Skulpturat, instalacionet janë pjesë e pandashme e artit pamor.
Në Panairin TIRART të organizuar nga Expocity, disa vepra të tilla u ekspozuan nga skulptori i njohur Emanuel Koko.
Koko është një nga artistët i cili prezantoi më shumë vepra në këtë panair, 22 skulptura dhe instalacione, që variojnë nga 100 deri në 2200 euro.
Punimet e Kokos janë ridimensionuar në materiale natyrore në gur, dru, metal dhe bronz, ku secili prej tyre zgjon në publik ndjeshmëri estetike dhe kureshtje njohëse.
Emanuel Koko ka filluar të punojë me veprat e tij që në shkollën fillore, i ndikuar shumë nga profesioni i të atit, si mjeshtër në veprat popullore. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, ai u fokusua më shumë te skulptura dhe ushtron prej 25 vitesh profesionin e tij vetëm në këtë fushë.
Gdhendja e portreteve, derdhja e objekteve apo elementeve të ndryshme të fiziologjisë së natyrës në skulpturë është një punë e pandërprerë për frymëzimin e tij si artist.
Punimet e skulptorit Koko janë të shumta dhe ekspozohen brenda dhe jashtë vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.