Kategorizimi i strukturave akomoduese që nënkupton numrin e yjeve që mund të mbajë secila prej tyre, sipas standardit dhe shërbimeve që ofron, ka mbetur pezull prej vitesh. Kuadri i plotë ligjor u miratua në vitin 2016, kur mori “ok” një pjesë e mirë e akteve nënligjore që shoqëronin ligjin themelor për turizmin.
Tre vite më pas, procesi i klasifikimit të strukturave akomoduese ka mbetur pezull, çka në shumë raste është cilësuar si një e metë që po dëmton turizmin nga ana e tur-operatorëve. Një vendim i miratuar së fundmi nga qeveria duket se i hap rrugë ngërçit që lidhet me kategorizimin e strukturave, duke shtuar në rregulloren “Për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese” disa pika që lidhen pikërisht me këtë proces.
Kështu, së pari, në nenin 1 të kësaj rregulloreje, ku përcaktohet qëllimi, shtohet një pikë e katërt ku nënvizohet kategorizimi i strukturave akomoduese. Në nenin 3 të rregullores shtohet gjithashtu një pikë e re sqaruese mbi termin certifikatë kategorizimi. Deri më tani, rregullorja kishte të sqaruar vetëm certifikatën e klasifikimit, që është një dokument që lëshohet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike për klasifikimin e strukturës akomoduese. Certifikata e kategorizimit, që është shtesa në rregulloren e re, është dokumenti i lëshuar nga komisioni i standardizimit të veprimtarive turistike për llojin e strukturës akomoduese.
Vendimi i qeverisë përcakton gjithashtu se çdo sipërmarrës turistik që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, duhet të pajiset me certifikatë kategorizimi dhe se mënyrat dhe procedurat e kategorizimit do të përcaktohen me një urdhër të ministrit. Në këtë rast, ministrit të Turizmit dhe Mjedisit.
Në ndryshimet që i janë bërë rregullores është saktësuar edhe mënyra sesi do të bëhet kategorizimi për ato hotele me 4 apo 5 yje brand name (marka ndërkombëtare). Në nenin 7 që detajon procesin e verifikimit, në pikën 1 sqarohet se: për verifikimin e të dhënave të vetëdeklaruara nga kërkuesi, Ministria bashkëpunon me agjenci dhe organizata ndërkombëtare të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, të cilat në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me ministrinë, kryejnë vlerësimin për klasifikimin e strukturës akomoduese.
Pas kësaj pike, vendimi i qeverisë shton një pikë të re, e cila nënvizon se “për strukturat akomoduese me 4 apo 5 yje që janë mbajtëse të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht “Brand name”, vlerësimi për klasifikimin e tyre bëhet nga Ministria përgjegjëse për Turizmin, me kërkesë të vetë sipërmarrësit turistik, deri në nënshkrimin e marrëveshjes me agjenci apo organizata ndërkombëtare, të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 1, të nenit 7, të rregullores.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.