Google thotë se njerëzit duhet të përdorin motorin e tij të kërkimit, për të kontrolluar nëse informacioni i dhënë nga chatbot i tij, Bard, është me të vërtetë i saktë.
Disa kanë sugjeruar, që chatbots si Bard dhe ChatGPT, mund të “vrasin” kërkimin tradicional, i cili dominohet nga Google.
Por, përdoruesit kanë gjetur se informacioni, që ata ofrojnë, mund të jetë i gabuar apo edhe tërësisht i sajuar.
Drejtuesja i Google në Mbretërinë e Bashkuar, Debbie Weinstein, tha se Bard “nuk ishte në të vërtetë vendi ku shkoni për të kërkuar informacione specifike”.
Weinstein tha se Bard duhet të konsiderohet si një “eksperiment” më i përshtatshëm për “bashkëpunimin rreth zgjidhjes së problemeve” dhe “krijimin e ideve të reja”.
“Ne po i nxisim njerëzit, që të përdorin Google si motor kërkimi, për të referuar në fakt informacionin që gjetën,” tha ajo.
Zonja Weinstein vuri në dukje se përdoruesit kishin mundësinë të jepnin komente për përgjigjet, që Bard u dha atyre, përmes butonave “thumbs up” ose “thumbs down”.
Faqja kryesore e Bard, gjithashtu thekson qartë se ka “kufizime dhe nuk do t’i bëjë gjithmonë siç duhet”, por nuk përsërit këshillën e zonjës Weinstein, se të gjitha rezultatet duhet të kontrollohen duke përdorur një motor kërkimi tradicional.
Kur ChatGPT shpërtheu në skenë në nëntor 2022, platforma i shtyu njerëzit të pyesin nëse biznesi tepër fitimprurës i kërkimit i Google, mund të jetë nën kërcënim.
Ai gjithashtu nxiti një debat më të gjerë, rreth mënyrës sesi Inteligjenca Artificiale (IA) – e cila fuqizon chatbots – mund të riformojë botën e punës apo edhe të kërcënojë të ardhmen e njerëzimit, duke ndezur një garë globale rregullatore të AI.
Të tjerë thonë se kërcënimi që paraqet IA, është ekzagjeruar dhe debati rreth saj është bërë histerik.
Shumë njerëz, përfshirë kryeministrin Rishi Sunak, kanë theksuar gjithashtu mundësitë ekonomike që ofron IA.
Por, Google thotë se shumë njerëz aktualisht nuk dinë se si t’i ndjekin ato.
Google publikoi një raport, që thotë se interesi i kërkimit për IA, arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në Mbretërinë e Bashkuar, në gjysmën e parë të 2023, me pyetjen më të kërkuar “si të” (how to) ishte “Si të fitoni para me IA”. Pyetja “Si mund të ndihmojë IA një biznes?” gjithashtu u kërkua shumë.
Për të ndihmuar në adresimin e kësaj mungese njohurie, Google po publikon trajnime falas në internet, të quajtur New Fundamentals, për të cilat thotë se mund t’u japë njerëzve dhe bizneseve “aftësi dhe njohuri praktike, për të kapur përfitimet e pabesueshme të IA”.
Në raport, gjiganti i teknologjisë thekson gjithashtu atë, që e quan “një mungesë kritike e aftësive teknologjike në Mbretërinë e Bashkuar”, e cila – nëse nuk adresohet – do të “mbetet pengesë për rritjen e barabartë mbarëkombëtare, veçanërisht si kërkesë për IA dhe njohuri të tjera teknologjike”./ BBC