Lejet e ndërtimit në Bashkimin Europian gjatë vitit 2022 u ulën me pothuajse 5 për qind, me një sipërfaqe në total në 386.7 milion m².
Kjo rënie pasoi një rritje prej 15 për qind në vitin 2021, duke reflektuar periudhën e rimëkëmbjes në vitin pas kulmit të pandemisë COVID-19.
Lejet e ndërtimit maten edhe me numrin e banesave, pavarësisht nga madhësia e tyre. Për sa i përket numrit të banesave, lejet gjithashtu ranë me 4% (- 79 100 banesa) në BE, pas një rritje prej 16% në 2021.
Midis 2015 dhe 2019, numri i lejeve u rrit me pothuajse 6% në vit.
Pandemia e COVID-19, ndërpreu këto zhvillime; megjithatë, humbjet e vitit 2020 u kompensuan me rritjen e vitit 2021.
Në vitin 2022, megjithëse pati ulje në të dy treguesit, numri i lejeve ishte ende i lartë, duke mbetur mbi nivelet para pandemisë.
Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022, lejet e ndërtimit u rritën në vetëm 9 vende të BE-së: Maltë (+29%), Spanjë (+28%), Kroaci (+21%), Slloveni (+17%) ), Bullgari (+12%), Itali (+8%), Hungari (+7%), Portugali (+3%) dhe Francë (+2%).
Në anëtarët e mbetur të BE-së, ulja e numrit të lejeve të ndërtimit, varion midis -28% në Luksemburg dhe -1% në Rumani.
Ndryshe nga trendi rënës në Europë, në Shqipëri gjatë vitit 2022 sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të miratuar për ndërtesa të reja në të gjithë vendin ishte 2.667.497 m2, nga 2.316.709 m2 në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej 15,1%.
Sipas INSTAT vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 113 miliardë lekë në vitin 2022, nga 99.2 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2021, duke shënuar një rritje prej 14%.