Pas nismës për mbylljen me ligj të lojërave të fatit nga 1 janari 2019, shoqëritë që e ushtronin këtë aktivitet dolën nga lista e më të mëdhave, si për të ardhurat, ashtu dhe fitimet. Vetëm “Regency Casino” vijoi të kishte aktivitet.
Por, viti 2021 ka sjellë rifutjen në listë të kompanive, që këtë herë janë kthyer nëpërmjet menaxhimit të kazinove në hotelet me 5 yje.
“Adria Entertainment” ka rihyrë në listën e “Monitor 200” pas trefishimit të të ardhurave në 3.3 miliardë lekë në vitin 2021, në krahasim me 2020-n, ndërsa në 2019-n, ajo deklaroi një qarkullim modest prej vetëm 4 milionë lekësh.
Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2020, shoqëria u pajis me licencë për ushtrim veprimtarie lojëra fati, kategoria “Kazino të vendosura në hotele me 5 yje”. Të ardhurat nga lojërat e fatit u trefishuan në 3.1 miliardë lekë, ose 92% të totalit të të ardhurave.
“Regency International Casino Tirana” rriti të ardhurat me 33%, në 2.3 miliardë lekë, ndonëse kazinoja mbeti ende 30% poshtë niveleve të parapandemisë.
Qeveria po rishikon mundësinë për të rikthyer bastet, por vetëm online. Në fillim të shtatorit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi rihapjen e basteve sportive, por vetëm online,
Sipas Ramës, nuk do të ketë më lokale bastesh, por do të tentohet të licencohen tre kompani, që funksionojnë vetëm online, për t’i eliminuar kompanitë e tjera që kanë hyrë në të zezë.
“Nga konsultimet që kemi bërë, veç rrjeteve informale të aktivitetit në të zezë që janë online, është edhe fenomeni i futjes së kompanive ndërkombëtare në Shqipëri, ose i futjes së rezidentëve shqiptarë në faqet e tyre.
Licencimi i tre prej tyre e bën më të pamundur edhe pjesën e zezë, pasi hyn në lëvizje mekanizmi i mbrojtjes së konkurrencës në Europë. Sepse nuk mund t’i futesh tjetrit aty ku ai ka licencë”, shtoi ai.
Në vitin 2018, viti i fundit i aktivitetit të lojërave të fatit, qarkullimi vjetor i kompanive të licencuara ishte rreth 140 milionë euro, ku 60% e totalit vinte nga kazinotë, sipas të dhënave të mëparshme të Monitor në renditjet e kompanive më të mëdha në vend.
Ky ishte vetëm tregu zyrtar, ndërsa vlerësimet e aktivitetit real ishin disa herë më të larta, për shkak të informalitetit masiv.
Lexoni edhe: Çudira shqiptare, shpenzimet për lojëra fati, të dytat pas atyre për t’u ushqyer?!
“Apex-Al”, “Lotto Sport”, “Top Sport”, “Adriatik Game” ishin më të mëdhatë në vend, me xhiro që në vitin 2017 luhatej midis 2.2-2.5 miliardë lekë secila. ITSGA ishte kompania më e madhe sipas numrit të të punësuarve, me rreth 3 mijë të tillë dhe 1.4 miliardë lekë të ardhura.
Këto biznese ishin ndër më fitimprurëset në vend, me norma fitimi që luhateshin nga 30-70%.
Lexoni edhe: Lojërat e fatit, biznesi më fitimprurës në vend
Më 31 dhjetor 2018, qeveria vendosi mbylljen e kazinove elektronike, basteve sportive, bastet për garat në pistë, sallat e bingove dhe lojërat e fatit elektronike në distancë (online).
Të vetmet që u lanë në këtë fushë ishin kazinotë në hotele me 5 yje, ndërkohë që kazinoja e vetme me një licencë 10-vjeçare Regency (Parku Rinia, tek Tajvani) iu la kohë deri në mbarimin e afatit.
Në vitin 2020 qeveria miratoi zonën ku mund të hapeshin kazinotë në kryeqytet dhe më pas bëri njoftimin për dorëzimin e kërkesave nga subjektet e interesuara.
Deri tani janë të paktën 5 kazino të hapura në hotelet brand name në kryeqytet dhe bregdet.
LEXONI EDHE:
200 VIP-at e vitit 2021. Rreziqet pas rimëkëmbjes së shpejtë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.