Shitjet e mobilieve të prodhuara në Shqipëri aktualisht janë 10% më shumë se vjet, pas një rënieje prej 30% në tre muaj karantinë. Aktorët kryesorë të tregut thonë se rikuperimi i shpejtë i sektorit është nxitur nga ritmi i lartë i ndërtimeve të apartamenteve dhe hoteleve. Prodhuesit e mëdhenj parashikojnë bum kërkesash për mobilie në 5 vitet e ardhshme nga hotelet e bregdetit. Punishtet e vogla pranojnë rritje të kërkesës, por thonë se po vuajnë vonesat e pagesave
Dorina Azo
Prodhimi i mobilieve është një nga sektorët në vend që është rikuperuar më shpejt nga kriza e Covid-19. Kur për gati tre muaj nga pandemia, aktiviteti i kompanive më të mëdha të prodhimit të drurit në Shqipëri u bllokua, shitjet ranë ndjeshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve të ndërmarrjeve të prodhimit të mobilieve në 3-mujorin e dytë u ul 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. Mbyllja e punës ndikoi edhe te rënia e indeksit të punësimit me 8% dhe të pagës të të punësuarve me 3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nga ana tjetër, aktorë të tregut pohojnë se menjëherë pas hapjes së ekonomisë, vërshoi kërkesa për mobilim të ambienteve të banimit dhe bizneseve. Shitjet e orendive të drurit janë 10% më tepër se në 2019. Prodhuesit shqiptarë shpjeguan se kjo rritje është nxitur për shkak të zgjerimit të sektorit të ndërtimit dhe shtimit të projekteve të reja për hotele në bregdet. Edhe në punishtet e vogla të përpunimit të drurit pranojnë se porositë për mobilie u rritën pas përfundimit të izolimit, por këto aktivitete po vuajnë vonesat në pagesa nga klientët.
Ilir Linza, administrator i FPM Bestseller (Fabrika e Prodhimit të Mobilieve), thotë për “Monitor” se shitjet e kompanisë në tregun vendas për 2020 parashikohen të mbyllen me 10% më shumë se në 2019. Kompania tregton në Shqipëri mobilie në logon “Bestseller”. Sipas përfaqësuesit të FPM, rritja e xhiros erdhi nga hapja e dyqanit të katërt në Shkodër (në vitin 2019, kompania kishte 3 dyqane, në Vlorë, Elbasan dhe Tiranë) dhe shtimi i klientëve që bëjnë blerje të rregullta.
“Shitjet e mobilieve në dyqanet tona janë në të njëjtat shifra si edhe vjet. Deri në fund të vitit parashikojmë që xhiroja të jetë 10% më shumë se në 2019. Ne presim që të rritemi çdo vit, pasi tendenca e njerëzve është të blejnë mobilie me faturim të rregullt dhe transaksionin ta kryejnë me këste nëpërmjet bankave. Nuk janë të predispozuar të shkojnë te marangozët dhe të blejnë mobilie me shërbim të limituar. Pra kërkojnë kompani serioze dhe ne bëjmë pjesë në markat e besueshme të prodhimit, mungesën e së cilës tregu shqiptar e vuajti për një kohë të gjatë”.
Ndërtimi dhe turizmi nxisin kërkesën për mobilie
Inxhinieri i kompanisë “Trin Mobileri” u shpreh se kërkesa për mobilie është rritur në vitet e fundit. Në pandemi, shitjet janë 10% më tepër se në 2019, edhe për këtë sipërmarrje. Arsyet e rritjes janë zgjerimi i sektorit të ndërtimit. Kurse individët me të ardhura mesatare dhe të larta nuk i anuluan kërkesat e planifikuara për mobilim shtëpie apo ambiente shërbimesh për biznes. Shitjet në treg të kompanisë janë të ndara: 90% nga prodhimi dhe 10% nga importi.
“Ne punojmë për individë me të ardhura të mesme dhe të larta dhe nga kjo kategori, kërkesa vazhdon të jetë e lartë. Pandemia nuk ndikoi negativisht edhe gjatë karantinës, ku porositë për mobilie nuk u reduktuan. Në krahasim me 2019, kërkesa për mobilie është 10% më e lartë. Covid-19 shkaktoi vonesa vetëm në transportin e mobilieve të përfunduara, sidomos në periudhën e izolimit, kur lëvizja ishte e ndaluar.
