Kurti: Do të largojmë të gjitha barrierat tregtare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

03/03/2020 12:28 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME: ,

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do ta vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, ku sipas tij kjo është vlerë barazie e jo masë kundërvënie. Shefi i ekzekutivit në punëtorinë të cilën e ka organizuar Oda e Afarizmit të Kosovës, ka thënë se duhet të largohen të gjitha barrierat tregtare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë edhe sot se reciprociteti me Serbinë do të ndodhë. Me këtë veprim, sipas tij Kosova do të sillet si shtet i pavarur, ashtu siç e ka shpallur pavarësinë.

“Kosova ka bilanc negativ tregtar me të gjitha vendet e CEFTA-së. Reciprocitet do të ndodhë – jo sepse kemi vendosur të sillemi ndryshe, por se kemi vendosur të sillemi si shtet i pavarur, siç jemi shpallur ashtu siç jemi. Reciprociteti është vlerë barazie para se të jetë masë kundërvënie. Duhet ta ndihmojmë biznesin vendas që të rritet punësimi, prodhimi, zhvillimi dhe paga mesatare në sektorin privat”, tha Kurti.

Sipas tij, barrierat tregtare me Shqipërinë po dëmtojnë prodhuesit dhe eksportuesit.

“Barrierat me Shqipërinë tejkalojnë dialektet tona në dialekt dhe dëmtojnë prodhuesit dhe eksportuesit. Për të kaluar në tokën shqiptare eksportuesit duhet të paguajnë taksën e skanimit prej 22 euro edhe kur nuk funksionin skaneri. Nuk janë në pyetje çështjet funksionale por llogaritë për gjobitje të dikujt. Akciza për prodhuesit e verës janë disa prej të cilave ne do t’i adresojmë. Ka anomali të shumta. Qytetarët e Shqipërisë duhet të kenë leje qëndrimi që të marrin punë. Me Maqedoninë e Veriut kemi pengesa që duhet hequr”, ka shtuar ai.

Në këtë punëtori, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, tha se kjo ngjarje është një mundësi e mirë për rrjetëzim dhe bashkëpunim rajonal.

“Nevoja e kompanive për rritje dhe bashkëpunim duke filluar nga vendet e rajonit, e për të vazhduar edhe më gjerë, është ajo që ka frymëzuar aktivitetet e tilla rajonale. Në kohën kur çdo gjë po evoluon shumë shpejt, është e domosdoshme krijimi dhe ruajtja e raporteve me njëri tjetrin”, tha Krasniqi.

Kjo punëtori po organizohet nga Oda e Afarizmit të Kosovës në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri–Perëndimore dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar edhe pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq se Sierra Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Përmes një statusi në “Facebook”, ai ka bërë thirrje që Serbia ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive.

“Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, shkruan ai.

Kurti ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë me kujdes situatën e krijuar, duke vepruar konform interesave të Republikës dhe qytetarëve të saj.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of