Qeveria shqiptare ka siguruar një kontratë të re me Pfizer për 1.5 milionë doza vaksine, ndërkohë priten edhe vaksina të tjera përmes mbështetjes së Bashkimit Europian, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Pak ditë më parë mbërritën mbi 100 mijë doza të vaksinës Pfizer, ndërsa priten së afërmi edhe 375 mijë doza vaksine përmes mbështetjes së Bashkimit Europian. Siç presim të kemi sasinë e parë të vaksinave Johnson &Johnson nga Covax së shpejti. Qeveria shqiptare ka siguruar gjithashtu një kontratë të re prej 1.5 mln dozash me kompaninë Pfizer dhe do të vijojmë edhe më tej furnizimin me vaksina te tjera”, tha Manastirliu.
Për periudhën e festave ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë situatën për të rishikuar masat, nëse është e nevojshme.
“Jemi para periudhës së festave kur padyshim presim te rriten shkëmbimet, ndërveprimet dhe është një situatë delikate për ecurinë e epidemisë në vend. Ndaj ekspertët tanë po vlerësojnë me shumë vëmendje situatën, për masat që do të nevojiten, të palëkundur nga misioni i punës sonë të përditshme, që është mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve”.
Ministrja tha se do të vijojë rritja e kapaciteteve për përballimin e pandemisë.
“Jemi duke vlerësuar në dinamikë situatën dhe në ndërkohë po vijojmë me investimet në sektor për të siguruar Planin e Dimrit si dhe vazhdimit të rritjes së kapaciteteve qoftë sa i përket testimit dhe gjurmimit me shtimin e aparaturave të reja në ISHP, shërbimit të Urgjencës Kombëtare, ku një flotë e re prej 20 autoambulancash do të bëhet efektive brenda këtij viti duke mundësuar rritjen e përgjigjes ndaj rasteve urgjente si dhe kapacitetet spitalore, ku bëjmë të mundur dhe fillimin e investimit në spitalin infektiv, të një investimi mbi 4 milionë euro për ta fuqizuar e për ta bërë një spital modern dhe qendër ekselence të sëmundjeve infektive. Paralelisht pavionet e përgatitura në spitalet rajonale vijojnë të jenë në gjendje gatishmërie për t’ju përgjigjur çdo skenari të hapjes së tyre për trajtim të plotë të rasteve të pacientëve covid”, tha Manastirliu.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer 2,253,886 vaksinime. Mbi 1 milion qytetarë janë vaksinuar dy doza, ndërsa mbi 124 mijë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës anticovid.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.