Shqipëria dhe Mali i Zi do të menaxhojnë burimet e tyre ujore ndërkufitare në bazë të një marrëveshjeje e cila ka hyrë këto ditë në fuqi. Ky dokument ka në bazë interesat e përbashkëta të dy vendeve në lidhje me menaxhimin e ujërave dhe zona që prek ka rëndësi të veçantë edhe për shkak të hidrocentraleve.
Konkretisht marrëveshja përfshin menaxhimin e ujit, veprat ujore, pajisjet për përdorimin e ujit, kontrollin e erozionit dhe mbrojtjen nga përmbytjet. Por cilat janë në fakt burimet e drejtpërdrejta ujore ndërkufitare të interesit të përbashkët.
Bëhet fjalë për ujërat e liqenit të Shkodrës, Drinit, Bunës, Moraçës, Gërnçarit dhe lumit Cen.
I njëjti dokument parashikon praktikat e eksporimit dhe ndikimit të ndërhyrjeve të veprimeve të menaxhimit të ujit në mjedis. Për rastet e shkarkimeve të ujërave të mëdha nga ujëmbledhësit, të cilët mund të sjellin përmbytje në vendin e një pale do të bëhet njoftim paraprak për palën tjetër.
Në nenin 5 marrëveshja parashikon mënyrat e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Së pari shkëmbimin e rregullt dhe në kohë të të dhënave dhe informacionit të plotë dhe të saktë për të gjitha çështjet që janë objekt i kësaj Marrëveshjeje. Së dyti konsultime, koordinim dhe përfshirje aktive në kryerjen e punimeve të Komisionit Shqiptaro-Malazez për Menaxhimin e Ujërave me interes të Përbashkët( Komisioni për Menaxhimin e Burimeve Ujore”) dhe organeve të formuara pranë tij. Së treti zbatimi aktiv i masave ligjore, organizative, institucionale, teknike, ekonomike dhe të tjera, të nevojshme për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.
Në realizimin e bashkëpunimit ndërmjet palwve, detajet e mëtejshme mbi marrëdhëniet, të cilat janë objekt i kësaj Marrëveshjeje, rregullohen me akte të përbashkëta.
Ndër të tjera dokumenti parashikon edhe mënyrën se si veprohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ku së pari në mënyrë miqësore ajo do të trajtohet brenda Komisionit për Menaxhimine Burimeve Ujore. Nëse kjo nuk arrihet ajo zgjodhet në mënyrë miqësore nga palët nëpërmjet rrugëve diplomatike në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.