Prodhimi i shtuar nga reshjet përfundon si fitim në llogaritë e dy kompanive serbe, një zvicerane dhe një shqiptare. Na e shesin energjinë tonë dy herë më shumë se sa e blejnë
Një gabim në parashikim i operatorit të shpërndarjes (OSHEE-së) dhe KESH-it u ka kushtuar shqiptarëve rreth 2 milionë euro për vetëm një ankand të energjisë që zhvilloi KESH-i javën e parë të shkurtit 2015. Në kulmin e përmbytjeve të Jugut të vendit, Shqipëria pritet të ndryshojë buxhetin për të kompensuar dëmet e shkaktuara kryesisht në bujqësi, disa tregtarë të energjisë kanë përfituar nga rasti të bëjnë miliona euro me defektet e modelit shqiptar të energjisë dhe disa gabime në parashikimin e operatorit të shpërndarjes.
Ankandi, tregtarët ndajnë fitimet me KESH 50 me 50
Rritja e prurjeve në HEC ka qenë shqetësim i drejtuesve të KESH në dilemën e hapjes apo jo të digave, por dhe një lajm i mirë për të përmirësuar financat e kompanisë. Por, nga llogaritjet e kryera, nga ankandi i datës 2 shkurt rezulton se të ardhurat e KESH rreth 2.3 milionë euro janë ndarë thuajse përgjysmë me tregtarët, të cilët vetëm nga diferenca mes çmimit të shitjes për OSHEE dhe blerjes nga KESH kanë siguruar thuajse 2 milionë euro. GSA ka dhënë 29.5 euro për energjinë e blerë nga KESH, ndërkohë që në të njëjtin muaj ia shet energjinë për OSHEE me 57.2 euro për megavat. Gjithashtu, kompania tjetër EFT, që ka dominancën, e ka blerë nga KESH energjinë për eksport 29.6 euro për megavat, ndërsa ia ka shitur OSHEE me 57.3 euro.
Kompanitë EFT dhe GSA ruajtën 89% të dominancës të sasisë së eksportit të energjisë që do të bëjë KESH muajin shkurt. Dy kompanitë kanë ofruar një çmim pothuajse të njëjtë 29,5 euro për megavat, ndërsa dy kompanitë tjera që AXPO dhe Energy Supply pothuajse të cilat fituan të drejtat e shitjes për pak më shumë se 10% të sasisë së importit të shkurtit, dhanë një çmim të lartë, përkatësisht me 30 dhe 35 euro për megavat.
Gabimi në parashikim
Më datë 28 janar 2015, OSHEE bleu energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve për periudhën 01-28.02.2015 në sasinë 188,160 MWh që kapte vlerën e 10 milionë e 747 mijë euro (vlera pa TVSH). Çmimi i sasive më të mëdha të blera shkonte në 57.4 euro për megavat/orë. Vetëm 5 ditë më vonë, KESH vë në eficencë maksimale turbinat e hidrocentraleve dhe organizon më datë 2 shkurt një ankand për shitje. Tregtarët janë thuajse të njëjtët me ndonjë përjashtim dhe çmimi i ofruar nga ata (29.4-32.2 euro për megavatorë) për energjinë e “lirë” të KESH është pothuajse sa gjysma e çmimit që po ata ia kishin shitur OSHEE për humbjet e muajit shkurt.
Sigurisht që kompanitë private janë në të drejtën e tyre legjitime të gjenerojnë të ardhura dhe të maksimizojnë fitimet e tyre por paradoksi qëndron te kompanitë publike shqiptare, KESH dhe OSHEE, që të dyja në pronësinë dhe drejtimin e këshillave mbikëqyrës nga e njëjta ministri, ajo e Energjetikës. Në një kohë që KESH është në superprodhim të energjisë për shkak të reshjeve dhe e ka koston e gjenerimit rreth 1 lekë për kilovatorë, OSHEE nxiton të lidhë kontrata për energjinë për gjithë muajin shkurt në një vlerë mbi 10 milionë euro. Kjo situatë, që përkthehet në miliona euro dëme për ekonominë shqiptare dhe miliona euro fitime për kompani që vijnë kryesisht nga Serbia, mund të ishte shmangur nëse dy shoqëritë dhe Ministria e Energjetikës do të koordinoheshin për të gjetur një zgjidhje që të paktën përfitimet e reshjeve të mos rridhnin lumë nga xhepat e shqiptarëve drejt tregtarëve të energjisë.
