Mali i Zi/ Rinovohet plani për dhënien e pasaportave ndaj investitorëve

10/08/2018 10:01 PM 0 komente

Mali i Zi ka bërë publik planin e tij për t’i dhënë shtetësinë të huajve, të cilët do të jenë të gatshëm të investojnë në këtë vend, si pjesë e një lëvizje për të ulur rënien e fundit të Investimeve të Huaja Direkte. Qeveria e Malit të Zi ka vendosur ta zbatojë një plan të tillë kundrejt atyre investitorëve që janë të gatshëm të investojnë veçanërisht në pjesën veriore të pazhvilluar.

Qeveria tha se po përgatiste një paketë në këtë drejtim dhe se ajo do të fillonte të vihej në zbatim më 1 tetor të këtij viti.

Pasaportat malazeze do të vihen në dispozicion të shtetasve të huaj që do të investojnë 250,000 euro në rajonet e pazhvilluara në veri, ose 450,000 euro në rajonet e zhvilluara në qendër dhe në jug.

Numri i pasaportave që do të jepen në tre vitet e ardhshme nëpërmjet këtij programi është i kufizuar në 2,000 copë. Qeveria do të paguajë një taksë deri në 100,000 euro për aplikim. Kjo taksë do t’i shtohet një fond të posaçëm për zhvillimin e zonave të pazhvilluara.

Programi do të menaxhohet nga një agjenci e posaçme qeveritare që do të punësojë agjentët e marketingut që janë aprovuar që më përpara. Agjentët do të jenë përgjegjës për promovimin e programit dhe për tërheqjen e investitorëve të interesuar.

Ky program i ri është pjesë e një përpjekje për të tërhequr më shumë Investime të Huaja Direkte, IHD, të cilat kanë shënuar rënie gjatë viteve të fundit. Kryesisht falë investimeve ruse, Mali i Zi arriti të grumbullojë rreth disa miliardë euro të IHD-ve në vitin 2007, por kjo shifër ka filluar të bjerë në vitin 2010. Kjo është hera e tretë që Mali i Zi ka nisur një program për shitjen e shtetësisë. Në vitin 2010, qeveria bëri publike planet për të shitur pasaporta ndaj “biznesmenëve të famshëm dhe që kishin një reputacion të besueshëm”, në rast se ata investonin të paktën gjysmë milionë euro.

Por ky projekt duhej të mbahej pezull derisa ai të harmonizohej sipas rregullores së Bashkimit Europian, sepse shqetësimet u ngritën në lidhje me transparencën dhe llogaridhënien në 2015, kur qeveria zbuloi plane të reja për t’u shitur pasaporta “biznesmenëve të famshëm dhe me reputacion të besueshëm” nëse ata do të investonin të paktën gjysmë milionë euro në veri të vendit.

Vendimi më i fundit i Malit të Zi vjen menjëherë pasi Moldavia filloi një nismë të ngjashme. Në shtator të 2017-s, qeveria e saj miratoi rregullore të reja për dhënien e shtetësisë për të huajt që investojnë shuma të konsiderueshme në vend. Çdo i huaj që investon të paktën 250,000 euro për pesë vjet në pasuri të paluajtshme ose obligacione qeveritare ose jep hua së paku 100,000 euro në fondin e investimeve publike të vendit, ka të drejtë për të marrë shtetësinë.

Në vitin 2012, Maqedonia gjithashtu u ofroi dhënien e shtetësisë kujtdo që do të investonte të paktën 400,000 euro dhe të punësonte të paktën 10 punonjës. Programe të ngjashme janë prezantuar edhe nga Grenada, Malta, Holanda dhe Spanja./ BIRN

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of