Komisioni Eurpian, në raportin e tij të tremujorit të dytë 2012, për vendet kanidate në BE dhe ato që janë në rrugën e kanididimit, në seksionin e Shqipërisë e vë theksin në një ngadalëism të ekonomisë shqiptare në muajt e parë të vitit 2012. Njëkohësisht, raporti tërheq vëmendjen për publikimin me vonesë të të dhënave mbi llogaritë kombëtare.
Sipas Komisionit, nga vëzhgimet e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregohet një përkeqësim i besimit ekonomik në tremujorin e parë të 2012. Besimi më i ulët u regjistruar në industri, ndërtim dhe gjithashtu tek konsumatorët. Sektori i shërbimeve kishte një përmirësim të besimit, si rrjedhojë e kushteve më të mirë të punësimit dhe ato financiare.
Raporti e vë theksin në përkeqësimin e deficitit të llogarisë korente në tre muajt e parë të 2012-s, që u zgjerua më shumë se 17% me bazë vjetore, kryesisht për shkak të rritjes së deficitit tregtar.
Fluksi i investimeve më se u dyfishua gjatë tre muajve të 2012, por sipas raportit të komisionit Europian kjo u ndikua nga baza e ulët e favorshme, për shkak të stepjes së investimeve në tremujorin e parë të vitit të kaluar, si rrjedhojë e situatës së tensionuar politike, që çoi në atdhesim të kapitalit.
Raporti nxjerr në dukje dhe faktin që yield-i i bonove të thesarit është rritur vazhdimisht që nga janari, si dhe zgjerimi i kredive e depozitave është ngadalësuar, teksa huatë me problem kanë vazhduar të rriten.
Rendimenti i ulët i të ardhurave buxhetore (që u rritën vetëm 2.2% në raport me vitin e kaluar në tremujorin e parë) dhe sidomos ai i TVSH-së, sipas komisionit tregojnë kërkesën e brendshme të dobët. Ndërsa rënia e të ardhurave nga tatim fitimi reflekton kryesisht tkurrjen e fitimeve nga operatori i energjisë. Edhe deficiti buxhetor ishte dy herë më i lartë se plani.
Raportin e plotë të Komisionit Europian për Shqipërinë e gjeni në linkun:
http://ec.europa.eu/economy_finance/db_indicators/cpaceq/documents/cceq_2012_q2_en.pdf
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.