Flet Enea Karakaçi, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë në MIE
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është në fazë rishikimi të ligjit “Për burimet e rinovueshme të energjisë”, në përgjigje të kërkesave të kohës dhe kushteve të tregut.
Enea Karakaçi, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë në MIE, tha se këto ndryshime do të adresojnë disa çështje, sipas praktikave të Bashkimit Europian.
Karakaçi nënvizoi se ka disa projekte domethënës, të cilët do të përbëjnë atë që njihet si diverisifikim për sektorin energjetik, gjë që do të garantojë edhe sigurinë e furnizimit në çdo kohë.
Si janë planet e diversifikimit dhe projektet kyçe aktuale (fotovoltaike, eolike, gazi)?
Siguria energjetike dhe diversifikimi i burimeve të energjisë, në një vend që prodhon mbi 99% energji të rinovueshme nga hidrocentralet ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Parë në kontekstin aktual të një krize energjetike globale, e cila ka përfshirë pothuajse gjithë botën dhe që sipas ekspertëve pritet të vështirësohet edhe më tej, diversifikimi i burimeve të energjisë paraqitet si një domosdoshmëri.
Synimi kryesor është rritja e prodhimit për të përmbushur kërkesën e tregut vendas, por sigurisht që objektivi strategjik është shndërrimi i tij në një fuqi energjetike në rajon, për ta kthyer në eksportues, nga vend importues që jemi prej shumë vitesh. Për arritjen e këtyre objektivave, ne po punojmë në disa drejtime kryesore:
a) rritjen e sigurisë energjetike
b) sigurimin e çmimeve më të ulëta për tregun me shumicë
c) rritjen e shkëmbimeve të energjisë së rinovueshme në rajon
d) thithjen e investimeve për burimet e rinovueshme
e) kthimin e vendit në eksportues neto energjie.
Investimet kryesore, përmes të cilave Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe diversifikimin e burimeve gjeneruese janë:
-Parku Fotovoltaik i Karavasta, me vlerë investimi 100 mln euro dhe kapacitet të instaluar 140 MW;
-Parku PV Spitallë, me vlerë investimi 70 mln euro dhe kapacitet të instaluar 100 MW;
-HEC Skavica, me vlerë investimi 600 mln euro dhe kapacitet të instaluar 210 MW (plus optimizim të kaskadës dhe rritje të prodhimit total të saj);
-TEC Vlorë, me vlerë investimi 300 mln euro dhe kapacitet të instaluar 350 MW;
-Ankandi i parë i erës. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me asistencën e BERZH ka nisur një procedurë të posaçme konkurruese, të hapur në qershor 2021, për përzgjedhjen e projekteve eolike me kapacitet nga 10 – 75 MW, për një kapacitet total 100 MW. Kjo procedurë është e para e llojit të saj për sa i përket prodhimit të energjisë nga era.
-Investime në projekte të vogla gjeneruese me burime nga dielli dhe era, sipas kapaciteteve të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme.
Si ka qenë ecuria e Karavastasë dhe Spitallës nga komunikimet që keni me Voltalian, në çfarë faze jemi?
Për sa i përket ecurisë së projektit fotovoltaik 140 MW, që po zhvillohet nga shoqëria Voltalia, në Karavasta, shoqëria në bazë të kushteve të kontratës ka depozituar në Ministri garancinë e kontratës prej 6 milionë eurosh, ka marrë lejen mjedisore të projektit, ka finalizuar marrëveshjen e transmetimit me OST, si dhe ka marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Aktualisht, shoqëria ka finalizuar projektin e linjës së transmetimit të këtij impianti dhe po evidenton pronat që preken nga ndërtimi i linjës së transmetimit. Shoqëria ka ecur në përputhje me parashikimet e kontratës dhe pritet fillimi i ndërtimit të impiantit në pranverën e vitit 2022.
Për sa i përket projektit fotovoltaik 100 MW, në Spitallë, që po zhvillohet nga po shoqëria Voltalia, në datë 31 maj 2021 është nënshkruar kontrata me Ministrinë dhe po ashtu është nënshkruar kontrata për shitblerjen e energjisë me Furnizuesin e Tregut të Lirë Sh.A., më datë 14 qershor 2021. Aktualisht Ministria dhe Voltalia po bashkëpunojnë për kalimin e pronave të projektit, si dhe për realizimin e kushteve për bërjen efektive të kontratës. Afati i pritshëm është muaji nëntor 2021.
Sa u takon impianteve për vetëkonsum ende ka mbetur pezull çmimi i tepricave. Në çfarë faze është diskutimi me palët për këtë aspekt dhe a do të jetë bilanc mujor apo vjetor?
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë mbështetjes dhe stimulimit të instalimit të impianteve fotovoltaike për vetëkonsum, kryesisht nga bizneset, që konsumojnë edhe më shumë energji. Ministrja Balluku, që në muajt e parë të marrjes së detyrës në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e shoqatave të fotovoltaikëve ka arritur të zgjidhë një ngërç të krijuar prej kohësh në këtë sektor, duke i hapur rrugë për herë të parë instalimeve dhe vënies në punë të impianteve të vogla diellore për vetëprodhim.
Aktualisht, procedura përkatëse për miratimin e këtyre impianteve rregullohet nga Udhëzimi i Ministrit nr. 3, datë 20.6.2019 “Për miratimin e procedurës së lehtësuar të autorizimit për lidhjen në sistemin e shpërndarjes të projekteve të vogla të rinovueshme për vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga dielli”.
Tashmë Ministria është në fazë të avancuar të rishikimit të ligjit për burimet e rinovueshme. Në bashkëpunim me Sekretariatin e Energjisë, si dhe operatorët publikë dhe privatë të interesuar në këtë proces, po shikohet mundësia për adresimin e kësaj çështje, sipas praktikave më të mira të industrisë në BE.
A ka ndonjë plan për të nxitur orientimin drejt këtyre projekteve të biznesit dhe individëve dhe nëse po, diçka më të detajuar?
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është tërësisht e angazhuar për të nxitur vetëprodhuesit e energjisë, duke pasur në fokus kryesor rritjen e kapaciteteve prodhuese, jo vetëm për konsumatorët e mëdhenj të energjisë elektrike. Në këtë drejtim janë ndërmarrë një sërë nismash ligjore për të nxitur kryesisht biznesin që të orientohet drejt këtyre investimeve.
Synimi është që jo vetëm të ndihmohen vetëprodhuesit të ulin kostot e prodhimit, por në të njëjtën kohë, lehtësimi të pasqyrohet edhe në uljen e çmimeve për prodhimet apo shërbimet për konsumatorin fundor. Strukturat e MIE janë duke bashkëpunuar edhe me struktura të tjera shtetërore, të ngarkuara me ligj për mbështetjen e biznesit, për të mundësuar shtrirjen sa më të gjerë të kësaj teknologjie. Kemi pasur disa modele shumë të mira suksesi në disa zona të vendit, ku më e spikatura mbetet zona e Korçës.
Gjithsesi, ne jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë. Veçanërisht sot, kur e gjithë bota po përballet me një krizë energjetike, ndërmarrja e nismave të tilla i bën këto biznese më të mbrojtura ndaj këtyre situatave të paparashikueshme.
Të gjitha këto elemente krijojnë kushtet e nevojshme për të nxitur, kryesisht bizneset, si konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike, për të investuar në këtë drejtim. Së pari, për të ulur kostot e tyre dhe sigurisht për t’u siguruar pavarësi energjetike, e cila i mbron ndaj zhvillimeve të papritura, si këto të javëve të fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.