Fanella e legjendës së NBA, Michael Jordan, e veshur në ndeshjen e parë të Finals të NBA në vitin 1998, kundër Utah Jazz në Salt Lake City, u shit në një ankand nga Sotheby’s, me çmimin rekord 10.091 milionë euro (8.8 milionë paund).
Fanella ikonë e Chicago Bulls të Jordan – me numrin e famshëm 23 në të – i përkiste kampionatit të gjashtë dhe të fundit të tij në NBA. Bull i mundën Utah Jazz 4 – 2 në finale. Ky ishte sezoni i fundit i Jordan me Bulls dhe fanella doli në shitje në ankand nga shtëpia e ankandeve në Britaninë e Madhe, Sotheby’s.
Bëhet fjalë për fanellën e pavdekshme në filmin dokumentar “The Last Dance” të ESPN/Netflix, mbi sezonin 1997-‘98 të Bulls. Kjo është fanella e dytë e basketbollistit legjendar që del në ankand, pas asaj të veshur nga Jordan në kopertinën e Sporting News në vitin 1983.
Fanella e 6 herë kampionit të NBA thyen rekordin e mëparshëm të vendosur nga fanella e futbollistit të Argjentinës, Diego Armando Maradona.
Kjo është fanella që futbollisti argjentinas mbante veshur kur shënoi golin e famshëm “Mano de Dios”, në çerekfinalet e Kupës së Botës në vitin 1986 kundër Anglisë. Ajo u shit 8.8 milionë euro (8.2 milionë paund) në ankandin e zhvilluar në maj 2022.
Pasi fanella e Jordan theu rekordin, përgjegjësi i Sotheby’s për Streetwear dhe koleksionet moderne, Brahm Wachter deklaroi: “Në javët pas shpalljes së njoftimit të ankandit, ka pasur emocione të dukshme, jo vetëm nga ndjekësit e sportit, por edhe koleksionistët, të etur për të zotëruar një pjesë të rrallë të historisë”.
“Sezoni 1998 është Magnum Opus (vepra e shkëlqyer) e Jordan si atlet dhe dëshmi e tij si kampion dhe konkurrent”, shton Wachter.
Fanellat e Finals të Jordan janë jashtëzakonisht të pakta dhe ato të Finals NBA në vitin 1998 janë ndoshta më të lakmuara nga të gjithë”.
Ankandi i fanellës së Jordan hap seksionin e Sotheby’s i quajtur Invictus, kushtuar sendeve me vlerë të atletëve të mëdhenj, nga Roger Federet te Wayne Gretzky dhe Muhammad Ali.