Nga analiza e viteve të fundit rezulton se sektori i mobilierisë nuk ka pasur tkurrje, por ka shfaqur gjithmonë tendencë rritëse, për shkak të ndërtimeve të shumta. Në periudhën e pandemisë, shitjet nuk pësuan rënie, pasi buxheti për mobilimin e strukturave të ndryshme, gjithmonë planifikohet më përpara nga shtresa e mesme dhe e lartë. Mund të jetë një numër shumë i vogël individësh, një apo dy prej tyre, që anuluan porosinë, por kërkesat janë të shumta dhe kjo nuk ndikoi te shitjet. Kërkesa për mobilie do të shënonte rënie vetëm nëse do të frenonte sektori i ndërtimit.”
Parashikimet e kompanisë për shitjet janë tepër optimiste edhe për 5 vitet e ardhshme. Sipas një analize tregu të zhvilluar nga “Trin Mobilieri”, pritshmëritë janë për bum të lartë kërkesash nga hotelet për mobilie të prodhuara në vend. Studimi bazohet mbi preferencat për mobilim të kompanive vendase dhe të huaja që janë të interesuara të ndërtojnë struktura akomoduese, kryesisht në bregdet dhe të atyre që janë në fazat e para të ndërtimit. Këto investime janë të planifikuara paraprakisht dhe nuk ndikohen nga pandemia apo kufizimet e saj, që së shpejti do të përfundojnë.
“Nëse shumica e tyre, mobilimin do ta kryejnë në tregun vendas, shitjet e sektorit pritet të rriten. E njëjta tendencë parashikohet edhe për mobilimin e apartamenteve nga shtresa e mesme, ndërsa kërkesa nga shtresa e ulët, që zë pjesën më të madhe të tregut të shitjeve, ka nisur dhe pritet të pësojë tkurrje të mëtejshme. Kjo tkurrje është edhe si efekt i pandemisë, pasi kjo shtresë ka tendencën të shtyjë apo anulojë shpenzime si mobilimi, për të përballuar shpenzime të tjera jetike. Kërkesa për mobilim do të rritet për apartamentet apo vilat private në zonën e bregdetit”, nënvizon z. Cacaj.
Kërkesë në rritje
“Edhe nga analiza e viteve të fundit rezulton se sektori i mobilierisë nuk ka pasur tkurrje, por ka shfaqur gjithmonë tendencë rritëse, për shkak të ndërtimeve të shumta. Kërkesa për mobilie do të pësonte rënie vetëm nëse do të frenonte sektori i ndërtimit.”
Rritet kërkesa e mobilimit ekonomik
Klaudia Zyberi, menaxhere e përgjithshme e shitjeve në kompaninë “Shaga”, një nga më të mëdhatë në vend, thotë se së fundmi po vihet re një frenim i kërkesës. Ajo thotë se familjarët ndihen të pasigurt nga pandemia dhe po tregohen të kujdesshëm në shpenzimet. Hoteleria, që zë një peshë të konsiderueshme në tregun e blerjes së mobilieve të prodhuara nga vendasit, këtë vit pezulloi arredimet e reja, pasi sezoni turistik zgjati dy muaj.
“Me nisjen e pandemisë, kërkesa u ul 60% e ndikuar nga mbyllja e aktivitetit. Në muajin qershor, filloi rritja e interesit të individëve për mobilim. Kërkesa për mobilie shënon zgjerim gjithnjë në verë, e ndikuar më shumë nga shitjet për arredimin e apartamenteve dhe vilave të plazhit. Këtë vit, kërkesa ka qenë e përqendruar për mobilim të apartamenteve. Ndërkohë ka pasur tkurrje të blerjeve nga hotelet, pasi edhe sezoni turistik nisi shumë vonë dhe këto struktura nuk patën kohë për mobilime të reja.
Aktualisht kërkesa është 10% më pak se në 2019. Mendoj se kjo vjen për shkak të frikës nga pandemia, ku shumë individë që vijnë te ne shprehin pasigurinë financiare nëse do të ketë një mbyllje tjetër të ekonomisë. Për këtë arsye, ata tregohen të kujdesshëm në shpenzime”.
Interesi për të blerë mobilie, në këtë periudhë është më i lartë nga familjarët, sesa nga bizneset. “Kërkesa është e përqendruar për mobilime të pjesshme të apartamenteve, kryesisht për zëvendësim të kuzhinës, të këndeve dhe divaneve të dhomës të ndenjjes, jo për mobilim të apartamenteve të reja.