Rreth 2 milionë euro ishte vlera e humbur si diferencë vetëm për ankandin e parë të muajit shkurt, ndërkohë që KESH kishte njoftuar se më datat 7-28 shkurt do të zhvillonte sërish një ankand tjetër për shitjen e energjisë në dy lote, për një kapacitet për secilin lot deri në 200 mega dhe sasi 19 800 megavatorë.
Si u ndanë përfitimet
Energjia elektrike është një mall neutral dhe nuk ka ndryshime në karakteristika mes prodhimit hidro apo nga TEC. Një tjetër dëm i shkaktohet buxhetit të kompanive, pasi humbjet në rrjet nga importi janë më të larta për shkak se importi kalon në sistem më të gjatë transmetimi dhe humbjet janë më të mëdha.
Furnitorët e OSHEE janë tre kompani të grupit Gen I, Antix sh.p.k, AXPO a.g., AXPO Albania, GSA sh.p.k. dhe EFT AG. Po të shohësh tregtarët që blejnë energjinë te KESH janë thuajse të njëjtat kompani dhe nga njoftimet e tenderëve të KESH, shoqëritë që kanë kërkuar të blejnë energjinë janë shoqëritë GEN-I, EFT AG, AXPO doo Beograd, GSA sh.p.k; Danske Commodities Albania sh.p.k. dhe Energy Supply & Trade doo Beograd.
Të dhënat financiare për dy ankandet mes blerjes nga OSHEE dhe shitjes nga KESH për kompaninë EFT tregojnë se ka diferencë 27.9 dhe 29.21 euro për megavatorë për dy lote që me sasitë korresponduese 20400 dhe 20900 megavatorë. Nëse kjo energji po i shitet OSHEE me 57.3 euro për megavatorë, diferenca si fitim për shoqërinë EFT shkon në 1 milionë e 179 mijë euro.
Edhe shoqëria GSA, që rezulton se blen energji nga KESH dhe i shet energji OSHEE, brenda pesë ditëve ka fituar ankandin e blerjes me 30.95 dhe 28.1 euro për megavatorë, ndërkohë që ia shet OSHEE me 51.6 euro. Diferencat në çmime janë të konsiderueshme, në një fitim nga 20.65 në 23.5 euro për megavatorë, që në total ka sjellë 708.820 euro të ardhura për këtë shoqëri, të cilat mund të ishin kursyer nëse KESH do të merrte pjesë në ankandet e blerjes së energjisë nga OSHEE për mbulimin e humbjeve.
Edhe shoqëria Axpo ka marrëdhënie kontraktore me KESH dhe OSHEE pasi në ankandin e datës 28 janar 2015, e ka fituar sasinë që do t’i ofronte OSHEE me çmimin më të ulët nga të gjithë konkurrentët, 53 euro/megavatorë, por që gjithsesi është shumë më i lartë se çmimi që e bleu energjinë nga KESH me 32.1 euro. Diferenca në çmim prej 20.9 euro me sasinë 4400 megavatorë ka sjellë një tepricë monetare për këtë shoqëri, në rreth 92 mijë euro
Paradoksi i modelit të tregut, eksportojmë lirë, importojmë shtrenjtë
Çdo muaj, OSHEE blen 10-15 milionë euro energji nga importi me çmim të derregulluar (si të rezultojë nga ankandi) për mbulimin e humbjeve ndërkohë që KESH është e përjashtuar nga kjo procedurë (pra nuk mund t’i shesë OSHEE për humbjet) pasi paradaksolisht OSHEE përdor rregulloren e KESH për blerjen e energjisë dhe normalisht kjo rregullore e përjashton KESH nga ankandi (KESH nuk mund t’i blejë vetes).
Ky është paradoksi me humbjet neto që ka Shqipëria me eksport-importin e energjisë. Në seancën dëgjimore për tarifat e energjisë (5 dhjetor 2014) drejtuesve të KESH-it iu drejtua pyetja se sa kushton importi dhe eksporti në emër të saj i energjisë, dhe përfaqësuesi i saj u përgjigj se, në vitin 2013, ka eksportuar me çmim mesatar 30-35 euro, ndërsa në 2014, me çmim mesatar, 41 euro. Ndërkaq, për importin, gjatë vitit 2014, çmimi mesatar ishte 45 euro. Ekspertët e KESH, me të drejtë, thanë se bëhet fjalë për periudha të ndryshme kohore mes eksportit dhe importit.
