Pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve/shërbimeve/dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSh, tatim fitimit.
Brenda muajit mars nis shlyerja e tij, duke synuar që brenda një viti të paguhet thuajsa gjysmën e detyrimit. Revista “Monitor” ka publikuar verifikimet që do të bëhen për fatura dhe procesin që do të ndiqet për likuidimin e tyre
Nga Laura Çela
Brenda muajit të ardhshëm do të nisë shlyerja e borxheve që qeveria u detyrohet bizneseve. Ministria e Financave ka përpiluar dhe miratuar tashmë në qeveri strategjinë që do të ndiqet për të paguar të gjitha detyrimet, që përllogariten të arrijnë në një total prej 72.6 miliardë lekësh ose 5.3 për qind e PBB-së.
Kjo shifër do të jetë subjekt i verifikimeve të mëtejshme gjatë procesit të shlyerjes së detyrimeve. Përveç këtyre detyrimeve të prapambetura, mund të ketë edhe detyrime të tjera të konsiderueshme të prapambetura në sektorin më të gjerë publik, duke përfshirë ndërmarrjet shtetërore në sektorin e energjisë.
Pjesën më të madhe të detyrimeve të papaguara e përbëjnë punimet në infrastrukturë, në një vlerë prej 24.6 miliardë lekësh, ndërkohë që rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar përllogaritet të ketë akumuluar një borxh prej 12.84 miliardë lekësh.
Qeveria do të paguajë edhe 10 miliardë si rimbursim për tepricat e tatimit fitimit të paguara nga bizneset.
Zëvendësministri i Financave, Erion Luçi, ka sqaruar në një takim informal me gazetarët se brenda muajit shkurt do të disbursohet edhe kësti i parë i kredisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, me një vlerë prej 100 milionë eurosh. Ndërkohë, disbursimi i fondit të Bankës Botërore, prej 200 milionë dollarësh, parashikohet të lëvrohet në muajin qershor.
Në total, të dyja këto institucione do të lëvrojnë rreth 650 milionë euro në tre vitet në vijim, me qëllimin kryesor shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit.
“Kostoja apo interesi i këtyre kredive do të jetë shumë më i ulët se ai që mund të gjendet në treg, 2%”, thotë z. Luçi.
Sipas z. Luçi, pjesa më e madhe e borxheve të papaguara i përkasin 2-3 viteve të fundit, ndërkohë që nuk ka përfunduar lista e plotë me kompanitë që do të shlyhen, por pritet që numri i tyre të jetë relativisht i lartë.
Pagesat
Radha e pagesave për secilën kategori të detyrimeve të papaguara do të ndjekë parimin e kohës së krijimit të detyrimit financiar edhe sipas sektorëve. Pagesat do të fillojnë nga detyrimet më të vjetra tek ato më të reja, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet përkatëse, të dokumentacionit që vërteton kryerjen e punimeve/shërbimeve/dorëzimin e mallrave dhe/ose kërkesën për rimbursimin e TVSh, tatim fitimit.
Radha e pagesës do të ndryshojë vetëm nëse ka parregullsi në dokumentacion që kërkon verifikime të mëtejshme.
Rimbursimi i TVSH-së dhe tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin do të fillojnë gjatë vitit 2014. Pagesat e rimbursimeve, pas verifikimit, do të kryhen kundrejt fondeve buxhetore të miratuara për këtë qëllim dhe sipas parimit hyrje e parë – dalje e parë, duke u bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor pavarësisht se kur është vlerësuar dhe miratuar nga ky i fundit.
Pjesa e pashlyer e vlerësuar e pretendimeve financiare kundrejt qeverisë do të përditësohet për gjendjen që rezulton në datën 31 dhjetor 2013 dhe do të konfirmohet nëpërmjet një procesi verifikimi që do të kryhet nga titullarët e ministrive të linjës dhe krerët e njësive të tjera qendrore, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Financave.