Mendoj se kërkesa për këtë lloj mobilimi është ndikuar nga periudha e izolimit të popullatës, ku njerëzit kishin më shumë kohë të mendonin se çfarë orendish duhet të ndryshonin. Duhet theksuar se po kërkohet më shumë mobilim ekonomik. Vetëm një pjesë e vogël, një apo dy individë, kërkojnë mobilim të mesëm apo luksi”, pohon znj. Zyberi.
Fredi Koldashi zotëron punishten “AB mobilieri” me 5 të punësuar, në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë. Ai thotë se për herë të parë në 15 vite aktivitet po përballet me vonesa të pagesave nga shumë klientë.
Edhe për këtë biznes, pezullimi i punës në karantinë shkaktoi ulje të shitjeve deri në 70%. Menjëherë me hapjen e ekonomisë, në maj, Fredi Koldashi pohon se u shtuan porositë për mobilie, sidomos nga familjarë që kishin blerë apartamente të reja. Aktualisht kërkesa në këtë punishte është tkurrur me 20%.
“Puna ende nuk është e stabilizuar. Këtë vit po ndodh fenomeni i vonesës së pagesave, që nuk e kemi hasur më parë. Të gjithë klientët kërkojnë që porosia t’u bëhet sa më shpejt, por kur vjen puna te pagesa, e vonojnë. P.sh., një kompani për organizimin e eventeve më kërkoi që të përfundoja sa më shpejt porosinë për tavolina që përdoren për ceremoni festive, por nga ana tjetër, më thanë të prisja për likuidimin, pasi edhe klienti i tyre nuk kishte paguar.
Tani sapo përfundova porosinë për një familje që jeton në zonën e ‘Don Boskos’, pagoi vetëm gjysmën e faturës dhe më kërkoi të pres për likuidimin e shumës. Vonesa e pagesave po na pengon për furnizimin e lëndës së parë. Me sforco po arrijmë të paguajmë punëtorët, pasi nëse ata largohen nga puna është e vështirë të gjesh ‘mjeshtër’ të përpunimit të drurit”.
Ai është një nga 1,488 njësitë prodhuese të mobilieve që operojnë në Shqipëri, sikurse raportoi dhe INSTAT në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve për vitin 2018. Krahasuar me vitin 2017, numri i bizneseve të prodhimit të drurit është ulur rreth 2,6%. Në 2015-n, numri i ndërmarrjeve të prodhimit të drurit kërceu nga 1,297 që ishin një vit më parë, në 1,465.
Rritja me rreth 13% e numrit të tyre erdhi për shkak të aksionit të antiinformalitet në 2015, ku shumë biznese që punonin në të zezë, u regjistruan. Siç tregojnë edhe të dhënat e INSTAT, për shkak të konkurrencës dhe rritjes të standardeve për cilësi, shumë biznese dolën nga tregu në 2016, ku numri i tyre arriti në 1,401. Në total, në këtë sektor, sipas të dhënave të INSTAT janë 8,296 të punësuar. Numri i tyre është rritur rreth 6% krahasuar me një vit më parë.
Eksporti
Rreth 10% e mobilieve të prodhuara nga kompania FPM shiten në tregun shqiptar, ndërsa 90% e tyre janë për eksport, kryesisht në Itali dhe Rumani. Drejtuesi i fabrikës së prodhimit të mobilieve (FPM) shpjegon se të ardhurat e kompanisë nga eksportet pritet të jenë më të ulëta se 2019, pasi këtë vit, fabrika për shkak të Covid-19 prodhoi vetëm 9 muaj.
“Në tre muajt e karantinës, eksportet shënuan rënie, për shkak të pezullimit të punës nga pandemia. Me hapjen e ekonomisë në maj, kërkesa filloi të rritet dhe ishte më e larta krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019. Parashikimet tona për mbylljen e vitit ishin për rritje të të ardhurave krahasuar me 2019, por për shkak të karantinës deri në fund të 2020, xhiroja nga eksportet mund të jetë 5% më pak se vjet. Mendoj se ecuria në tre muajt e mbetur do të jetë shumë pozitive, çka do të vazhdojë të rikuperojë humbjet e shkaktuara nga izolimi”. Parashikimet janë optimiste për rritjen e xhiros në 2021.
