Rrjetet e imigrantëve janë një shkëndijë e rrallë e shndritshme në ekonominë botërore. Vendet e pasura duhet t´i mirëpresin ato
Kjo nuk është një kohë e mirë për të huajt, shkruan “The Economist”. Partitë anti-imigrante po fitojnë terren në Europë. Britania ka pasur probleme para pak ditësh lidhur me gabimet në kontrollet e kufijve. Në Amerikë, Barack Obama nuk ka arritur që të zbatojë reformat e emigracionit që premtoi dhe kandidatët republikanë për president ka më shumë të ngjarë që të elektrifikojnë gardhin e kufirit me Meksikën, sesa të edukojnë fëmijët e alienëve ilegalë. Amerika i edukon shkencëtarët e huaj në universitetet e saj dhe më pas i përzë ata, një politikë që kryebashkiaku i Nju Jorkut e quan “vetëvrasje kombëtare”.
Kjo kthesë joliberale në qëndrimin ndaj migracionit nuk është surprizë. Është rezultat i rënies ciklike ekonomike e kombinuar me një rritje laike të presionit në kufijtë e shteteve të pasura. Por ndërsa qeveritë mendohen nëse duhet të mbyllin apo jo dyert, ato duhet të mbajnë në konsideratë një tjetër faktor: rëndësia ekonomike në rritje e diasporave dhe kontributi që ato mund të japin në rritjen ekonomike të një vendi.
Rrjete të vjetra, komunikime të reja
Rrjetet e diasporave  të protestantëve francezë, skocezëve, jezuitëve dhe shumë të tjerëve  kanë qenë tashmë një forcë shumë e fuqishme ekonomike, por lirësia dhe lehtësia e udhëtimit modern i ka bërë ata më të mëdhenj dhe më të shumtë në numër se kurrë ndonjëherë. Tashmë ka 215 milionë migrantë të gjeneratave të para nëpër botë: kjo përbën 3% të popullatës botërore. Në rast se ata do të ishin një komb, ai do të ishte pak më i madh se Brazili. Ka më shumë kinezë që jetojnë jashtë Kinës sesa ka francezë që jetojnë në Francë. Rreth 22 milionë indianë janë të shpërndarë anembanë globit. Mund të gjesh përqendrime të vogla të grupeve etnike dhe linguistike në vende surprizë  libanezë në Afrikën Perëndimore, japonezë në Brazil dhe njerëz nga Uellsi në Patagoni, për shembull  por atyre po iu bashkohen grupime të reja, si p.sh. afrikanoperëndimorë në Kinën Jugore.
Këto rrjete të lidhjeve të ngjashme dhe të gjuhës e bëjnë më të lehtë që të bësh biznes përtej kufirit. Ato shpejtojnë fluksin e informacionit: një tregtues kinez në Indonezi që mbulon një mungesë në treg për çadra të lira dhe njofton kushëririn e tij në Shenzhen, i cili njeh dikë që ka një fabrikë prodhimi çadrash. Lidhjet e afërta nxisin besimin, ndaj marrëveshja mund të ecë me shpejtësi dhe çadrat mund të mbërrijnë në Jakarta përpara se të mbarojë sezoni i shiut. Besimi ka shumë rëndësi, veçanërisht në tregjet në zhvillim, ku zbatimi i rregullave është i dobët. Po kështu kanë rëndësi dhe njohuritë mbi kulturën lokale. Për këtë arsye shumë investime direkte në Kinë kalojnë ende përmes diasporës kineze. Dhe komunikimi modern i bën këto rrjete një mjet biznesi gjithnjë e më të fuqishëm.
Diaspora gjithashtu ndihmon në përhapjen e ideve. Shumë nga mendjet më të ndritura të botës në zhvillim janë të edukuar në universitetet perëndimore. Një numër gjithnjë e në rritje i tyre po kthehen në shtëpi, duke marrë me vete si njohuritë ashtu dhe kontaktet. Shkencëtarët indianë të kompjuterëve në Bangalore i morën idetë nga miqtë e tyre indianë në “Silicon Valley”. Industria e teknologjisë në Kinë dominohet nga ata që quhen “breshkat e detit” (kinezët që kanë jetuar jashtë dhe janë kthyer).
Diaspora përhap paratë gjithashtu. Migrantët në vendet e pasura jo vetëm që dërgojnë para te familjet e tyre; ata gjithashtu ndihmojnë kompanitë në shtetet pritëse që të veprojnë në shtetin e tyre mëmë. Një studim i shkollës së Biznesit të Harvardit tregon se kompanitë amerikane që punësojnë shumë kinezë etnikë e kanë shumë më të lehtë që të hapin një degë në Kinë pa krijuar një kompani të përbashkët me një firmë lokale.
Argumente të tilla nuk ka shumë të ngjarë që të zbusin qëndrimin ndaj imigrantëve në vendet e pasura. Zemërimi kundrejt të huajve zakonisht bazohet në dy nocione (në mënyrë reciproke të papajtueshme): për shkak se shumë migrantë pretendojnë pagesa sociale, ata thajnë burimet publike; dhe për shkak se ata janë të përgatitur të punojnë më shumë edhe për më pak para dhe në këtë mënyrë, ulin tregun e pagave për ata që janë më të dobët.
E para nuk është e vërtetë në përgjithësi (në Britani, për shembull, imigrantët marrin më pak përfitime se vendasit), dhe e dyta është e vështirë që të provohet gjithsesi. Disa studime në fakt sugjerojnë se konkurrenca nga imigrantët pa shumë aftësi ul pagat për vendasit e së njëjtës kategori. Por disa të tjerë e gjejnë këtë efekt të vogël ose jo ekzistues.
As nuk është e mundur të masësh ndikimin e migracionit në rritjen në tërësi. Kjo thjesht është shumë e vështirë. Ka shumë arsye të mira për të besuar se kjo ka të ngjarë të jetë pozitive. Migrantët tentojnë që të punojnë shumë dhe janë novativë. Ata nxisin produktivitetin dhe formimin e kompanisë. Një studim i fundit i kryer nga “Duke University” tregoi se, ndërsa emigrantët përbëjnë një të tetën e popullsisë amerikane, ata kanë themeluar një të katërtën e firmave të teknologjisë dhe inxhinierisë në vend. Dhe, duke lidhur Perëndimin me tregjet në zhvillim, diaspora ndihmon shtetet e pasura që të depërtojnë në ekonomitë që rriten me shpejtësi.
Si rrjedhojë vendet e pasura kanë të ngjarë të përfitojnë nga politika më liberale imigracioni; dhe frika se vendet e varfra do të rezultojnë me një “ikje truri” është e tepruar. Perspektiva e të punuarit jashtë i nxit njerëzit që të fitojnë më shumë aftësi të vlefshme, dhe jo të gjithë do të emigrojnë më pas. Emigrantët e aftë dërgojnë para në shtëpi dhe shpesh ata kthehen që të ngrenë biznese të reja. Një studim tregoi se në rast se ata nuk humbin më shumë se 20% të të diplomuarve në universitet, ikja e trurit i bën shtetet e varfra më të pasura.