Nafta drejt kolapsit

18/01/2016 1:01 PM 0 komente

Me zbritjen e naftës nën 30 dollarë për fuçi, trazirat dhe pasiguritë rikthehen në tregun botëror. Shumë vende nuk kanë në plan të ndalojnë me furnizimin e tepërt, ndërsa kompanitë po shkurtojnë vende pune

Çmimi i naftës bruto zbriti nën 30 dollarë për fuçi javës së kaluar në bursa, duke shënuar nivelin më të ulët të saj që nga përfundimi i luftës në Irak.

Tendenca e çmimit (kur analistë tregjesh flasin edhe për kufij nën 20 dollarë për fuçi) paralajmëron kolapsin e shumë industrive dhe shkurtime masive të vendeve të punës. Ben le Brun, analist tregjesh në Sidney, thotë se “pjesa më e madhe e lajmeve rreth naftës janë negative”.

Ekonomistët thonë se gjendja në tregjet e karburanteve është më keq se sa parashikohej. Për konsumatorët amerikanë ky është një lajm pasi në 18 muaj, çmimi është përgjysmuar.

Por, përse po ulet gjithnjë e më tepër çmimi i naftës? OPEC vlerësohet të jetë në një rrëmujë të vërtetë. Së fundi pritej një takim urgjent mes drejtuesve të OPEC-ut, ku liderët e Arabisë Saudite kërkonin të pritej prodhimi në vende si Nigeria. Por, zyrtarët e Emirateve të Bashkuara i ulën shpejt këto shpresa duke thënë se strategjia aktuale po funksionon. Thyerja brenda OPEC-ut ka ulur shpresat për të kufizuar prodhimin, ndërsa tensioni mes Arabisë Saudite dhe Iranit po nxit uljen gjithnjë e më tepër të çmimit.

Nga ana tjetër, edhe prodhimi i naftës në SHBA është në nivelet afër pikut, me rreth 9.35 milionë fuçi në ditë. Michael Ritenn, analisti i tregjeve pranë ‘Societe Generale’, thotë se “tregjet kanë humbur besimin se prodhimi amerikan i naftës do të ulet me shpejtësinë e mjaftueshme për të ndikuar në stabilizimin e çmimit”.

Ndërkohë, bota po përgatitet që edhe Irani të nisë furnizimin me tepri të naftës.

Edhe dollari i fortë përbën një rrezik për çmimin e naftës, duke bërë që blerësit në dollarë të përfitojnë nga ulja e çmimeve, ndryshe nga pjesa tjetër e botës.

Një faktor i ri për kolapsin e industrisë së naftës është edhe tregu kinez. Dobësimi i ekonomisë kineze ka krijuar tension në tregjet globale së fundi. Shqetësimet janë se ekonomia e saj po ulet më shumë se ç’mendojnë investitorët, duke paralajmëruar se nevojitet më pak karburant për furnizimin e saj.

Ndërsa fituesit më të dukshëm janë konsumatorët dhe ekonomia amerikane, në shumë vende të tjera (në mënyrë të dukshme edhe Shqipëria) çmimi nuk ulet, ndërsa vendet prodhuese e përpunuese të naftës po shkurtojnë masivisht vende pune.

Edhe kompania shtetërore e prodhimit në Brazil ka ulur me një të katërtën objektivat e prodhimit. Që nga fillimi i rënies së çmimeve, industria e naftës në nivel global ka shkurtuar rreth 250 mijë vende pune, sipas kompanisë konsulente, Hjuston Grejv. Ekonomistët e saj parashikojnë shkurtime të mëtejshme pasi kompanitë e prodhimit janë futur në një gjendje të vështirë financiare.

 

Drithërimat e një fundi pa krye

Rënia e çmimeve të naftës është kthyer në një shkatërrim, shkruan ‘Financial Times’. Çdo shpresë e industrisë për një reagim në vitin 2016 është zbehur, duke u hapur rrugë dëshpërimit për një goditje që lë pas gjithë përpjekjet e furishme për të zvogëluar shpenzimet.

Sipas Wood Mackenzie, kompanisë konsulente të energjisë, asnjë gjysmë duzinë projektesh të mëdha nuk do të fitojnë viston e investimeve këtë vit. Kompanitë e naftës të cilat kishin planifikuar vetëm pak muaj më parë të “thyenin” çmimin 60 dollarë për një fuçi naftë bruto, duke vendosur të vijojnë investimet me kursimet e tyre të hershme, tani po mendohen edhe një herë. “Ky do të jetë një vit brutal”, ka thënë për FT analisti Angus Roger. Sipas tij, pjesa më e madhe e kompanive do të fokusohen tek mbijetesa afatshkurtër dhe te shkurtimi i kostove. Ka ende shumë punë për të rindërtuar portofolat”.

Vendimi i BP-së javën e kaluar për të prerë mijëra vende pune në eksplorimin dhe prodhimin, pra krahun e saj më të goditur, dhe një lëvizje e brazilianes ‘Petrobras’ për të prerë dhjetëra miliarda dollarë shpenzime, nuk do të jetë lëvizja e fundit. Përkundrazi, analistët thonë se me zhytjen e çmimit të naftës nën 30 dollarë për fuçi, presioni mbi grupet globale të energjisë për të mbështetur financat e tyre, do të rritet. Shkurtime të thella si dhe vonesa e mëtejshme e projekteve të investimit me miliarda dollarë, shtrihen përpara.