Parashikimi buxhetor
Fondet e caktuara për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nuk janë pjesë e buxhetit të miratuar për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme. Buxheti për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura do të identifikohet dhe menaxhohet nga Komiteti i Detyrimeve të Prapambetura (KDP). Fondet buxhetore për çdo kategori miratohen nga ministri i Financave si zë më vete në buxhet dhe rrisin nivelin maksimal të shpenzimeve për çdo njësi të qeverisjes qendrore, mbështetur në masën e detyrimeve të prapambetura që shlyhen si dhe saktësinë e inventarizimit të detyrimeve për çdo kategori. Parashikimet për vitet në vazhdim do të përfshihen në programin buxhetor afatmesëm. Pagesat e verifikuara dhe të rakorduara do të paguhen brenda një periudhe që nuk i kalon tre vite kalendarike.
Procesi, krijohet KDP
Për të monitoruar të gjithë procesin do të ngrihet Komiteti i Detyrimeve të Prapambetura, i përbërë nga titullarë të disa ministrive si dhe institucioneve audituese, me qëllim garantimin e transparencës së këtij procesi.
Pranë Ministrisë së Financave krijohet një njësi e posaçme teknike, e cila do të mbështesë KDP dhe nëpunësin e parë autorizues në menaxhimin e të dhënave të pretendimeve, për të siguruar që pretendimet e verifikuara të paguhen në një mënyrë transparente, të saktë, të besueshme dhe të mbështetura në dokumentacionin e plotë sipas kërkesave ligjore e nënligjore në fuqi.
KDP-ja do të takohet mesatarisht një herë në dy javë për të shqyrtuar dhe miratuar urdhrat e verifikuara të pagesave. Për detyrimet e lindura në pushtetin vendor nëpërmjet mekanizimit të financimit nga fondi për zhvillimin e rajoneve, KDP-ja bashkërendon paraprakisht me sekretariatin e përgjithshëm të komitetit për zhvillimin e rajoneve, i cili propozon pranë KDP masën dhe nivelin e shlyerjes së detyrimeve.
Përgjegjësia e KDP-së do të jetë të sigurojë që kriteret e caktimit të prioritetit për pagesat e specifikuara në strategji të respektohen dhe procesi i verifikimit të jetë i plotë. Menjëherë pasi KDP-ja të aprovojë një kërkesë për pagesë, pagesat do të trajtohen në degën e Thesarit ku ushtron veprimtarinë institucioni, i cili është përgjegjës përpara ligjit për shlyerjen e detyrimit të marrë përsipër prej tij.
Para pagesës, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve do të verifikojë që subjektet kontraktore, të cilët paguhen sipas strategjisë, nuk kanë detyrime tatimore kundrejt administratës tatimore qendrore. Në këto raste, subjekti do të njoftohet me shkrim që detyrimi i pashlyer do të paguhet, duke marrë në konsideratë detyrimet tatimore të pashlyera dhe do t’i jepet mundësi për t’u shprehur.
Një audit ndërkombëtar do të angazhohet nga ministri i Financave për të ndërmarrë një auditim të plotë financiar të një ekzemplari të pagesave të bëra sipas strategjisë së shlyerjes. Objektivi i auditit do të jetë dhënia e një mendimi të pavarur profesional për një model pagesash të audituara, i cili do të përfshijë një mendim për përshtatshmërinë e shpenzimit dhe përputhshmërinë me marrëveshjet përkatëse ligjore dhe strategjinë e shlyerjes. Auditi do të raportojë mbi ekzemplarin e testuar, duke përfshirë çështjet që kanë ardhur në vëmendje të auditit, të cilat kanë një ndikim të konsiderueshëm mbi vlefshmërinë e strategjisë së shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Konstatimet e auditit për rastet e abuzimit me fondet publike do të rezultojnë në pezullimin e pagesave të tjera, sipas strategjisë në pritje të hetimit.
Verifikimi
Titullarët e njësive të qeverisjes qendrore sigurohen që të gjitha detyrimet financiare të prapambetura të jenë vlerësuar dhe verifikuar plotësisht përpara dërgimit të dokumentacionit për pagesë. Verifikimet bëhen duke respektuar radhën kohore të lindjes së detyrimit. Dokumentacioni i plotë duhet t’i paraqitet degës së Thesarit nga Nëpunësit Autorizues për kontroll për çdo urdhër pagese, për t’u shqyrtuar më pas nga Komiteti i Detyrimeve të Prapambetura (KDP).