“Kjo pasi shohim që kërkesa nga blerësit e rregullt, (kategoria e klientit që blen mobilie nga janari deri në dhjetor) është shtuar shumë, çka tregon se shitjet vitin e ardhshëm do të jenë edhe më të larta se në 2019-n”, – pohon z. Linza.
Edhe përfaqësuesja e kompanisë “Shaga” nënvizon se eksportet shënuan rënie, për shkak të bllokimit të punës. Kompania rinisi eksportin e mobilieve në qershor, pas gati tre muajsh pezullim. Për periudhën janar-shtator, sipas të dhënave të INSTAT, eksportet mobilieve, u ulën në total rreth 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në këta 9 muaj janë eksportuar prodhime mobilerie me vlerë 3.2 miliardë lekë krahasuar me 3.7 miliardë lekë një vit më parë. Destinacioni kryesor është Italia, ku shkojnë 44% të totalit të eksporteve, e ndjekur nga Kosova, me 13.6%, dhe e treta Rumania, me 11.8%.
Importi, pandemia ndikon te prurjet e modeleve të reja
Për muajt janar-gusht, sipas të dhënave të INSTAT, u importuan prodhime mobilerie me vlerë 5 miliardë lekë. Importi ra 5.5% krahasuar me 2017. Në të njëjtën periudhë me një vit më parë u importuan rreth 5.4 miliardë lekë prodhime druri. Një nga partnerët kryesorë të importit të mobilieve është Italia. Përfaqësuesja e kompanisë Shaga, Klaudia Zyri, thotë se pezullimi i panaireve më të mëdha në shtetin fqinj, ndikoi në reduktimin e prurjeve të modeleve të reja.
“Moszhvillimi i një ndër panaireve më të mëdhenj në Itali, siç është ai i Milanos, ku marrim shumë furnizime, pengoi hyrjen e modeleve të reja. Për shkak të vonesave në importe, në shumë raste për shitjet kemi përdorur mallin e magazinuar. Ne gjithmonë mbështetemi te Panairi i Milanos për importin e modeleve të huaja, por tani po fokusohemi te modelet e ofruara online.
Edhe në këtë formë po hasim vështirësi, pasi nëse shohim një model të ri kuzhine, rezulton se janë të përfunduara, vetëm aksesorët dhe pjesët e tjera janë të papërfunduara. Në kompaninë tonë janë rreth 11 inxhinierë të specializuar në këtë fushë, përveç grupit të madh të arkitektëve dhe një pjesë të modeleve të reja po arrijmë t’i realizojmë në fabrikë. Megjithatë, janë disa elemente që duhet t’i marrim nga jashtë, ardhja e të cilave krijon vonesa”.
Të ardhurat e kompanive
Sektori i prodhimit të mobilieve në vend për 2018 gjeneroi gjithsej 17,7 miliardë lekë të ardhura, sipas INSTAT, me rritje 11%, me bazë vjetore. Të ardhurat e prodhuesve të drurit kanë shënuar rritje të qëndrueshme në total që nga 2010-a.
Të ardhurat e kompanisë FPM, një ndër prodhuesit më të mëdhenj në vend, sipas deklarimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit për vitet 2016-2019 shfaqen të qëndrueshme, e favorizuar nga zgjerimi i aktivitetit nga investimet për blerjen e lëndës të parë, të pajisura me certifikatë të sigurisë nga vendet e BE-së. Të ardhurat e kompanisë për vitin 2019 janë 1,1 miliardë lekë.
“Përmirësimi i treguesit të të ardhurave është një ndër objektivat e shoqërisë, ku përparësi mbetet zgjerimi i tregjeve vendase dhe të huaja. Kryerja e cilësisë së testeve të produkteve tona nga laboratorë të akredituar, sipas standardeve BE-së, do të favorizojë eksportin e tyre në vendet e Bashkimit Europian. Ndikim jofavorizues në këtë tregues mbeten konkurrenca informale në vend”, theksohet në raportin e aktivitetit të shoqërisë të dorëzuar në QKB.
Të ardhurat e realizuara nga kompania “Shaga”, si tregtimi i parketeve, lëndës të parë për mobilieri, mobilie të gatshme për familjarët dhe mobilim zyrash në vitin 2019, ishin 286,1 milionë lekë, rreth 27% më shumë se viti paraardhës.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) të ardhurat e kompanisë “Mobilieri Tirana”, me seli në Vaqarr, për vitin 2019 u rritën 24,3% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 404,8 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.