Ministria e Ekonomisë shtyn afatet e rezervimeve turistike në Kosovë

19/05/2020 1:30 PM 0 komente

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) ka vendosur që të shtyjë shërbimet turistike në Kosovë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Përmes një vendimi, MEPTINIS urdhëron bizneset që personave që kanë rezervuar pushimet në Kosovë t’ua mundësojnë shtyrjen e tyre dhe zëvendësimin e “paketave turistike” me të cilësisë së njëjtë.

“Urdhërohen subjektet turistike që, përmes kuponëve (vouchers) ose dokumenteve të barasvlesfshme, t’u mundësojnë: 1. shtyrjen deri më 31 dhjetor 2021 të shërbimeve turistike të parapaguara ose të rezervuara të turistëve të cilët nuk kanë mundur të udhëtojnë për shkak të pandemisë COVID-19; dhe 2. zëvendësimin e paketave me paketa të cilësisë së njëjtë ose më të lartë konsumatorëve të cilëve u janë anuluar paketat turistike për shkak të pandemisë COVID-19, dhe nëse paketat zëvendësohen me paketa të cilësisë më të ulët, konsumatorëve t’ua kthejnë dallimin në çmim”, thuhet në vendim.

Lidhur me këtë, kryetar i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, Baki Hoti ka thënë, ky vendim do ta mbroj klientin dhe do ta mbroj biznesin për tejkalimin e situatës së pandemisë së COVID-19.

“Duke marr parasysh që shumë vende kanë marr iniciativë për ruajtjen e konsumatorit edhe biznesin në këtë rast, atëherë ne kërkesën tonë e kemi drejtuar te ministria ku kemi kërkuar ta mbrojmë konsumatorin në këtë rast, i cili e ka paguar një rezervim turistik më një datë të caktuar dhe ky rezervim për shkak të pandemisë apo mbylljes së kufirit nuk po ndodh, atëherë bizneset e këtij sektori t’i ndalin në ndihmë klientëve”.

Ai shtoi se ata klientë që dëshirojnë t’i kthehen paratë, sipas tij, duhet të merren vesh pronari me klientin.

“Me këtë vendim janë shtyrë pagesat, atëherë nëse pajtohemi me pronarin e agjencisë turistike që mos të kthehen paratë por që të jepet ai dokument që është i vlefshëm që ta shfrytëzon kur të dëshiron deri më 31 dhjetor 2021. Atyre klientëve që dëshirojnë t’i kthehen paratë, atëherë kompania pas taksave duhet t’i kthej paratë, se fundi i fundit është paraja e klientit”.

Për sa i përket ndikimit të pandemisë së COVID-19 në sektorin e turizmit, Hoti tha dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.

Kurse, Kreu i Odës Ekonomike deklaron se një pjesë e mirë e GDP-së së vendit do të ndikohet nga aktiviteti i ulët ekonomik gjatë muajve të verës.

Sipas tij, nuk pritet që këtë vit Kosova të ketë vizitorë të shumtë, e kjo sipas tij do të ketë ndikim edhe në ekonominë e vendit.

“Diku konsiderohet që janë mbi 20 mijë dasma që organizohen gjatë muajve të verës ose ahengje, pastaj është një numër i madh i trajnimeve, seminareve, konferencave, pastaj është një numër i caktuar i vizitorëve që vijnë nga diaspora. Nuk mund të flasim për më pak se 300 milionë euro, po nuk mund të flasim as për shifra të tjera të sakta, po sigurisht një pjesë e mirë e GDP-së së vendit do të ndikohet nga aktiviteti i ulët ekonomik që do të jetë gjatë muajve të verës, në krahasim me vitin e kaluar dhe vitet tjera kur ka qenë një ‘boom’. Ka pasur dy-tre vitet e fundit edhe në raportet e Bankës Botërore shihet rritja e kontributit të turizmit në GDP-në e vendit, do të thotë ka një rritje goxha të dukshme edhe kjo rritje e turizmit lidhet drejtpërdrejtë me këtë pjesën e verës, kur ne e kemi po them kushtimisht turizëm të diasporës”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of