Gjiganti i BP ka bërë të ditur së fundi se do të pushojë 4 mijë punonjës në pjesën e saj të eksplorimit dhe prodhimit, si një raund i mëtejshëm i shkurtimit të kostove.

“Kompanitë duhet të jenë të kujdesshme për të parë atë çfarë po ndodh”, thotë Daniel Yergin, drejtues i kompanisë konsulente IHS dhe autor i historisë së naftës, “Çmimi”. “Kjo është një periudhë pikëlluese për industrinë”.

Ai e krahason rënien aktuale, të shkaktuar nga tepria e furnizimit në SHBA, kërkesa më e dobët kineze dhe vendimi i OPEC-ut për të mos prerë prodhimin, me uljen e fortë të vitit 1980, herën e fundit kur karteli i udhëhequr nga Arabia Saudite braktisi rolin e saj tradicional si një forcë stabilizuese në treg.

Kthimi i parashikuar i prodhimit iranian, sapo të hiqen sanksionet, dhe një dollar i fortë kanë peshuar gjithashtu në naftën e papërpunuar.

Tërheqja e spinës në shpenzimet kapitale, shkruan ‘Financial Times’, është reagimi i parë dhe më i lehtë pas rënies së çmimeve të naftës.

Me shtyrjen e shpenzimeve, kompanitë kompensojnë efektin e të ardhurave kesh dhe shpresojnë të ruajnë dividendët e tyre.

Nivele të tjera përfshijnë një huamarrje më të madhe dhe shkurtim të vendeve të punës. Industria vlerëson se 65 mijë të tilla janë humbur vetën në Detin e Veriut qëkurse çmimet nisën të binin. Por edhe kjo ka kosto. Pagesa më shpejt vjen thjesht duke u rikthyer te planet e rritjes dhe pritjes që çmimet e vendosura nga furnizuesit të bien.

Kjo është ekzaktësisht ajo që industria ka bërë. Në një studim gjithëpërfshirës, Wood Mac, thotë se 68 projekte të rëndësisë së madhe janë shtyrë për shkak se çmimet e naftës bruto kulmuan verën e vitit 2014, përmes të cilave përfaqësoheshin shpenzime kapitale me vlerë 380 miliardë dollarë, një kapërcim i konsiderueshëm përtej 300 miliardë dollarëve të identifikuara në qershor.

Studimi vlerëson tashmë se, “ajo çfarë nisi në fund të 2014-s si një reduktim i shpenzimeve diskrecionale mbi eksplorimet dhe projektet parazhvillimore është kthyer tashmë në një ndërhyrje të plotë kirurgjikale, për të hequr ndërhyrjet joelementare dhe shpenzimet mbi kapitalin”.

Të përfshira në total janë dy të ashtuquajtura megaprojekte: faza e dytë e fushës mjaft të trazuar të Kashganit në Kazakistan, e drejtuar nga një konsorcium ndërkombëtar dhe që numëron një prodhim maksimal prej 600 mijë fuçish në ditë, si dhe fusha mbajtëse e gazit natyror Golginjo e Mozambikut, e zhvilluar nga Anadarko.

Në total, rreth 27 miliardë fuçi nafte të barasvlefshme në rezerva ose 2.9 milionë fuçi në ditë prodhim i lëngshëm, nuk do të dalë në treg deri në fillim të dekadës së ardhshme, më vonë nga ç’ishte paraparë. Fushat me kosto të lartë të thellësive ujore, veçanërisht ato në Angola, Nigeri e në Gjirin e Meksikës, që kërkojnë një investim mjaft të madh, përllogaritet të përmbajnë më shumë se gjysmën e prodhimit që paraqitet. Angola përbën një të pestën e shpenzimeve të shtyra. Në Kanada, ku ka dyndje të prodhimit të Shteteve të Bashkuara dhe çmime të ulëta, ka bërë që shumë projekte në zonat naftëmbajtëse të jenë të paleverdishme. Ato përllogaritet të kenë një rezervë prej 4 milionë fuçish.

 

Nafta e madhe në kohë të vështira – rasti i uljes së dividendëve

E vërteta shokuese është që shumë prej kompanive në bizneset e naftës dhe gazit, po detyrohen të marrin hua për të përmbushur detyrimet e tyre dhe kjo është mjaft e rrezikshme për t’u bërë. Shumë pak zhvillime të tilla kanë të ngjarë për t’u aprovuar këtë vit. Me një çmim dysheme prej 60 dollarësh të naftës bruto të Brentit, Wood Mac përllogarit që 85% e projekteve zhvillimore në fushat naftëmbajtëse që presin aprovimin, të mos arrijnë të përfitojnë 15% shlyerje të kësteve të brendshme dhe shumë prej tyre dështojnë të gjenerojnë edhe 10%. Parashikimet për këto fusha janë të dobëta. Për më tepër, teksa kompanitë po përjetojnë benefite nga reduktimi i shpenzimeve, evidencat janë të pakta tek kursimet e përhapura gjerësisht që bëhen përmes furnizuesve. Në kontrast me naftën amerikane, që nuk përfshihet në studim dhe pavarësisht rënies së çmimit të naftës ndërkombëtare, kostoja e furnizuesve ka rënë me vetëm 10 dollarë për naftën e nxjerrë në zonat ranore dhe atë nga thellësitë e detit. “Disa prej operatorëve nuk po presin”, thotë Wood Mac. “Një listë në zgjerim e kompanive të pavarura amerikane – përfshirë Marathon dhe Conoco Phillips – kanë vendosur të largohen nga pozicionet globale për naftën e thellësive të detit për t’u përqendruar te fushat vendase.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of