Kursimet dhe investimet në rang kombëtar shënuan rënie në 3-mujorin e tretë 2019

12/02/2020 12:00 PM 0 komente

Raporti i kursimeve dhe investimeve në rang kombëtar pësoi ulje në tremujorin e tretë të vitit 2019 sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë për sektorin publik dhe atë privat veçmas.

Hendeku kursime-investime i sektorit privat u vlerësua në -4.7% të PBB-së nominale (vlera negative e hendekut nënkupton investime më të larta se kursimet) për tremujorin e tretë të vitit 2019. Ky raport është 0.3 pikë përqindje më i ulët krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Raporti i investimeve private ndaj PBB-së nominale vlerësohet në nivelin 17.9%, ndërkohë që një vit më parë vlerësohej në 19.0%. Rënia e investimeve private në tremujorin e tretë në të vitit 2019 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë erdhi si pasojë e përfundimit të investimeve të mëdha në gazsjellësin TAP dhe HEC-et në lumin Devoll.

Nga ana tjetër, kursimet private ndaj PBB-së nominale vlerësohen në nivelin 13.3%, 0.8 pikë përqindje më të ulëta se një vit më parë. Në tërësi, dinamika e investimeve ka dhënë kontributin kryesor në ngushtimin e hendekut negativ në sektorin privat, ndërkohë që kursimet kanë ndikuar në kahun e kundërt.

Në rastin e sektorit publik, hendeku është i mbyllur (0% ndaj PBB-së), ndërkohë që një vit më parë shënonte tepricë pozitive në 0.4% ndaj PBB-së.

Kursimet publike vlerësohen në nivelin 4.1% ndaj PBB-së nominale me një pakësim vjetor prej 0.5 pikësh përqindjeje.

Po ashtu, investimet publike u vlerësuan në 4.1% ndaj PBB-së nominale, me një pakësim prej 0.1 pikësh përqindjeje vit mbi vit si pasojë e rënies së shpenzimeve kapitale nga buxheti i shtetit në raport me një vit më parë. Në këtë mënyrë, pakësimi i kursimeve publike ka nxitur edhe zvogëlimin e tepricës pozitive të sektorit publik.

Raporti i investimeve kombëtare ndaj PBB-së është ngushtuar me 1.2 pikë përqindje në terma vjetorë. Nga ana tjetër, raporti i kursimeve kombëtare ndaj PBB-së nominale është pakësuar me 1.3 pikë përqindje. Zvogëlimi i raportit të kursimeve kombëtare ka qenë kështu përcaktues kryesor në zgjerimin e deficitit korrent në terma vjetorë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of