dashur t´i përcillni publikut?
Ideja është besoj shumë direkte dhe për këtë na ndihmon linja e zgjedhur për të zhvilluar pikërisht këtë ide: Fjalët janë të rëndësishme. PLUS është një kompani celulare, si e tillë misioni ynë kryesor është të ndihmojmë njerëzit të komunikojnë. Fjalët janë po aq të rëndësishme për ne sa edhe për klientët tanë. Ato kanë vlerë, sepse janë një investim që ne bëjmë vazhdimisht për të komunikuar dhe shprehur nevojat, dëshirat, kërkesat, emocionet tona. Për të theksuar këtë ide në spot, ju shikoni se si fjalët e personazheve zmadhohen në mënyrë metaforike.
Slogani i ri i përdorur është “PLUS TË PËRKET TY”. Sigurisht nuk është një zgjedhje rastësore. E vërteta është se PLUS i përket shqiptarëve. Kjo është diçka në të cilën ne si PLUS besojmë shumë. PLUS është i vetmi operator celular 100% shqiptar. Është një investim i shqiptarëve për shqiptarët: të ardhurat e PLUS ri-investohen në Shqipëri. Mbështetemi tërësisht në burime njerëzore shqiptare. E mbi të gjitha, askush si ne nuk mund të njohë sfidat e tregut të brendshëm.
çfarë elementesh të veçantë keni përfshirë?
Në bazë të konceptit të reklamës, PLUS po aplikon një element të veçantë në fushën e BTL (below the line), ndërtimin e fjalëve të cituara gjatë spotit, të mëdha në variantin 3D, në disa nga zonat kryesore të Tiranës. Konkretisht, janë fjalët “PROGRES”, “TË DUA SHUMË”, “JAM ME TY” dhe “KRENARI”, të gjitha këto fjalë shumë të çmuara për të gjithë ne, apo jo? Për prodhimin e këtij spoti janë përdorur disa risi edhe në fushën e prodhimit, duke siguruar një cilësi maksimale të figurës. Konkretisht xhirimet nga ajri janë kryer përmes një kamere të veçantë, “Fly Cam”, një robot inovativ i teknologjisë së fundit, që është përdorur si zgjidhja e vetme për realizimin e disa pamjeve nga lart, si dhe të disa prej pamjeve me kënde të ndryshme, ku reflektoheshin fjalët e cituara në spot.
Kush e ka ideuar dhe si është realizuar?
Reklama e fundit televizive e PLUS është ideuar nga “R&T Advertising” dhe është prodhuar nga “Anima Pictures”. Koncepti është përpunuar dhe rishikuar për rreth një muaj, ndërsa prodhimi dhe realizimi në tërësi ka zgjatur rreth 10 ditë.
Sa kohë do të vazhdojë në treg kjo fushatë? çfarë reklamash të tjera do t´i serviren publikut deri në fund të muajit?
Pritet që Fushata e Markës t´i serviret publikut deri në fund të vitit, ndërkohë që po përgatitemi për një fushatë të re, e cila fokuson një produkt të veçantë që do të jetë mjaft konkurrues në treg, që tashmë do të vijë si një premtim konkret për klientët, pas premtimit të markës, për të cilin ende nuk mund t´ju jap shumë detaje dhe në këtë fazë do të mbetet një surprizë.
Cili ka qenë reagimi i publikut?
Përgjigjja ka qenë shumë pozitive, si nga klientët në rrjetin Zona PLUS, në telefonatat drejt Shërbimit ndaj Klientit, në rrjetet sociale si Faqja e PLUS në “Facebook” etj. Komentet që kemi pasur kanë qenë të shumta. Sigurisht që kjo gjë nuk na surprizon, sepse kemi punuar fort për këtë. Thjesht na shton kënaqësitë e një viti, vërtet të suksesshëm.
Mesazhi
Fjalët janë po aq të rëndësishme për ne sa edhe për klientët tanë. Ato kanë vlerë, sepse janë një investim që ne bëjmë vazhdimisht për të komunikuar dhe shprehur nevojat, dëshirat, kërkesat, emocionet tona
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.