Kriza e mineraleve

24/04/2016 8:01 AM 0 komente

Një pritje e lodhshme po bëhet ajo e sipërmarrësve në miniera. Shumë prej minierave mirëmbahen, ndërsa çmimi vijon të mbetet i ulët. Por, ndërkohë, paketa mbështetëse e premtuar nga Ministria e Energjisë nuk ka mbërritur

 

Për minierat e Martaneshit, asgjë nuk ka ndryshuar prej katër muajsh. Vitin e filluan me punë të përgjysmuar, ose vetëm duke mirëmbajtur minierat të mos dëmtohen, por edhe sot, pas katër muajsh, minierat janë nën agoninë e çmimeve të ulëta në tregjet e huaja, pa ndonjë “amortizim” nga politikat e brendshme. Në fillim të vitit, prodhuesit e kromit i kërkuan Ministrisë së Energjisë të punonte për ta bërë më të lehtë kalvarin e eksportit të këtyre mallrave, me kërkesa konkrete, si mënyra e llogaritjes së rentës, apo heqja e nivelit të lagështisë nga përllogaritjet.

Rakip Koka, një prej sipërmarrësve më të mëdhenj të kësaj zone, thotë se sipërmarrësit presin “paketën e shpëtimit”, ndërsa kanë paralizuar aktivitetin e tyre për të mbajtur gjallë biznesin. Dy ndryshime pozitive kanë ndodhur në sektorin e mineraleve të ngurta, por duket se nuk u ka dhënë mundësi sipërmarrjeve të nisin rritjen e eksporteve. Koka thotë se renta llogaritet për vlerën e mallit pa TVSH, ndërsa janë ulur lehtësisht disa kosto transporti. Këto, sipas tij, kanë dhënë një efekt pozitiv rreth 7% në rritjen e të ardhurave të eksportuesve. Por, sipërmarrësit në sektorin e minierave, nuk kanë thirrur në punë asnjë nga punëtorët e dërguar në shtëpi pak muaj më parë. 15 miniera vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa të tjerat po zhvillojnë aktivitetin pjesërisht.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në dy muajt e parë të këtij viti, eksportet në vlerë ranë 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e eksporteve ishte kështu më e ulëta e këtyre katër viteve të fundit.

monitor 726.indd

Industria minerare po shkon në agoni, ndërsa Ministria e Energjisë është duke përgatitur një paketë ndihme, për të hequr disa barriera edhe pse shumë prej tyre nuk duhej të ishin në bazë të rregullave të tregtisë. Përfaqësuesit e ministrisë kanë folur pak kohë më parë, për planet e paketës që niste nga ulja e rentës deri te çregjistrimi nga fondi pyjor i tokave ku do të shtrihen minierat. Por, me kalimin e kohës, shqetësimi se kur do të mund të implementohet kjo paketë bëhet më i madh. Ministria pret të ketë gati paketën në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Kjo nënkupton se sipërmarrësit do të fillojnë t’i ndiejnë efektet e saj në gjysmën e dytë të vitit. Deri atëherë, minierat do të kenë mbi vete kostot e mirëmbajtjeve, nëse do të mund ta përballojnë këtë. Kujtojmë se pjesa më e madhe e minierave të Martaneshit janë të vogla.

 

Gjendja aktuale në Martanesh

Në zonën e Martaneshit, numërohen rreth 150 miniera që nxjerrin e tregtojnë krom. Për shkak të uljes së çmimeve dhe barrës së rëndë të taksave, mbi 10% e tyre vlerësohet të kenë mbyllur aktivitetin që gjatë dimrit. Kushtet e vështira të motit iu bashkuan çmimit të ulët, për të bindur përfundimisht tregtarët e përfaqësuesit e industrisë nxjerrëse të tkurren në petkun e tyre. Por, ulja e çmimeve mbi 50% nxori më në pah problemet me taksat. Sipërmarrësit kërkuan në fillim të vitit të rishikohet përllogaritja e rentës minerare. Aktualisht, ajo llogaritet mbi një çmim reference ku nuk hiqet niveli i lagështisë, i cili në dimër arrin në 10% të sasisë që tregtohet. Për të gjitha këto arsye, sipas tregtarëve, renta kalon nga 6% e çmimit në 9%.

