Flet Loreta Hysa, administratore e AutoYou
i ka qenë aktiviteti i kompanisë suaj ndër vite?
Kompanitë Say Taxi, Electrify Albania dhe AutoYou, janë pjesë e projektit Tirana Last Mile, i vënë në jetë që të mundësojë zëvendësimin e modelit të amortizuar të transportit urban të qytetarëve të vendit, më konkretisht, zëvendësimin e 80% të makinave me motor me djegie të brendshme, me makina elektrike.
AutoYou është e specializuar në shitjen dhe implementimin e teknologjisë lidhur me mobilitetin elektrik. Kompania që po ndërton infrastrukturën e kullave të karikimit të makinave elektrike në Shqipëri, është Electrify Albania, pjesë e të njëjtit grup (aktualisht ka kulla të shpejta karikimi në Tiranë, Fier dhe Gjirokastër) dhe Say TAxi është kompania që ofron ndërlidhjen e ofruesve të shërbimit taksi me flotë elektrike automjetesh dhe klientëve, me çmime ekonomike.
Puna ka nisur që në vitin 2014, ndërkohë që makina e parë elektrike në Shqipëri është shitur në vitin 2016, automjet taksi. Nisi me biznesin taksi meqenëse është target grupi që përfiton më shumë nga kjo teknologji sepse ka edhe shpenzimet më të mëdha. Dy vitet e para ka qenë studim tregu dhe investime në infrastrukturë. Aktualisht, kemi konvertuar 15 taksistë individualë të Tiranës nën logon e Say Taxi.
Ky është një proces ku shpenzimet operative kthehen në investim. Ndërkohë aplikimi i sistemeve monitoruese mundëson dyfishimin e të ardhurave duke funksionuar 24 orë. Ky model dyfishon (në disa raste edhe trefishon) rezultatin, krijon punësim dhe ul nevojën për të shtuar automjete si pasojë e eficencës së lartë të përdorimit.
Taksistët e Say Taxi janë pronarë të automjeteve të tyre dhe nga punëmarrës, janë kthyer në punëdhënës, duke punësuar edhe një taksist tjetër në turnin e radhës, për funksionimin 24 orë të shërbimit. Kjo rrit fitimin dhe eficencën. Teknologjitë smart lejojnë monitorimin dhe kontrollin e plotë të automjetit në çdo kohë nga punëmarrësi. Falë kësaj, është vërtetuar që shërbimi taksi mundëson kalimin në teknologjinë elektrike vetëm me shpenzimet operative, pa pasur nevojë për investim fillestar. Potenciali është që 50% e taksive që duhet të rinovojnë licencën vitin e ardhshëm, ta bëjnë me automjet elektrik.
Çfarë problematikash ka ky treg në Shqipëri?
Kryesisht probleme mendësie, sepse është e vështirë të ndryshohet çfarë është konsideruar gjithmonë e mirëqenë, që nuk funksionon ndryshe dhe mungesë lehtësish nxitëse nga pushteti vendor. Në shtete të tjera europiane, ka lehtësi për karikim falas për dy vitet e para të atyre që blejnë automjete elektrike, rimbursim TVSH-je për individët, parkim falas në çdo hapësirë parkimi për automjetet elektrike apo edhe financim në deri 40% të vlerës së investimit për bizneset që investojnë në këtë fushë. Kjo do ta përshpejtonte këtë trend.
Electrify Albanian synon të mundësojë stacione të shpejta karikimi në distancë 100 km nga njëri-tjetri. Aktualisht stacione të shpejta karikimi (karikim i plotë për 30 min), të hapura për t’i ofruar shërbim publikut, gjenden në Tiranë (spitali Hygeia), Fier, (Karburant Elda, pranë qendrës Gold, Rruga Aulona) dhe Gjirokastër (Karburant Asr, rruga Gjirokastër-Janinë). Minimalisht makina elektrike ka autonomi 150 km, ndërkohë që shumica prej nesh nuk kryejnë më shumë se 19 km në ditë. Teknologjia e makinave elektrike është në përmirësim vit pas viti. Nissan Leaf, lider botëror i makinave elektrike për sa i përket raportit të shkëlqyer kosto-eficiencë, ka arritur në autonomi 380 km për Nissan Leaf 2018.
Si është konkurrenca në këtë sektor?
Falë profilizimit tonë, ky është rasti kur futja e aktorëve të tjerë në treg vërtet na gëzon, sepse ndihmon në përhapjen dhe fuqizimin e koncepteve të elektomobilitetit. Auto You nuk është koncesionar i një brandi të caktuar automjetesh, Kjo me zgjedhjen tonë, për t’iu përshtatur nevojave të çdo klienti bazuar në operacionet e përditshme të transportit.
Po ashtu jemi në gjendje të ofrojmë edhe shërbimet e pas-shitjes në vend.
Ndërsa Say Taxi funksionon si një aplikacion që ndërlidh ofertën me kërkesën. Praktikisht, çdo taksist i pavarur apo kompani taksish mund të bëhet pjesë, si një mjet për t’u lidhur me klientët. Me planin tonë vjetor të investimit në infrastrukturën për stacionet e karikimit, Shqipëria do të jetë vendi me infrastrukturën më të lartë, krahasuar me shtetet më të zhvilluara europiane dhe vendet nordike, duke përllogaritur raportin popullsi/m².
A është biznes fitimprurës?
Aktualisht është më fitimprurës për klientët tanë, të cilët kursejnë shpenzimet operative të karburantit dhe mirëmbajtjes. Edhe më tepër për bizneset që operojnë më flota të mëdha. Kemi punuar me plane fizibiliteti edhe për biznese që shpenzojnë 4 mln lekë karburante në muaj dhe me makina elektrike mund të shpenzojnë vetëm 400 mijë lekë. Dy vitet e para (2014-2016) për të sjellë në praktikën shqiptare teoritë e elektromobilitetit, infrastruktura dhe menaxhimi i kësaj teknologjie në këtë fazë është i kushtueshëm për kompaninë, e ne jemi ende në fazë investimi, qoftë për të sjellë larmishmëri automjetesh dhe për të shtuar stacionet e karikimit, edhe në qytete të tjera. Por, padyshim, është një biznes i qëndrueshëm dhe në vitet në vijim, pritet të jetë edhe më fitimprurës. Elektromobiliteti ka nevojë për profesionistë, sepse nisur nga ideja e fitimit abuzohet me funksionalitetin.
Si e shikoni të ardhmen?
E ardhmja është vetëm elektrike! Ndërkohë që në Tiranë numërohen më shumë se 50 automjete elektrike, në Europë, numri i tyre ka arritur mbi 1 milion. Politikëbërësit e Bashkimit Europian prej kohësh kanë arritur në marrëveshje për të ulur ndotjen që shkaktohet nga transporti me 35% deri në vitin 2030, duke i ofruar nxitje zhvillimit të makinave elektrike. Pritet që në më pak se 20 vite, e vetmja dilemë do të jetë se cilën makinë elektrike të zgjedhësh dhe jo një makinë elektrike apo një me motor me djegie të brendshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.