Grupe të qytetarëve që kanë qenë në vendet e huaja po kthehen në Kosovë dhe ata po trajtohen në mënyrë rigoroze nga organet e shtetit të Kosovës. Ata prej hyrjes nëpër pikat kufitare apo aeroportit e deri në vendosjen në karantinë janë nën mbikëqyrjen e autoriteteve të sigurisë dhe ekipeve mjekësore.
Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se ditën e sotme është planifikuar që të kthehen 180 qytetarë në Aeroportin e Prishtinës përmes një fluturimi nga Dyseldorfi.
E të gjithë të ardhurit sot sikurse edhe ata që u kthyen dje, do të vendosen në Qendrën e Studentëve, e cila është kthyer në karantinë nga Qeveria e Kosovës.
Aty do të qëndrojnë për 14 ditë që të gjithë dhe njëjtë do të veprohet edhe për të ardhurit e tjerë.
Gjatw ditws sw djeshme ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se herët në mëngjes i kanë kthyer në atdhe 39 qytetarë të Kosovës, të cilët ishin të ngujuar në vende të jashtme.
Abdixhiku ka theksuar se kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu – do të vazhdojë.
“Këtë punë do ta bëjmë dhe zhvillimet tjera s’janë brenga e jona tani. E falënderoj Ministrin Quni dhe Ushtrinë e Kosovës që menjëherë dhe me profesionalizëm po na ndihmojnë. Qytetarët e ngujuar jashtë, që në urgjencë duan të kthehen në Kosovë, duhet të vazhdojnë të kontaktojnë ambasadat tona. Secili i kthyer do të vendoset në Konvikte për 14 ditë”.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim që Qendra e Studentëve të bëhet karantinë.
Në vendim thuhet se Qendra e Studentëve në Prishtinë caktohet si hapësirë karantine.
Vendimi ka këto pika: Qendra e Studentëve në Prishtinë caktohet si hapësirë karantinë
Personat për të cilët vërtetohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë me sëmundjen nga Coronavirus futen në karantinë.
Qendra e studentëve kalon në menaxhim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë deri në pushimin e gjendjes emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës me vendimin nr.01/1L të datës 15/03/2020.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.