Por, në fakt, në çfarëdo muaji të vitit të eksportojë KESH, përsëri Shqipëria humbet nga tregtimi i energjisë sepse, sipas modelit aktual, Operatori i Shpërndarjes duhet ta importojë energjinë për humbjet (10-20 milionë euro çdo muaj) dhe KESH-i dhe prodhuesit e energjisë në vend janë të përjashtuar nga ankandet?! E, për pasojë, KESH eksporton me 30-35 euro në dimër, ndërsa OSHEE blen me 55-60 euro ose dyfishin e çmimit, duke i shkaktuar vendit dëme në miliona euro.
Sektori në vakuum ligjor dhe rregullativ
Paradoksi tjetër lidhet me vakuumin rregullator për tregun e energjisë, pasi në fund vitit 2014 përfundoi periudha e parë rregullatore, u shfuqizua modeli i tregut dhe deklarata rregullatore, ndërkohë që Kuvendi ende nuk e ka miratuar ligjin e ri “Për energjinë”.
Edhe tarifat e reja të energjisë për 2015 është e pakuptimtë që aplikohen me modelin e vjetër të tregut, duke mos qartësuar se si do të jenë marrëdhëniet mes kompanive, do të ndahet apo jo prodhimi nga furnizimi publik me shumicë (nga tabela duket se KESH bën dy aplikime), do të ndahet shpërndarja (shumica) nga furnizimi (pakica) siç parashikon projektligji “Për energjinë”?
OSHEE vazhdon të zbatojë rregulloren e KESH për blerjen e energjisë, edhe pse ka më shumë se një vit që i është rekomanduar ERE-s të ketë një rregullore të posaçme për importin e energjisë. Kjo është Shqipëria, kriza e përmbytjeve mund të përdoret si shans për rregullimin e tregut. Ndoshta për muajin mars, nëse vazhdojnë reshjet, Ministria e Energjetikës, ERE, KESH dhe OSHEE mund të gjejnë një zgjidhje që të na kursejnë miliona euro të “përmbytura” nga gabimet në parashikime dhe modeli i çuditshëm i tregut.
Kush i shet OSHEE energji gjatë muajit shkurt
- Shoqëria AXPO doo Beograd: Kapaciteti: 6 MW; Sasia: 4,032 MWh; Çmimi/njësi: 51.60 Euro/MWh; Vlera totale: 208,051 euro;
- Shoqëria ANTIX sh.p.k.: Kapaciteti: 40 MW; Sasia: 26,880 MWh; Çmimi/njësi: 56.90 Euro/MWh; Vlera totale: 1,529,472 euro;
- Shoqëria GEN-I Tirana sh.p.k.: Kapaciteti: 60 MW; Sasia: 40,320 MWh; Çmimi/njësi: 57.15 Euro/MWh; Vlera totale: 2,304,288 euro;
- Shoqëria GSA sh.p.k.: Kapaciteti: 85 MW; Sasia: 57,120 MWh; Çmimi/njësi: 57.30 Euro/MWh; Vlera totale: 3,272,976 euro;
- Shoqëria EFT AG: Kapaciteti: 89 MW; Sasia: 59,808 MWh; Çmimi/njësi: 57.40 Euro/MWh; Vlera totale: 3,432,979 euro;
Kush e bleu energjinë e lirë të KESH-it për muajin shkurt
Shoqëria GSA sh.p.k:
Lot 1 Kapaciteti: 70 MW; Sasia: 16,800 MWh; Çmimi/njësi: 30.95 Euro/MWh; Vlera totale: 519,960 euro;
Lot: 2 Kapaciteti: 70 MW; Sasia: 15,400 MWh; Çmimi/njësi: 28.10 Euro/MWh; Vlera totale: 432,740.00 euro;
Shoqëria Axpo doo Beograd:
Lot 1, Kapaciteti: 20 MW; Sasia: 4,400 MWh, Çmimi/njësi: 32.15 Euro/MWh; Vlera totale: 141,460.00 euro
Shoqëria EFT AG:
Lot: 1 Kapaciteti: 85 MW; Sasia: 20,400 MWh; Çmimi/njësi: 30.93 Euro/MWh; Vlera totale: 630,972.00 euro;
Lot: 2, Kapaciteti: 95 MW; Sasia: 20,900 MWh; Çmimi/njësi: 28.09 Euro/MWh; Vlera totale: 587,081.00 euro;
4-Energy Supply & Trade doo Beograd:
Lot: 2 Kapaciteti: 10 MW; Sasia: 2,200 MWh; Çmimi/njësi: 35.00 Euro/MWh; Vlera totale: 77,000.00 euro
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.