Detyrimet e lindura në qeverisjen vendore për punimet e papaguara për projektet e infrastrukturës vendore të financuara nga fondi për zhvillimin e rajoneve, do të verifikohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, përpara se nëpunësit autorizues të njësive të qeverisjes vendore të dërgojnë urdhërpagesën me dokumentacionin shoqërues pranë degës së Thesarit.
Detyrimet e prapambetura në lidhje me pretendimet e përfitimit për personat me aftësi të kufizuar do të trajtohen pas auditimit të borxhit nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe do të paguhen duke respektuar parimin që detyrimet më të vjetra financiare do të marrin prioritetin më të lartë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të verifikojë, para se të bëhen pagesat, që pretendimet e rimbursimit të TVSH-së dhe Tatimit mbi Fitimin janë të vlefshme. Verifikimi dhe kontrolli do të kryhen bazuar në datën e paraqitjes së kërkesës nga subjekti tatimpagues në organin tatimor (data e protokollit të organit tatimor). Një grup ekspertësh i dedikuar do të ngrihet pranë Ministrisë së Financave, për të siguruar minimizimin e riskut të abuzimeve në procesin e rimbursimit të TVSH.
Përveç kontrolleve të sistemit të Thesarit, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të verifikojë dokumentacionin mbështetës të një pjese të pretendimeve para pagesës në bazë të parimit të materialitetit dhe mënyrës së miratuar në memorandumin e nënshkruar midis Ministrisë së Financave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ministria e Financave mund të kontraktojë një auditor të jashtëm për të verifikuar pretendimet për detyrimet financiare, të cilat nuk janë miratuar për shkak të mospërputhjes së dokumentacionit. Pas verifikimit të këtyre detyrimeve, ato përfshihen në listën e detyrimeve financiare për t’u shlyer dhe do t’i nënshtrohen të njëjtave procedura të miratimit dhe pagesës si me detyrimet e raportuara.
Pasojat e borxheve
Për qeverinë duket se shlyerja e borxheve është një prioritet i veçantë, në kushtet kur analizon se detyrimet e papaguara kanë çuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e papunësisë. Bizneset e varura nga kontratat qeveritare kanë pushuar ose shtyrë aktivitetin e tyre, si rezultat i vonesave në pagesa ose vështirësive në mundësinë e kredive nga bankat tregtare.
Shlyerjet e huave kundrejt bankave janë vështirësuar, pasi ka mungesë likuiditeti, si rezultat i rritjes së detyrimeve të prapambetura. Ndikimet mbi likuiditetin në treg mund të jenë gjithashtu të ashpra. Këta faktorë mund të rezultojnë në një ndikim dëmtues mbi kërkesën e përgjithshme dhe mund të kufizojnë aftësinë e qeverisë në përdorimin e politikës fiskale, si një mjet për stabilizimin makroekonomik. Nëse furnitorët e qeverisë marrin parasysh mundësinë e vonesave të gjata në marrjen e pagesave, ata mund të përpiqen të ulin riskun dhe koston shtesë të pagesave të vonuara, duke rritur përkatësisht çmimet e tyre, duke detyruar qeverinë të paguajë çmimet mbi tregun për shërbimet e ofruara.
Një pjesë e rritjes së huave të këqija në sektorin bankar në disa prej viteve të fundit mund t’u atribuohet detyrimeve të prapambetura të qeverisë. Dhënia e shërbimeve publike në disa raste është ndalur plotësisht, pasi furnitorët kanë ndërprerë zbatimin e ndërtimit në projektet e investimeve për shkak të mospagesave, duke rezultuar në degradimin e disa investimeve, veçanërisht në sektorin rrugor. Së fundmi, në rastet e vonesave të pagesave të asistencës sociale ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, të cilat vuajnë si pasojë e vonesave në pagesat e përfitimeve.
“Për pasojë, zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie për eliminimin e pjesës së detyrimeve të prapambetura dhe ndërmarrja e masave për të parandaluar akumulimin e mëtejshëm në të ardhmen do të jetë një hap i rëndësishëm i përpjekjeve të qeverisë për të rikthyer ekonominë te një rritje e fuqishme, në të mirë të të gjithë qytetarëve brenda një periudhe afatmesme dhe afatgjatë, si dhe për të ndërtuar një marrëdhënie të re partneriteti. Seksionet e mëposhtme të këtij dokumenti e shtjellojnë këtë strategji”, vë në dukje Ministria e Financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.