Kosova nuk vepron si Shqipëria, ende pa vendim për shtyrje të kredive

27/06/2020 8:16 PM 0 komente

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ende nuk ka vendosur se a do të  ketë shtyrje të re të pagesave të kësteve të kredive. Ndryshe nga Kosova disa vende të tjera kanë mundësuar që të shtyhen sërish pagesat e kësteve të kredisë. Në Shqipëri iu është dhënë mundësia që pagesat e kësteve të kredive të mund të shtyhen edhe me tre muaj të tjerë.

 

Qytetarët e Kosovës ende nuk kanë të qartë se a do t’iu shtyhet edhe për një kohë kësti i kredisë apo t’i paguajnë ato që tani.

Vendimi që ishte marrë nga Banka Qendrore e Kosovës, për tu shtyre kreditë për tre muaj ka përfunduar me 15 qershor të këtij viti.

E tashmë kur kanë kaluar rreth dy javë nga skadimi i këtij vendimi, Banka Qendrore e Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim të ri.

Dilema se a do të ketë shtyrje tjera apo jo vazhdon t’i mbajë peng qytetarët e Kosovës.

Në BQK kanë treguar se janë duke i monitoruar me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar, dhe se varësisht nga situate do të marrin vendim nëse do të ketë sërish shtyrje të afatit për pagesën e kësteve apo jo.

“Nga momenti kur janë liruar masat kufizueses dhe kanë filluar punën shumica e veprimtaritë ekonomike, dhe me vazhdimin e largimit të masave kufizuese, konsiderojmë se përfundon edhe masa emergjente e vendosur gjatë muajve të kaluar. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar, në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së”, kanë thënë në BQK për Monitor.al.

Në BQK kanë treguar se deri në fund të prillit, janë pranuar mbi 66 mijë kërkesa për shtyrje të kredive, vlera e tërësishme e të cilave është 1.6 miliard euro.

“Deri më 30 prill 2020, shuma e tërësishme e kredive për të cilat është kërkuar shtyrje të kësteve të tyre është 1.6 miliardë euro, apo 51.7 përqind e gjithsej portofolit kreditor. Janë gjithsej 66,818 kërkesa për shtyrje të kredive, apo 14.4 përqind e gjithsej numrit të kredive”.

Në Bankën Qendrore kanë thënë se është e rëndësishme të theksohet fakti se sektori bankar iu është përgjigjur pozitivisht kërkesave të bizneseve dhe personave fizik për shtyrje të pagesës së kësteve të kredive, ku sipas tyre për biznese janë aprovuar 99 përqind e kërkesave për shtyrje dhe për persona fizik 86 për qind.

Banka Qendrore kishte kërkuar nga bankat që të mos aplikojnë interes ndëshkues e ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve gjatë periudhës së pandemisë, derisa kishte bërë me dije se nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra.

Ndryshe nga Kosova disa vende të tjera kanë mundësuar që të shtyhen sërish pagesat e kësteve të kredisë.

Në Shqipëri iu është dhënë mundësia që pagesat e kësteve të kredive të mund të shtyhen edhe me tre muaj të tjerë, duke bërë një shtyrje në total prej 6 muajsh.

“Pezullimit të përkohshëm të zbatimit të detyrimit që rrjedh nga kërkesat për administrimin e rrezikut të kredisë, për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive për të gjitha kategoritë e klientëve, edhe për një periudhë tjetër, nga data 1 qershor deri në 31 gusht 2020, për arsye të vështirësive financiare dhe rënies së aftësisë paguese të huamarrësve, ndikuar nga situata e krijuar”, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.

Situata e krijuar me pandeminë COVID-19 bëri që edhe në Kosovë të shtyheshin pagesat e kësteve të kredive bankare.

Kjo masë u mor për tre muaj dhe jo për të gjitha kreditë me automatizëm, por për individët apo bizneset që kishin vështirësi për t’i paguar.

Ndryshe në Kosovë, bizneset dhe qytetarët janë ndihmuar nga qeveria me pakon emergjente ku kjo pako ka përmbajtur mbi 170 milionë euro ndihmë financiare./Fatos Shala për Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of