Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Pikë e rendit të ditës është Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Sot do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në rend dite do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.
Seanca e jashtëzakonshme do të mbahet në ora 11:00.
Para mbajtjes së seancës së jashtme mbledhje do të mbajë Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, që në rend dite do ta ketë votimin e raportit me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.
Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.
Lidhur me këtë, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës me anë të një njoftimi për media pati sqaruar se kur qytetarët mund të aplikojnë për t’i tërhequr kursimet e tyre nga ky institucion.
“Parlamenti duhet të kalojë ligjin edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë ligji duhet të dekretohet nga Presidenti. Në momentin që dekretohet ligji nga Presidenti, detajet për aplikim do të bëhen të ditura në mjete të informimit”, thuhej në njoftimin e Trustit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në fillim të javës, ka bërë të ditur se kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për ditën e premte për të kaluar në lexim të dytë këtë Projektligj.
“Në emër të deputeteve nënshkrues, dorëzova kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, për të kaluar në lexim të dytë, Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Seanca do të mbahet ditën e premte në ora 11:00”.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme në seancë, Ligji dërgohet tek ushtruesja e detyrës së presidentes për shpallje. Ndërkaq, ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.