Keni vendosur të merrni një makinë të re, por kursimet që keni nuk janë të mjaftueshme.
Kredia ju duket si zgjidhja e mundshme për të përmbushur nevojën tuaj. Po çfarë ofrojnë bankat? “Monitor” ju vjen në ndihmë me anë të një vëzhgimi që ka bërë në disa nga bankat e nivelit të dytë që janë:
Raiffeisen, BKT, Union Bank, Credins dhe NBG
Profili
Punonjësve të kredisë iu prezantua një femër rreth të 30-ave me status civil, e martuar dhe me një fëmijë. Iu thamë se kredia do të merret në emër të dy bashkëshortëve,
që janë të punësuar në sektorin privat, kanë të ardhura mujore në total 120,000 lekë dhe sigurohen në bazë të pagës reale.
Bankave iu tha se interesoheshim për marrjen e një huaje që do të na shërbejë për blerjen e një makine të re. Nuk iu thamë as markë dhe model, duke qenë se këtë zgjidhje do ta bënim pasi të njiheshim me mundësitë e kreditimit nga bankat.
Megjithatë përcaktuam një shumë të përafërt me 8,000 euro ose rreth 1 milion lekë. Arsyeja pse zgjodhëm këtë shumë, kishte të bënte me faktin se bankat, përtej këtij niveli nuk japin kredi pa kolateral.
Nga ana tjetër ne u thamë se kishim mënjanë si kursime edhe një shumë të përafërt me 2,000 euro. Kërkuam që afati i shlyerjes të llogaritej nga 5-7 vjet.
Zgjodhëm dy rrugë për t’u njohur me mënyrën se si operojnë bankat dhe ofertat që kanë, me kontakt personal dhe me telefon. Secilës prej bankave iu tha se paga merrej në një bankë të ndryshme nga jo ku synonim të aplikonim.
Me telefon…
Zgjodhëm këtë mënyrë, pasi dëshironim të kuptonim se sa informacion do të merrnim nga punonjësi bankar, edhe pse ai nuk e shikonte vizualisht klientin.
NBG: Telefonuam në një nga degët e kësaj banke dhe paraqitëm kërkesën tonë, por punonjësi i bankës na kërkoi me mirësjellje që të telefononim pas dhjetë minutave,
pasi ishte duke u marrë me diçka tjetër dhe se do na asistonte menjëherë pas asaj kohe.
Pritëm pak më shumë nga koha e kërkuar dhe telefonuam. Paraqitëm edhe një herë kërkesën tonë, duke i thënë se ishim të interesuar që të merrnim një kredi për blerjen e një makine të re,
por që nuk kishim vendosur as se çfarë modeli do të blinim dhe as se ku, në shumën 8,000 euro ose 1 milion lekë. Normat e interesit na u llogaritën në 9.09% dhe 15.5% përkatësisht,
ndërsa afti i shlyerjes 4 vjet për shumën në euro dhe 5 vjet për atë në lekë. Këstet mujore u llogaritën në 200 euro dhe në rreth 24,000 lekë. Punonjësi tha se banka mbulon deri në 70% të vlerës së makinës.
Marrja e kësaj kredie do të shoqërohej edhe me disa shpenzime, ku 2% llogaritej komisioni në rastin e disbursimit të kredisë. Banka përcaktonte si detyrim kryerjen e sigurimit
Kasko për një periudhë njëvjeçare dhe që duhet të rinovohej çdo vit të periudhës së aplikuar për huanë. Nga punonjësi u kërkua që të tregonim emrin e subjektit ku ishim të punësuar.
I shpjeguam se kjo ishte diçka që mund të mos tregohej, por më pas i dhamë një informacion. Ai na sugjeroi se në rast se kishim diçka të paqartë apo nëse do të donim më shumë informacion, të vizitonim degën ku ai ndodhej.
Union Bank: Telefonuam në një nga degët e kësaj banke dhe kërkuam që dikush të na ndihmonte me informacione mbi marrjen e një kredie për blerjen e një makine.
Zëri pas receptorit u tregua shumë i gatshëm për të na ndihmuar, duke thënë se ishte një oficer kredie. I kërkuam informacion për kredi për blerjen e një makine të re.
Ai na shpjegoi se shuma që banka mund të ofronte, vlerësohej edhe në varësi të tipit të makinës që do të blihej.
I thamë se nuk dëshirojmë të marrim një kredi të lartë dhe se ajo mund të llogaritej në rreth 8,000 euro, ose edhe 1 milion lekë (si një kredi konsumatore).
Punonjësi na sqaroi se banka mbulon 75% të vlerës së makinës që do të blihet dhe se ishte e nevojshme që të kishim edhe një garantues.
Vendosëm që afati i shlyerjes do të ishte 5 vjet dhe këstet mujore na u llogaritën nga punonjësi në 165 euro për normën e interesit (euribor + 5.5%).
Në rastin tonë, banka e bëri llogaritjen e këstit duke zgjedhur spread-in më të ulët, pasi intervali tjetër i aplikuar është (euribor – 7.5%), ndërsa për shumën 1 milion lekë,
kësti u llogarit në rreth 22,000 lekë me normë interesi (BTH 12 m + 3%). Banka na sqaroi se me disbursimin e kredisë do të duhet të paguanim 0.5% të shumës së kredisë.
Natyrisht që pas kërkesës sonë na njohu edhe me dokumentacionin që duhet të plotësonim. Ky ishte rasti i parë kur banka na kërkoi që të identifikoheshim (emër, mbiemër dhe një numër celulari).
Punonjësi e përfundoi dhënien e informacionit me fjalën: Faleminderit që na zgjodhët!
