Karantina goditi më shumë biznesin e veshjeve dhe gazetave; shitja e kompjuterëve u rrit me 17% në prill

15/09/2020 11:02 PM 0 komente

Gjatë prillit, në të cilin masat bllokuese për shkak të pandemisë u shtrinë në të gjithë muajin, sjellja konsumatore shfaqi ndryshime ekstreme.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se volumet e shitjeve kanë pësuar ulje me ritme dyshifrore, përveçse pajisjeve kompjuterike. Puna në distancë, sidomos për stafet arsimore, administratën publike dhe shërbime të tjera që u kryen nga shtëpia, nxitën një shitje jo të zakontë të pajisjeve kompjuterike, informatike dhe të komunikacionit.

Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin prill, shitjet e pajisjeve kompjuterike u rritën me 17.4% me bazë vjetore, ndërkohë që pësuan rënie të fortë për grupet e tjera.

Tregtia me pakicë ka shënuar rënie me 25.7% të indeksit të volumit në total në prill, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sektori më i goditur në prill shihet të ketë qenë tregtia e veshjeve,  e cila pësoi rënie me 87% në raport me një vit më parë, teksa pothuajse të gjitha dyqanet ishin të mbyllura.

Ulje me 69% u shënuan edhe në volumet e shitjeve të Libra, gazeta, artikuj shkollorë, produkte të argëtimit, pajisje sportive, lodrat, lojërat dhe të tjera produkte industriale në njësi tregtare të specializuara. Në atë kohë, gazetat ndërprenë aktivitetin dhe u përqendruan vetëm në shërbimet online, ndërsa dhe mbyllja e shkollave ndikoi në shitjet e kancelarive.

Me shumicën e makinave që mbetën në parking, në prill, tregtia e karburanteve pësoi rënie me 33,7%.

Edhe shitjet e produkteve farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike, parfume dhe të tjera të higjienës personale ranë me 16% me bazë vjetore në prill.

Për shkak të mbifurnizimeve gjatë marsit në prill, shitja e artikujve ushqimorë ra me 8.7% në prill në dyqanet e vogla të lagjes, ndërsa në supermarkete, tkurrja ishte më e fortë me 11.2%.

Gjatë muajve të pandemisë, konsumatorët reaguan në mënyrë ekstreme në blerjet e tyre, duke u fokusuar vetëm tek mallrat e domosdoshëm. Edhe në prill, indeksi i volumit të tregtisë me pakicë ra me 7.5% me bazë vjetore.

Situata duket se ka ndryshuar në muajin qershor me heqjen e masave kufizuese, ku vihet re rritje e konsumit për të gjitha kategoritë.

Tregtia me pakicë në qershor është rritur në total me 8,1%, duke amortizuar rezultatet e tremujorit të dytë të vitit. Grupet me rritjen më të madhe të konsumit në qershor ishin produktet farmaceutike me 37%, artikujt industrialë në supermarkete me 30.5%,  ushqime dhe pije, duhan në supermarkete me 16.8%, ndërsa shitjet e kompjuterëve pësuan rënie me 26% në raport me një vit më parë. Tregtia me pakicë e karburanteve ra me 1.1% , furnitura shkollore vijoi të jetë më rënie edhe në qershor me -8,5% .

Gjatë muajve të pandemisë, tregtia me pakicë ka goditur më fort tregtinë e veshjeve, artikujve shkollorë dhe tregtinë e karburanteve, ndërsa bizneset e TIK duket se kanë qenë më pak të goditurat.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of