Lidhjet në rrjet në sektorin e gazit, ERE nxjerr për konsultim rregulloren, si do veprohet

13/09/2019 10:55 AM 0 komente

Teksa gazsjellësi TAP është drejt përfundimit dhe mundësitë e Shqipërisë për të vënë në jetë planet e saj të gazifikimit bëhen më të afërta. Në këtë kontrast Enti Rregullator i Energjisë është duke miratuar paralelisht edhe kuadrin e nevojshëm ligjor për pjesën e gazifikimit. Kështu së fundmi ERE ka nxjerrë për konsultim rregulloren për lidhjet e reja në rrjet për sektorin e gazit ku përcakton procedurën e aplikimit, kriteret për miratimin dhe realizimin e një lidhjeje të re ose modifikimin e një lidhje ekzistuese dhe përcaktimin e tarifave përkatëse për lidhjen e pajisjeve të përdoruesit të rrjetit të transmetimit ose të shpërndarjes në sektorin e gazit natyror.

Në rregulloren me 30 nene nënvizohet roli që ka Operatori i Sistemit. Ky i fundit do të jetë autoriteti që bën lidhjen sipas kërkesës së aplikantit dhe kjo lidhje mund të jetë standarde, në grup, e personalizuar apo sipas rastit specifik. Operatori gjithashtu ka detyrimin e vlerësimit të një aplikimi për lidhje dhe kjo bëhet rast pas rasti. “OS do t’i lejojë aplikantit të plotësojë informacionet që mungojnë ose do t’i kërkojë aplikantit sqarime shtesë nëse është e nevojshme brenda afateve të arsyeshme. Koha e përgjithshme për rishikimin dhe miratimin e një lidhjeje nuk mund të tejkalojë 2 muaj nga paraqitja e parë e aplikimit, përveç nëse është arritur një marrëveshje për një zgjatje të këtij afati midis OS dhe aplikantit” thuhet në rregullore.

Në nenet 9 dhe 10 të saj përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e operatorit të sistemit dhe ato të aplikantit.

Po kështu në vijim rregullorja përcakton se cili është dokumntacioni i nevojshëm për të bërë një lidhje në rrjet ku në varësi të llojit të saj këkrohen detaje të tilla si letra e aplikimit, kopje e dokumentit të identitetit, detajet e kontaktit të individit përgjegjës , marrëdhënia e pronësisë.

Për çdo aplikim për lidhje në rrjet Operatori i Sistemit bën një vlerësim të kostos dhe ja vë atë në dispozicion aplikantit. Ky i fundit mund ta pranojë ofertën ose jo.

Kur ka aplikime të shumëfishta OS do të mundësojë gjetjen e një zgjidhje të përbashkët. “Në rast se pothuajse në të njëjtën kohë paraqiten më shumë se një aplikim dhe rrugët e linjave përkatëse të lidhjes mbivendosen plotësisht, ose pjesërisht, OS do të konsiderojë dhe/ose mundësojë një marrëveshje midis aplikantëve për optimizimin dhe ndarjen e kostove midis tyre, bazuar në parimin e përdorimit të ponderuar të kapacitetit të lidhjes dhe gjatësive përkatëse të rrjeteve që u shërbejnë klientëve” thuhet në dokument.

Për tarifat që do të përcaktohen do të merren parasysh kapacitetet e aprovuara të lidhjes, kushtet e terrenit që e karakterizojnë, lloji i pajisjeve dhe mjeteve dhe lloji i punimeve të nevojshme për tu kryer.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of