Kursimet e individëve kanë shënuar rritje në gusht, një tendencë tradicionale kjo që lidhet me prurjet e emigrantëve në këtë periudhë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në sistemin bankar, në fund të gushtit, arriti në 1 trilion lekë, duke qëndruar për të dytin muaj radhazi mbi kufirin e 1 trilion lekëve. Në raport me muajin e mëparshëm, depozitat u rritën me 10 miliardë lekë, ose 1%. Në vlerë absolute, kjo është rritja më e madhe që nga gushti i vitit 2016.
Efekti në gusht ka ardhur tërësisht nga valuta, (që u rritën me 16 miliardë lekë në gusht me bazë mujore), ndërsa kursimet në lekë shënuan rënie me gati 6 miliardë lekë në të njëjtën periudhë. Gjithmonë në gusht, depozitat në valutë rriten, pasi një pjesë e kursimeve që sjellin emigrantët që vijnë të kaluar pushimet dhe për të takuar të afërmit, kalon në banka në formë kursimi. Një tjetër faktor që ka ndikuar janë dhe prurjet nga turistët, që këtë vit kanë qenë të shumta, duke ndikuar në rritjen e likuiditeteve në euro të bizneseve të lidhura me këtë sektor.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se si depozitat e korporatave jofinanciare (bizneseve) ashtu dhe ato të individëve në euro janë rritur ndjeshëm në gusht. Por, teksa normat e interesit të kursimeve në euro janë pothuajse zero, ata kanë preferuar që t’i mbajnë paranë të llogari pa afat.
Rritja e kursimeve në euro dhe rënia e atyre në lekë ka bërë që pesha e depozitave në valutë të shënojë një rekord të ri. Në fund të muajit gusht, kursimet në monedhë të huaj arritën në 54.8%, me një rritje prej 1 pikë përqindje në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Me bazë vjetore, totali i depozitave është rritur me 2.9%, ku sërish efekti ka ardhur nga valuta, stoku i kursimeve të së cilës është rritur me 26 miliardë lekë në një vit, nga 1.7 miliardë lekë që është efekti i monedhës vendase (kjo e fundit është ndikuar nga tërheqja e kursimeve me afat në lekë nga individët për shkak të normave të ulëta të interesit).
Prej më se një viti, Banka e Shqipërisë ka nisur një fushatë për të ulur përdorimin e euros në ekonomi, por sërish monedha e përbashkët vijon të mbetet e preferuara e depozituesve, edhe për shkak të hyrjes së lartë të saj në vend nga kanale të ndryshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.