Kredia afatgjatë në rritje me 11%, e nxitur nga blerja e pronave

26/10/2020 10:00 AM 0 komente

Sistemi bankar po e orienton huadhënien drejt afateve më të gjata të maturimit.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se portofoli i kredisë afatgjatë, më shumë se pesë vjet, në fund të muajit gusht arriti vlerën e 340 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 11%.

Edhe kredia afatmesme, me maturim një deri në pesë vjet, po shfaq gjithashtu një tendencë pozitive, me rrtije vjetore pranë nivelit të 7%. Përkundrazi, kredia afatshkurtër, me afat maturimi deri në një vit, është në rënie me më shumë se 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tashmë, kredia afatgjatë përbën 58% të portofolit total të kredisë për ekonominë.

Rritja e kredisë afatgjatë tregon se bankat janë shfaqur më të gatshme për të marrë përsipër rrezik në afate të gjata, ku edhe horizonti i parashikimit është më i vështirë. Por, ndryshimi i strukturës së kredisë sipas afatit lidhet shumë edhe me qëllimin e përdorimit të kredisë.

Rritja e kreditimit afatgjatë dëshmon kryesisht se bizneset dhe individët po marrin më shumë kredi për qëllime investime, kryesisht në pasuri të paluajtshme. Ndërkohë, rënia e vlerës së kredisë afatshkurtër lidhet me uljen e financimeve për nevoja afatshkurtra, në formën e ovedrafteve apo kredive për kapital qarkullues.

Në fund të gushtit, kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme te individët ishte në rritje me 8%, ndërsa te bizneset rritja e këtij portofoli ishte edhe më e madhe, me mbi 14%. Aktualisht, kredia për blerjen e pronave nga familjet dhe ndërmarrjet përbën rreth 39% të portofolit të kredisë për ekonominë.

Rritja e interesit për të investuar në prona në vitet e fundit është nxitur edhe nga normat e ulëta të interesit, që e kanë bërë më të lirë kredinë dhe koston e investimit për të blerë një pasuri të paluajtshme.

Nga ana tjetër, edhe oferta në këtë segment të tregut ka qenë e lartë. Për bankat, kredia për blerjen e pronave mundëson një rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë dhe shpërndarje më të mirë të rrezikut, sidomos tek kredia për individët. Kredia për blerje banese nga individët ka aktualisht raportin më të ulët të kredive me probleme, pranë nivelit të 5%. /E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of