Renta minerale e kromit si referencë e çmimeve sot është 6% e shumës totale të faturës me shumicë. Ky nivel rente nuk është në bazë të çmimit në tregjet ndërkombëtare, por të një çmimi referencë të cilin ministria është angazhuar ta rishikojë më shpesh.

Sipas tregtarëve, çmimi i kromit bazë 40% është këto ditë 15 mijë lekë për ton. Por tregtarët vërejnë se për efekt të rentës, kromi u llogaritet në doganë në bazë të çmimit referencë të vitit 2012 të vendosur nga komisioni Ad Hoc. Çmimi bazë i kromit atëherë ishte 20.5 mijë lekë për ton.

Për shkak të kësaj përllogaritje dhe përfshirjes së lagështisë, tregtarët thonë se renta arrin (de facto) sa 9% e vlerës totale të mallit të eksportuar, ndërsa ligjërisht, niveli i rentës është 6%.

 

Çfarë parashikon paketa e ministrisë

Lehtësitë e para janë te përmirësimi i llogaritjes së rentës minerare. Grupi i punës pranë Ministrisë së Energjisë ka parashikuar të përjashtojë nga renta, pjesën e çmimit që lidhet me koston e transportit. Pra rentën ta llogarisë mbi çmimin në dalje të fabrikës, apo minierës, e jo në mbërritjen në port. Që në fillim të nismës, zëvendësministri i Energjisë, Gëzim Musabelli, pranoi se llogaritja e rentës minerare është shqetësimi kryesor i industrisë nxjerrëse. Për një përllogaritje më të saktë, sipas tij, parashikohet të përjashtohet lagështia e cila në dimër arrin deri në 10% të sasisë së materialit. Kjo do t’u vlente tregtarëve dimrin e ardhshëm. Pjesë e paketës pritet të jetë edhe ulja e mirëfilltë e rentës. “Përqindja e taksës kombëtare parashikohet të ndryshojë, pasi kemi parë edhe rentën në vendet e rajonit”, thotë Musabelli. Për metale të ndryshme, renta pritet të zbresë deri në 2% nga 6% aktualisht për bakrin e kromin, 5% për hekurin. Në plan është edhe lehtësimi i disa burokracive që minierat hapsin kryesisht me drejtuesit e pushtetit lokal. Nuk mungojnë rastet kur edhe një leje minerare e dhënë i është revokuar subjektit pasi nuk ka arritur të sigurojë të drejtën e shfrytëzimit të hapësirës nga pushteti lokal. Ndër nismat kryesore të paketës është parashikuar të shmangen burokracitë me pushtetin lokal, apo edhe Ministrinë e Kulturës.

Përmes një VKM-je mund të bëhet lehtësimi i garancisë për rehabilitimin e zonave. Një nga problemet kryesore është ai i shpyllëzimit të fondit pyjor. Pas marrjes së licencës, heqja nga fondi pyjor merr shumë kohë, ka raste edhe me vite. Në këtë drejtim duket se Ministria e Energjisë e ka marrë përsipër të lehtësojë mundësinë e shfrytëzimit, si përmes komunikimit me Ministrinë e Mjedisit, e përfaqësues të pushtetit lokal. Nisma synon që të gjitha këto të zgjidhen në fazën e marrjes së lejes, dhe me t’u pajisur me të subjekti të mund të fillojë aktivitetin.

 

Efekti në buxhet deri 4 milionë euro

Një studim i bërë nga grupi i punës parashikon se lehtësitë tarifore për sipërmarrjet minerare do të kenë kosto 3-4 milionë euro në buxhetin e këtij viti. Por sa më vonë të hyjë në fuqi kjo paketë, aq më i ulët do të jetë efekti në buxhet. Ekspertët e grupit të punës mendojnë gjithsesi, se edhe kjo vlerë nuk është e lartë, nëse merren parasysh efektet negative që do të sillte dëmtimi i industrisë. Ata i druhen një dëmi edhe më të madh që mund të shkaktojë mbyllja e minierave. “Në rast se ato nuk do të punojnë, kjo do të shoqërohej me efekte domethënëse negative si sociale (me të punësuarit në zonë) edhe teknike. Ministria pranon se ka raste të minierave që aktualisht vetëm po mirëmbahen, pasi kanë pezulluar aktivitetin.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of