Në Kosovë kanë arritur mbi 503 mijë vaksina anti-COVID të kompanisë Pfizer. Vaksinat kanë ardhur si donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova është furnizuar sot me 503 mijë e 100 doza të vaksinave Anti-COVID.
Ky është donacion nga Ambasada Amerikane përmes COVAX-it.
Kështu është bërë e ditur nga programi i UNICEF-it në Kosovë.
Nga ky program u kanë kërkuar qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19.
“503,100 doza të vaksinave anti COVID-19 arritën në Prishtinë sot, donacion nga Ambasada Amerikane përmes COVAX-it me mbështetje nga UNICEF-i. Vakcinohu BashkëIaDalim”, thuhet në njoftim.
Edhe ministria e Shëndetësisë ka treguar se në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë dorëzuar sot 556 920 doza të vaksinës Pfizer.
“Prej këtij kontigjenti, 503 100 doza janë pjesë e donacionit të SHBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53 820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer. Me arritjen e këtyre vaksinave dhe atyre që MSh i ka në stok, procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19 do të fuqizohet edhe më tej, me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të grup-moshës mbi 16 vjeçe sikurse edhe kategorisë së fëmijëve të moshës prej 12-15 vjeç me indikacione mjekësore, që të vaksinohen, si mënyra më adekuate për t‘u mbrojtur dhe për të frenuar përhapjen e COVID-19.
“Në mënyrë specifike, MSh u bën thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen sikurse edhe nënave gjidhënëse gjithashtu, duke qenë që nuk ka asnjë dëshmi shkencore që vaksinimi kundër COVID-19 shkakton probleme për shtatzënësinë apo të lidhura me fertilitetin”.
Kosova në total ka administruar 922.623 doza të vaksinës anti-COVID. 615.156 persona janë vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 307.467 edhe me dozën e dytë. Duke nisur nga 13 shtatori, vaksinimi do të fillojë edhe të dielave.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë të hënën (6 shtator) se janë regjistruar edhe 28 viktima të reja nga sëmundja COVID-19. Ministria e Shëndetësisë në raportin ditor për situatën epidemiologjisë thotë se janë shënuar edhe 489 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Shifra bazohet në 6.310 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë. Llogaritur në përqindje del se 7.7 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.
Sëmundjen e kanë mundur edhe 859 qytetarë, derisa raste aktive janë 25.290.
Më herët, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se tetëdhjetë e tre pacientë me koronavirus, të shtrirë në spitalet e Kosovës, janë në gjendje të rëndë. Një ditë më herët, numri i pacientëve në gjendje të rëndë ishte 87.
Në total, në spitalet e Kosovës janë 1,115 pacientë pozitivë me koronavirus.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, 1,038 prej tyre janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.
Numrin më të madh të pacientëve me koronavirus e ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës: 431.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.