Kalimi “në sitë”  i koncesioneve, MIE : 27 kontrata për 80 HEC-e do të prishen

06/06/2019 12:23 PM 0 komente

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë doli këtë të enjte me një deklaratë për shtyp duke bërë një bilanc të procesit të verifikimit të zbatimit të kushteve të kontratave konceisonare për burimet hidrike të energjisë. Zëvendësministri Hantin Bonati në daljen e tij u shpreh se tashmë ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe ndau situatën në terren në tre tipologji. Kontrata që janë brenda afateve, ato që janë gjysmë të përfunduara dhe kontrata ku janë shkelur afatet apo janë braktisur punimet.

“Për efekt transparence, gjetjet e këtij procesi po i pasqyrojmë duke i grupuar në tre tipologji të ngjashme situatash, si në vijim:

  1. NË TIPOLOGJINË E PARE  janë përfshirë praktikat, subjektet e të cilave janë ende brenda afateve kontraktuale për të vënë në funksion veprën. Në këtë grupim përfshihen:

–              44 kontrata koncesionare për ndërtimin e 92 HEC-eve;

–              57 kontrata objekt i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015, për ndërtimin e 61 HEC-eve;

Përsa i përket vijimit të trajtimit të këtyre praktikave, nga ana jonë do të procedohet duke i përcjellë çdo subjekti një shkresë ku do t’i përcaktohen:

–              Afatet kohore të mbetura në dispozicion për të respektuar kontratën;

–              Problematikat e evidentuara;

–              Penalitetet për shkeljet e konstatuara;

–              Rekomandime lidhur me masat që do të duhet të ndërmarrin për të përmbushur tërësisht kushtet e kontratës;

–              Penalitetet dhe masat me të cilët do të përballen në rast të mosrespektimit të kushteve në vijim;

  1. NË TIPOLOGJINË E DYTË janë përfshirë praktikat të cilave u ka përfunduar afati kontraktual, subjektet e të cilave, ose:
  2. a) Kanë vënë një, apo disa HEC-e në operim, ndërsa një, apo disa të tjerë jo;

Në këtë nëngrupim përfshihen:

–              20 kontrata koncesionare për ndërtimin e 60 HEC-eve;

–              1 kontratë objekt i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015, për ndërtimin e 3 HEC-eve; ose:

  1. b) Kanë bërë investime të pafinalizuara, në mospërputhje me kontratën

Në këtë nën grupim përfshihen:

–              11 kontrata koncesionare për ndërtimin e 21 HEC-eve;

Problematikat e mësipërme janë shkaktuar si për arsye të:

  1. burokracive administrative, apo rrethanave që nuk varen nga subjekti;
  2. mospërmbushjes/neglizhencës/paligjshmërisë në veprim të subjektit.

Përsa i përket vijimit të trajtimit të këtyre praktikave do të jetë:

  1. a) nëse këto problematika janë shkaktuar nga vonesat burokratike administrative, do të vijohet me një proces negociimi me subjektet me qëllim rishikimin e kontratës brenda kuadrit ligjor, për vendosjen e palëve në legjitimitet sa i takon afateve, apo kushteve të tjera kontraktuale.
  2. b) nëse këto problematika vijnë si pasojë e veprimeve, apo mosveprimeve të subjekteve, do të vijohet me penalitete e deri në fillimin e procedurës për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.

III.           NË TIPOLOGJINË E TRETË përfshihen praktikat të cilat janë konsideruar me shkelje të rënda kontraktuale, të cilat ende nuk kanë filluar punime në terren, ose kanë filluar të ndërtojnë pa leje, ose janë braktisur për një kohë të gjatë.

Në këtë grupim përfshihen:

–              27 kontrata koncesionare për ndërtimin e 80 HEC-eve.

Për të gjithë këto praktika nga ana jonë do të vijohet me procesin e komunikimit me subjektin për ndërprerjen e kontratës në mënyrë të njëanshme duke ju referuar shkeljeve të neneve të saj dhe sipas procedurës ligjore të parashikuar.

Sikurse theksuar në çdo komunikim publik, procedura që do ndiqet nga strukturat teknike dhe ligjore, nga njoftimi i fillimit të procedurës, deri në ndërprerjen e njëanshme të kontratës, do të jetë shumë e kujdesshme për të minimizuar çdo risk financiar që mund t’i shkaktohet buxhetit të shtetit.

Gjithashtu, referuar problematikave të evidentuara gjatë këtij procesi, Ju bëjmë me dije se dhe me mbështetjen dhe asistencën e mundësuara nga Qeveria Zviceriane (SECO), është në vijim procesi i riinxhinierimin e procedurës për këtë veprimtari.

Së fundmi do të përfitonim nga kjo mundësi për t’i bërë një thirrje të gjithë subjekteve që ushtrojnë, apo synojnë të ushtrojnë këtë veprimtari, që të marrin të gjitha masat për respektimin e të gjithë detyrimeve ligjore dhe përmbushjen e të gjithë detyrave që do t’i përcillen gjithsecilit prej tyre në formë zyrtare” tha zv ministri Bonati në deklaratën e tij.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of