Nën drejtimin e ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit të Investimeve, ku tema e diskutimit ishte “Mbi Rimbursimin e TVSH-së”.
Të pranishëm në mbledhje ishin përfaqësues nga zyra e Bankës Botërore në Shqipëri, zyra e delegacionit të Komisionit Europian, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, zv.ministri i Financave, Ervin Mete, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, biznesi, etj.
Ministrja Ekonomi theksoi se kjo ishte mbledhja e tetë e radhës dhe siç është bërë zakon, ky këshill diskuton mbi tema që kanë rënë dakord më parë. “Mbledhja e sotme do të fokusohet në një analizë të situatës së rimbursimit të TVSH-së”, informoi ajo.
Gjatë diskutimit, ministrja Ekonomi tha se duhet të inkurajohet biznesi që të aplikojë online për rimbursimin e TVSH dhe se komunikimi me biznesin ka filluar të tregojë se cilat janë problemet më shqetësuese për biznesin. “Ky komunikim duhet të mbahet i gjallë dhe forumet e ngritura tashmë si Këshilli i Investimeve apo KEK, duhet të përdoren pikërisht për këtë. Fakti që me ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore përmirësojmë 37 procedura nga ato që vetë biznesi ka kërkuar, tregon se komunikimi me biznesin ka funksionuar dhe ka dhënë rezultate”, tha ministrja.
Këshilli i Investimeve vijoi mbledhjen me prezantimin e një analize që është bërë mbi situatën e rimbursimit të TVSH, analizë që përveç gjetjeve shoqërohet edhe me disa rekomandime përkatëse, të cilat do t’i propozohen qeverisë për ndryshimin e situatës. Në kuadër të kësaj analize është realizuar edhe një anketim online me 77 biznese, nga të cilat 72% konfirmojnë marrjen e TVSH, ndërsa 54% konfirmojnë lehtësim të procedurave.
Rekomandimet e Këshillit të Investimeve konsistojnë në respektimin e afateve të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi, lehtësimin e barrës procedurale për administratën tatimore dhe bizneset, bërjen transparente të procedurave të brendshme në trajtimin e rasteve të rimbursimit të TVSH, strukturim të informacionit të DPT nëpërmjet një faqe interaktive për biznesin në funksion të edukimit fiskal të tatimpaguesve dhe rritjes së transparencës, reforma antiinformalitet të strukturoret më tej, duke u forcuar përpjekjet për zbatimin e masave, etj.
Diskutimet në mbledhjen e Këshillit u fokusuan në tri çështje kryesore, afatet e parashikuara në kuadrin ligjor, kontrollet e funksionimit të Riskut, informimi i biznesit.
Në përgjithësi, anëtarët e Këshillit shprehën vlerësimin për përmirësime në punën e Administratës Tatimore, sidomos sa i përket çështjes së rimbursimit të TVSH.
Presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi, tha se rimbursimi i TVSH ka qenë një shqetësim gjithmonë për sipërmarrjen dhe qeverinë, por ai theksoi se 37 propozime për lehtësimin e procedurave tatimore janë marrë parasysh nga qeveria, dhe kjo është një gjë pozitive. Z. Bregasi kërkoi që qeveria të shqyrtojë mundësinë e rimbursimit automatik të TVSH për sektorin e fasonit, gjë që do të fillojë të zbatohet së shpejti, pasi vendimi është marrë që në muajin qershor 2016.
Luan Leka, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Investimeve, shprehu vlerësimin e tij për përmirësimin e klimës së biznesit dhe procedurave tatimore, por theksoi nevojën që të shqyrtohen edhe procedurat doganore, duke shprehur mendimin se ato kanë nevojë për ndryshime, në favor të klimës së të bërit biznes në vend.
Shkëlqim Bozgo, Drejtor Ekzekutiv i projektit TAP për Shqipërinë vuri theksin në rëndësinë e rimbursimit në kohë të TVSH.
Zv.ministri i Financave, Ervin Mete, theksoi faktin se rezultati i anketës se 72 për qind e biznesit thotë se është rimbursuar në kohë është pozitiv, ndërkohë që informoi se sistemi i riskut do të funksionojë i plotë në fillim të vitit të ardhshëm, çka do të sjellë më shumë përmirësim në punën e administratës tatimore dhe klimën e biznesit.
Nga ana e tij, Arben Shkodra, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve, theksoi rëndësinë e edukimit fiskal të sipërmarrjes, nëpërmjet programeve apo trajnimeve të ndryshme.
Rëndësinë e kësaj çështjeje e përmendi edhe drejtori i BERZH për Shqipërinë, z. Matteo Colangeli, i cili theksoi se BERZH së shpejti do të nisë të zbatojë një projekt për çështjen e edukimit fiskal.
Përmirësimi i afateve në rimbursimin e TVSH u vu në dukje edhe nga anëtarë të tjerë të Këshillit të Investimeve, përfaqësues të biznesit.
Zoti Yngve Engström, Përfaqësues i Delegacionit të BE në Shqipëri, vuri në dukje se do të ishte mirë që së bashku me ministrin e Çështjeve Vendore të shihet mundësia e një analize mbi praktikat korruptive që hasin bizneset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.