Mbi 1 miliard dollarë për autostradën Prishtinë-Nish, hekurudhën dhe Brezovicën

22/09/2020 9:44 AM 0 komente

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Amerikës për nxitjen e investimeve është nënshkruar të hënën në Prishtinë mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe delegacionit të Qeverisë amerikane. 

Amerikanët kanë premtuar mbi 1 miliard dollarë investime për projektin e “Autostradës së paqes”, hekurudhave dhe Qendrës së Skijimit në Brezovicë.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar dje një deklaratë ku zotohen për realizimin e projekteve që burojnë nga marrëveshja për normalizim ekonomik me Serbinë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington.

“Marrëveshja e Investimeve Kosovë-Shtetet e Bashkuara parashikohet të sigurojë qasje në gamën e plotë të mbështetjes për investime nga Korporata Ndërkombëtare e Financave e Zhvillimit të SHBA-së.  Pas normalizimit historik ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës të rënë dakord më 4 shtator, Kosova dhe SHBA-ja synojnë të avancojnë negociatat, pas datës së hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA, në lidhje me projekte të rëndësishme”, thuhet në dokument.

Në konferencën e përbashkët për media, zyrtarët amerikanët kanë premtuar mbi 1 miliard dollarë investime për projektin e “Autostradës së paqes”, hekurudhave dhe Qendrës së Skijimit në Brezovicë.

Emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se ardhja e tyre në Prishtinë është provë e përkushtimit për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Trump. Edhe një herë presidenti na tha: ‘Tash shkoni ta zbatoni atë që u nënshkrua në Washington’. Ai është person me orientim të drejtpërdrejtë kah veprimi”, ka thënë Grenell.

Sa u përket kritikave për marrëveshjen e Washingtonit, Grenell ka shtuar se nuk u jep shumë rëndësi deklaratave të politikanëve.

“Fakt është që marrëveshja flet vetë, zbatimi është duke ardhur. Dua t’iu flas njerëzve që nuk janë të politizuar, atyre që kanë vështirësi t’i paguajnë faturat apo ata që kanë braktisur vendin. Ata duhet të flasin, ata duhet të dëgjohen. Kapja e debatit nga politikanët ka shkaktuar vështirësi. Bizneset amerikane dhe ato evropiane janë të frustruara që nuk po mund të ecin përtej betejës tipike politike”, ka theksuar Grenell.

Sipas tij, brenda 30 ditëve Departamenti Amerikan i Energjisë do ta realizojë një studim fizibiliteti për të hulumtuar resurset e Kosovës në funksion të krijimit të vendeve të punës.

https://www.monitor.al/kosova-dhe-shba-nenshkruajne-marreveshjen-ekonomike-premtohen-100-milione-dollare-investime/

Ndërkaq Adam Boehler, kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, ka folur për qasjen që administrata aktuale amerikane e ka në raport me rajonin, e që, sipas tij, nuk mund të përfitojë vetëm një palë.

Adam Boehler theksoi se do të investojnë në Kosovë.

“Me kolegët e mi nga Departamenti i Energjisë, me EXIM Bank, një bankë tjetër 100 miliard dollarëshe, e fokusuar në eksport dhe import, me Departamentin Ekonomik dhe Këshillin e Sigurisë Ndërkombëtare. Është një delegacion i paprecedent për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne jemi këtu për ta nënshkruar një marrëveshje dhe për t’i mbështetur miqtë e tonë në Kosovë”, tha Boehler.

Sipas Boehler, vlera e projekteve të investuara do të kaloj vlerën e një miliard dollarëve.

“Ne kemi punuar në përgatitjet për mundësitë të asaj që ka ndodhur para dy javësh. Ne kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin, ne jemi duke përgatitur projekte që kalojnë vlerën një miliard dollarë. Kjo përfshinë rrugën “Autostrada e Paqes”, hekurudhën, përfshinë gazin e lëngshëm natyror (LNG). Ne kemi folur dhe kemi diskutuar për mundësinë e investimeve në resor skijimi”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha e marrëveshja e nënshkruar tregon seriozitetin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump në realizimin e marrëveshjes së arritur më 4 shtator.

“Kishim bisedë të gjerë dhe detajizuar për gjitha pikat e marrëveshjes. Do të lëvizim shpejt për realizimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Hoti, sipas të cilit projektet që do të realizohen do të krijojnë mijëra vende të reja pune do ta shëndrrojë Kosovën dhe rajonin në rajon më të integruar në infrastrukturë dhe ekonomi.

Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) tha se vizita e delegacionit amerikan në Kosovës është e pa shembullt, për shkak të përbërjes së tij, me përfaqësues të gjashtë agjencive amerikane.

Kjo vizitë në Kosovë ndodhë pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpine e Bardhë në Uashington më 4 shtator, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, ndër të tjera, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of