Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka sqaruar se qytetarëve të Shqipërisë dhe të Luginës së Preshevës nuk do t’u kërkohet testi për Covid-19 me rastin e hyrjes në Kosovë.
Këtë lajm Zemaj e bëri përmes një statusi në Facebook, ku ka takuar ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Sapo u takova me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë z.Qemal Minxhozi, të cilit i konfirmova se qytetarëve e Republikës së Shqipërisë që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, nuk i kërkohet testi për COVID-19. Vendimi i Qeverisë se Kosovës është bazuar në parim të reciprocitetit, si rrjedhojë nuk kërkohen testime nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë dhe as nga bashkëqytetarët tanë nga Lugina e Preshevës. Bashkë me ambasadorin Minxhozi, u zotuam që do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve”.
Kujtojmë, se vendimi i fundit i Qeverisës së Kosovës me masat e reja për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 ka bllokuar për qarkullim shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilëve i kërkohet testi RT-PCR në Sars COV-2.
“Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit, me disa përjashtime”, thuhet në vendimin e qeverisë së Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.