Rusia ka fituar gati 100 miliardë dollarë nga eksportet e naftës dhe të gazit gjatë 100 ditëve të para të luftës në Ukrainë, sipas një raporti.
Të ardhurat kanë pësuar rënie që nga muaji mars, pasi shumë vende i ndërprenë furnizimet ruse, por megjithatë ato mbeten të larta, sipas Qendrës së pavarur për Kërkimet për Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA).
Kjo organizatë paralajmëroi gjithashtu për mungesat që mund ta shkaktohen nga përpjekjet për të ndaluar importet nga Rusia.
BE, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar janë zotuar që do të ndërpresin importet ruse.
Por, megjithatë, raporti i CREA zbuloi se Rusia arriti të fitonte 97 miliardë dollarë të ardhura nga eksportet e karburanteve fosile në 100 ditët e para të konfliktit në Ukrainë, nga data 24 shkurt deri më 3 qershor.
Bashkimi Europian përbënte 61% të këtyre importeve, me vlerë rreth 59 miliardë dollarë.
Në përgjithësi, eksportet e naftës dhe të gazit rus kanë pësuar rënie. Edhe të ardhurat e Moskës nga shitja e energjisë janë reduktuar gjithashtu, krahasuar me kulmin që arritën në mars prej mbi 1 miliard dollarë në ditë.
Të ardhurat arritën të tejkalonin koston e luftës në Ukrainë gjatë 100 ditëve të para, pasi CREA vlerëson se Rusia po shpenzon rreth 876 milion dollarë në ditë për pushtimin.
BE planifikon të ndalojë importet e naftës ruse që vijnë nga deti deri në fund të vitit 2022, gjë që do të reduktonte importet me dy të tretat e tyre.
Në muajin mars, blloku gjithashtu u angazhua për të reduktuar me dy të tretat importet e gazit nga Rusia, brenda një viti.
Megjithatë, deri më tani vendet e BE-së nuk kanë qenë në gjendje që të arrijnë dakordësinë për një embargo të plotë të naftës dhe të gazit rus.
Ndërkohë, SHBA ka shpallur një embargo të plotë ndaj importeve të naftës, të gazit dhe të qymyrit nga Rusia. Mbretëria e Bashkuar do të reduktojë gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit.
Raporti i CREA tregon se embargoja e planifikuar nga BE për naftën do të kishte një ndikim të rëndësishëm.
Raporti paralajmëron se sasi të mëdha të naftës së papërpunuar ruse po dërgohen në Indi, e cila ka rritur pjesën e saj në eksportet totale të naftës së papërpunuar të Rusisë nga rreth 1% që ishte para pushtimit të Ukrainës, në 18% në muajin maj.
Raporti tregon se një “pjesë e konsiderueshme” e kësaj nafte përpunohej dhe u shitej klientëve në SHBA dhe në Europë. Raporti e cilësoi këtë si “një hendek të rëndësishëm që duhet mbyllur”.
Gjithashtu, sanksionet e forta ndaj cisternave që transportojnë naftë ruse do të kufizojnë ndjeshëm eksportet e naftës ruse.
Raporti thekson se, teksa Rusia po kërkon tregje të reja për naftë, një pjese e madhe e saj po transportohet me anije – dhe shumica e anijeve që përdoren janë në pronësi të kompanive europiane dhe amerikane.
Përveҫ Indisë, disa nga vendet e tjera që rritën importet e karburantit nga Rusia janë Franca, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, thuhet në raport.
Në pamje të parë, ky raport përmban disa lajme të këqija. Shitjet e energjisë në fakt po financojnë luftën në Ukrainë, me çmimet e larta që po kompensojnë përpjekjet për të ulur kërkesën.
Por, kjo nuk do të thotë se presioni ndaj Moskës nuk do të japë ndikimin e tij. Autorët e raportit presin që një embargo e pjesshme e BE-së ndaj naftës ruse do të reduktojë të ardhurat me rreth 36 miliardë dollarë në vit. Eksportet e gazit tashmë kanë rënë ndjeshëm – dhe ka plane për të reduktuar edhe më tej varësinë e Europës nga Rusia.
Megjithatë, embargot duhet të jenë efektive. Raporti thekson se një sasi gjithnjë e më e madhe e naftës ruse po eksportohet drejt Indisë për t’u përpunuar. Dhe disa nga këto produkte të përpunuara po e gjejnë përsëri rrugën për t’u kthyer në tregjet europiane.
Meqenëse produktet e përpunuara nuk përfshihen në embagon e BE-së, kjo situatë përbën një hendek të mundshëm.
Ndërkohë që nafta ruse po kalon nga tubacionet në cisterna për shkak të përpjekjeve të Moskës për të kërkuar tregje të reja, ka një kërkesë në rritje për anije që do të transportojnë këtë naftë. Shumica e cisternave të naftës që përdoren aktualisht janë në pronësi të kompanive europiane.
Që presioni ndaj Rusisë të jetë më efektiv, këto çështje do të duhet të zgjidhen./ BBC