Credins Bank: Për t’u njohur me ofertën e kësaj banke zgjodhëm që informacionin ta merrnim në telefon. Punonjësja e bankës na sqaroi se kredia mund të merrej në dy monedha, euro dhe lekë.
Por, kushti ishte që duhet të linim si garanci një kolateral që mbulonte në masën 200% kredinë e marrë. Shumat që ne propozuam ishin 8,000 euro dhe 1 milion lekë. Punonjësja nuk na bëri të ditur normën e interesit që aplikohej për të dyja rastet,
por na njohu me shumën në total të interesit që do të ishim të detyruar t’i kthenim bankës. Për vlerën 8,000 euro, kësti mujor na u llogarit në 172 euro dhe se bankës do t’i duhej t’i kthenim për 5 vjet norma interesi në shumën 2,300 euro.
Për vlerën 1 milion lekë, kësti mujor u llogarit në 25,000 lekë dhe se norma e interesit në total që duhet të kthenim, llogaritej në rreth 490,000 lekë. Sipas saj, banka zgjidhte që ta jepte kredinë kryesisht në atë monedhë që kërkuesi i huasë kishte të ardhurat,
e në rastin tonë, në lekë. Punonjësja tha se banka vendoste si kusht për marrjen e kësaj kredie sigurimin e jetës te një kompani, emrin e së cilës na i saktësoi. Gjithashtu na sugjeroi se mund të ndiqnin edhe formën e blerjes me “leasing”.
Në bankë…
Raiffeisen Bank: Në këtë bankë shkuam personalisht. Pritëm pak çaste deri sa na erdhi radha. Punonjësit i shpjeguam se ishim të interesuar për marrjen e një kredie për blerjen e një makine të re.
Ai na tha se kjo mund të përfshihej në atë që banka e cilëson si kredi konsumatore e se jepej deri në shumën 1 milion lekë për afate shlyerjeje nga 5-7 vjet. Për secilën periudhë, norma e interesit llogaritej në rreth 20%.
Për afatin e shlyerjes 5 vjet, kësti mujor u llogarit në rreth 27,000 lekë, ndërsa për periudhën 7 vjet, në rreth 23,000 lekë. Punonjësi na shpjegoi se shpenzimet për marrjen e kësaj kredie llogariteshin në afërsisht 4% të totalit
dhe nëse dëshironim, mund ta shtonim këtë përqindje në kredinë tonë, me qëllim që të merrnim një shumë fikse (pra 1 milion lekë). Banka kërkonte si të detyrueshme përfshirjen e një personi garant,
por nuk e cilësonte si të nevojshme kontratën me koncensionarin ku do të blinim makinën. Punonjësi na dha në formë të printuar dokumentacionin e nevojshëm, por jo detajet për kredinë,
të cilat ai i mbajti shënim në një format të veçantë. Ai gjithashtu na sugjeroi se mund të ndiqnim si formë edhe blerjen e makinës me “leasing”,
por sipas tij kjo nënkuptonte norma më të larta interesi dhe më shumë shpenzime. Por, në çdo rast, vendimi do t’i përkiste klientit (pra neve). Punonjësi gjithashtu mbajti shënim emrin, mbiemrin dhe numrin e kontaktit.
BKT: Me paraqitjen e kërkesës sonë, banka që në fillim na bëri të ditur se jep kredi vetëm në lekë. Ne i thamë se ishim të interesuar për shumën 7,000 euro – 10,000 euro,
por punonjësja na bëri të ditur se ajo mund të konvertohej në 980,000 lekë. Por shuma që mund të ofronte banka do të ndryshonte në varësi të kontratës që do të bënim me koncesionarin.
Për një makinë që ishte prodhuar një vit përpara momentit kur aplikohej për kredi, banka mbulonte 70% të vlerës, ndërsa për një makinë me vit prodhimi më të largët deri në 60%.
Punonjësja tha se do të ishte i detyrueshëm bllokimi i makinës si kolateral dhe siguracioni për një vit. Kredia jepej për një periudhë shlyerje maksimale 4 vjet, norma e interesit u llogarit në rreth 12.5%,
ndërsa kësti mujor në rreth 26,000 lekë. Banka na njohu edhe me dokumentacionin e nevojshëm.
Përfundimi
Në fund të vëzhgimit tonë mund të themi se në përgjithësi, sjellja e punonjësve të bankave rezultoi pozitive, si në rastin kur informacioni u mor me takime të drejtpërdrejta, ashtu edhe në telefon.
Vumë re se ata priren të japin informacione, por dhe këshilla. Pyesin gjithmonë për bankën në të cilën merret paga. Dokumentacioni i kërkuar ishte pothuajse i njëjtë, natyrisht me disa përjashtime.
Kur bëhet fjalë për blerjen e një makine të re, pjesa më e madhe e bankave nuk jua japin shumën, ajo i kalon koncesionarit ku ju keni zgjedhur të blini makinën.
Punonjësit meshkuj, me të cilët kontaktuam, u treguan më të sjellshëm dhe më të hapur se punonjëset femra.
Në këtë rast ne po ia lëmë në dorë lexuesit të zgjedhë se cila është banka fituese.
Kujdes!
Duhet t’ju kujtojmë se në këtë vëzhgim llogaritjet janë dhënë nga punonjësit në mënyrë të përafërt. Ato saktësohen kur ju vendosni që të nisni procesin e aplikimit.
Ju kujtojmë se gjatë marrjes së informacionit fillestar duhet të mbani shënime. Punonjësit nuk tregohen të kujdesshëm për sa i përket këtij aspekti që ka të bëjë me ju.
Ata kryesisht ndjekin procedurën e tyre dhe e harrojnë këtë detaj. Kjo ju shërben që edhe të krahasoni informacionin e marrë nga banka të ndryshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.