Shifra e shtatorit prej 10.9% vjen në një kohë kur të gjitha institutet po shpjegojnë mënyrën se si mungesa e gazit do të ndikojë në rritjen ekonomike të vitit 2023.
Inflacioni në Gjermani u rrit duke kapur nivele dyshifrore për herë të parë në më shumë se 70 vite. Ky fakt tregon gjendjen e pasigurt të ekonomisë më të madhe të Europës, për të cilën ekonomistët kryesorë paralajmërojnë se mund të bjerë me deri në 7.9 për qind vitin e ardhshëm, sipas skenarit më të keq.
Kancelari Olaf Scholz u përgjigj për kostot e larta të energjisë ditën e enjte, duke bërë publike planet për një kufi prej 200 miliardë eurosh për çmimet e gazit. Ai e përshkroi këtë si një “mburojë mbrojtëse”, e cila do të financohet duke rritur një fond jashtë bilancit, që ishte krijuar për të ofruar ndihmë në periudhën e pandemisë së koronavirusit.
Çmimet e konsumit në Gjermani patën një rritje vjetore prej 10.9 për qind në muajin shtator, nivel ky më i lartë edhe se shifra 8.8 për qind e muajit gusht, sipas një vlerësimi të shpejtë të publikuar nga agjencia federale statistikore ditën e enjte. Kjo është hera e parë që inflacioni në Gjermani arrin nivele dyshifrore që nga viti 1951, dhe kjo rritje pritet të shtojë inflacionin e përgjithshëm të eurozonës duke e çuar atë në një rekord të ri prej 9.7 për qind.
“Inflacioni është tepër i lartë në Gjermani,” tha Carsten Brzeski, ekonomist në bankën holandeze ING, duke shtuar se ishte “e vështirë për të kuptuar” se si Banka Qendrore Europiane mund të mos rrisë normat e interesit me 0.75 pikë përqindjeje për të tretën herë radhazi në takimin e muajit të ardhshëm.
Inflacioni në Gjermani, i cili u rrit me 2.2 për qind nga muaji i kaluar, u nxit më tepër nga përfundimi i masave të përkohshme të ndërmarra për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga ndikimi i çmimeve të larta, të tilla si ulja e tarifës së karburantit dhe bileta mujore e subvencionuar prej 9 euro.
Çmimet e energjisë u rritën me 43.9 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, një shifër më e lartë se norma prej 35.6 për qind e muajit gusht, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën me 18.7 për qind, krahasuar me 16.6 për qind një muaj më parë. Rritja e çmimeve në sektorin e shërbimeve ishte 3.6 për qind, nga 2.2 për qind muajin e kaluar.
Vendimi i Rusisë për të ndërprerë furnizimet me gaz në Europë pas pushtimit të Ukrainës, e ka futur Gjermaninë në krizën më të rëndë energjetike që nga Lufta e Dytë Botërore. Rritja e çmimeve të gazit ka detyruar shumë kompani që të reduktojnë prodhimin apo edhe të mbyllin tërësisht aktivitetin e tyre, ndërkohë që konsumatorët familjarë po përgatiten për një rritje të konsiderueshme të faturave të ngrohjes.
Institutet më prestigjioze ekonomike të Gjermanisë kanë deklaruar se vendi do të ketë një rritje ekonomike prej 1.4 për qind këtë vit, një rënie prej 0.4 për qind në vitin 2023 dhe një rritje prej 1.9 për qind në vitin 2024. Por, ata gjithashtu paralajmëruan se ekonomia mund të pësojë një rënie prej 7.9 për qind vitin e ardhshëm, në rast se këtë vit do të ketë një dimër jashtëzakonisht të ftohtë dhe nëse fillohet me racionimin e furnizimeve me gaz për industrinë.
“Nëse do të kemi një dimër shumë të ftohtë, atëherë konsumi i gazit do të rritet ndjeshëm, gjë që do të shtojë gjasat për të pasur mungesa të gazit,” tha Torsten Schmidt nga Instituti Leibniz për Kërkime Ekonomike. “Kjo do të ketë një ndikim më të madh në PBB sesa kemi supozuar ne në parashikimin tonë.”/FT