Turqia mbështet dialogun Kosovë-Serbi për të arritur marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, për të mirën e të dy vendeve, tha të hënën ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu pas një takimi në Ankara me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Anadollu, Çavusoglu në një konferencë për media ka thënë se gjatë takimit u diskutua për raportet dypalëshe, në veçanti për lidhjet ekonomike mes dy vendeve, të cilat sipas tij, po zhvillohen “por ka ende hapësirë për përmirësim”.
Duke deklaruar se kompanitë turke ofrojnë punë për 10,000 njerëz në Kosovë, Çavusoglu tha se ata synojnë të rrisin këtë numër në të ardhmen.
Çavusoglu ka treguar gjithashtu se ata diskutuan mënyra për të inkurajuar kompanitë për të rritur investimet turke në Kosovë dhe për të forcuar fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ushtarak.
Ndërsa, ministrja në detyrë, Haradinaj-Stublla ka thënë përmes një statusi në rrjetin social, Facebook, se në takim është diskutuar edhe për qasjen e Kosovës në vaksinën anti-COVID19.
Sipas saj, Turqia ka ofruar mbështetje për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.
“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen shumëdimensionale e të pandërprerë të Turqisë , veçanërisht në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Në takimin zyrtar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, z.Mevlüt Çavuşoğlu diskutuam të gjitha aspektet e raporteve tona bilaterale, duke ngritur me prioritet çështjen e qasjes në vaksinën anti-COVID19, ku morëm mbështetjen për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim. Në kuadër të diskutimit për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, kërkova përkrahjen e mëtejme të Turqisë në përmbylljen e njohjes universale të Republikës së Kosovës, si anëtare me të drejta dhe përgjegjësi të plota në shoqërinë ndërkombëtare. U sigurova nga Ministri Çavuşoğlu se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e plotë për Kosovën në këtë aspekt”
Haradinaj-Stublla ka treguar se kanë marrë premtim edhe per rritejn e investimeve në Kosovë.
“Gjithashtu diskutuam për nevojën e rritjes së aktivitetit ekonomik midis dy shteteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar. Ministri Çavuşoğlu u shpreh se në këtë kuadër do të rriten investimet turke në Kosovë si edhe do të mundësohen kushtet për rritjen e eksportit kosovar drejt Turqisë”.
Më 25 dhjetor ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca ka thënë se Turqia do të pranojë dërgesën e saj të parë të vaksinës kineze kundër koronavirusit – Sinovac pasi testet paraprake të brendshme treguan se ishte 91% efektive.
“Ankaraja në ditët e ardhshme do të nënshkruajë gjithashtu një marrëveshje me Pfizer/BioNTech për 4.5 milionë doza, duke e lënë të hapur mundësinë që të blejë 30 milionë më shumë nga gjigandi farmaceutik amerikan dhe partneri i saj gjerman”, ka thënë Koca.
Mediat në Turqi ka raportuar se Çavusoglu ka kërkuar nga Kosova që të vazhdojë bashkëpunimin kundër lëvizjes “Feto”, duke e quajtur atë një rrezik edhe për Kosovën.
Në mars të vitit 2018, me kërkesë të autoriteteve turke, autoritetet kosovare patën arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq. Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Ankaraja dyshon se ata janë anëtarë të organizatës “Hizmet” (Turqia i referohet si FETO), të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grusht-shtet në Turqi në vitin 2016, kurse institucioni “Gulistan” konsiderohet i tij.
Pesë prej shtetasve turq të dëbuar ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif”, që operon në kuadër të “Gulistanit” në Kosovë, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.
Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës në shkurt të vitit 2019 pati identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.