Komisioni Europian ka miratuar një skemë bullgare prej 150 milionë eurosh (rreth 294 milionë BGN) për të mbështetur Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) në kontekstin e krizës së koronavirusit. Skema u miratua nën Kuadrin e Përkohshëm të Ndihmës Shtetërore, të hartuar nga Komisioni më 19 mars 2020, amenduar më 3 prill 2020.
Nënkryetarja ekzekutive, Margrethe Vestager, përgjegjëse për politikën e konkurrencës, tha: “Kjo skemë prej 150 milionë eurosh do t’i lejojë Bullgarisë të mbështesë NVM-të në formën e investimeve të kapitalit neto dhe pothuajse-kapitalit deri në shumën prej 800,000 eurosh për një kompani. Kjo do t’i ndihmojë bizneset të plotësojnë nevojat e tyre të likuiditetit në këto periudha të vështira. Në bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare, ne gjejmë zgjidhje të mundshme për të zbutur efektet ekonomike të përhapjes së koronavirusit, duke respektuar rregullat e BE-së”.
Në përputhje me Kornizën e Përkohshme, Bullgaria njoftoi Komisionin për një skemë të ndihmës shtetërore, me një buxhet prej 150 milionë eurosh (rreth 294 milionë BGN) për të mbështetur kompanitë e prekura nga shpërthimi i koronavirusit.
Skema, e cila do të jetë e hapur për NVM-të aktive në të gjithë sektorët, me përjashtime të caktuara të vendosura nga Bullgaria, synon të rrisë qasjen e kompanive ndaj likuiditetit, sepse NVM-të janë ato që preken më tepër nga ndikimi ekonomik i koronavirusit, duke i ndihmuar kështu të vazhdojnë aktivitetet e tyre, të nisin investimet dhe të ruajnë punësimin.
“Komisioni vendosi se skema bullgare është në përputhje me kushtet e përcaktuara në Kornizën e Përkohshme”, deklaroi Komisioni Europian në një njoftim për shtyp.