Në vitin 2016, lënda e parë e nxjerrë nga burimet e brendshme natyrore, e cila përfaqëson sasinë totale të materialeve që përdoren direkt në ekonomi, është rreth 28 milion ton, duke shënuar një rritje me 7,97 % krahasuar me vitin 2015.
Struktura e burimeve të brendshme natyrore, tregon që produktet “minerale jo metalike” zënë rreth 63,48 %, “biomasa” 28,56 %, “mineralet metalike” 4,15 % dhe “materialet e energjisë fosile” me 3,81 %.
Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore mat sasinë totale vjetore të lëndëve të para që nxirren nga mjedisi, duke marrë në konsiderate dhe bilancin fizik tregtar. Në 2016 përdorimi i brendshëm arriti vlerën e rreth 28,5 milion ton, 9,62 % më shumë krahasuar me vitin 2015. Sipas strukturës së tij shohim që pjesën më të madhe e zënë “mineralet jo metalike” me 61,51 %, më pas vijnë produktet e “biomasës” me 32,09 %, “materialet fosile të energjisë” me 3,42 %, “mineralet dhe koncentratet metalike” me 2,42 % dhe “produkte të tjera” me 0,56 %.
Përdorimi i burimeve për banorë
Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore në raport me popullsinë në vitin 2016 ishte rreth 9,92 ton, duke treguar një rritje me afërsisht 6,12 % krahasuar me vitin 2010, e cila kishte një vlerë rreth 7,01 ton.
Si llogariten flukset e perdorimit
Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore mat shumën vjetore të lëndëve të para të nxjerra dhe të përdorura në ekonominë kombëtare, plus të gjitha importet fizike, minus të gjitha eksportet fizike.
Te dhënat e përdorura për Llogaritë e flukseve të Materialeve Mjedisore kanë burim të dhëna administrative të marra nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), Instituti i Statistikave (INSTAT) etj. Metodologjia e përdorur për llogaritjen e tyre është bërë në përputhje me rregulloren (BE) Nr 691/2011 mbi Llogaritë e Flukseve të Materialeve Mjedisore dhe manualeve të Eurostat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.