Hyjnë në fuqi ndryshimet e qeverisë për procedurat në dhënin e autorizimit për përjashtimet nga TVSH-ja për bizneset që do të angazhohen në rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.
Vendimi i ndryshuar që është botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se nga TVSH-ja do të përjashtohen edhe nënkontraktorët që furnizojnë direkt me mallra dhe shërbime ndërtuesin.
“Përjashtohen nga TVSH-ja, nënkontraktorët, të cilët kanë lidhur kontrata me ndërtuesit/kontraktorët të përcaktuara sipas vendimit për furnizimin e proceseve të ndërtimit, si dhe furnizuesit e mallrave ose të shërbimeve që furnizojnë direkt ndërtuesit e autorizuar.”
Për të përfituar nga përjashtimi i TVSH subjektet duhet të pajisen me një autorizim nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, proces të cilin duhet ta kryejnë edhe nënkontraktorët.
Vendimi përcakton se para se të përfitojnë autorizimin, subjektet duhet të dorëzojnë në tatime që nga kërkesa me shkrim, NIPT-i, marrëveshjen me njësinë zbatuese të programit të rindërtimit, marrëveshjen me donatorin për rastet kur ai merr përsipër ndërtimin dhe koston e punimeve. Afati i shqyrtimit të kërkesës dhe lëshimit të autorizimit do të jetë 5 ditë. Lista me përfituesit do të publikohet në faqen zyrtare të tatimeve.
Në total fatura e dëmeve e llogaritur nga qeveria, e cila u prezantua në shkurt edhe në konferencën ndërkombëtare të donatorëve llogaritet në vlerën e 985,1 milionë lekëve. Ministria e Rindërtimit dhe Zhvillimit ka llogaritur se pjesa më e lartë e faturës totale të dëmeve është për dy qytetet kryesore të vendit Tiranën dhe Durrësin, në vlerën e 613 milionë eurove.
Në të gjithë vendin dëmet më të mëdha u shkaktuan në sektorin e strehimit. Dëmet në këtë sektor llogariten në vlerën e 696,3 milionë lekëve. Në rang vendi sipas të dhënave të Ministrisë të Rindërtimit janë për t’u shembur 115 pallate dhe 1,523 shtëpi individuale.
Vendimi i plotë
-Për t’u pajisur me autorizimin e përjashtimit nga TVSH-ja, subjektet duhet të paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën me shkrim, së cilës i bashkëlidhet një fotokopje e certifikatës së NIPT/NUIS-it;
b) Marrëveshjen kuadër, që kanë lidhur me njësinë zbatuese për secilën procedurë prokurimi publik të programit të rindërtimit, sipas parashikimeve në ligjin e fushës, në rastin e ndërtuesit/kontraktorëve;
c) Marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe donatorit, në rastet kur ndërtuesi, subjekt i rindërtimit, është përcaktuar nga donatori që ka marrë përsipër procesin e ndërtimit, në përputhje me programin e rindërtimit;
ç) Preventivin e punimeve, mbi bazën e të cilit janë përzgjedhur fitues për kontratat publike për punime/shërbime ndërtimi, në kuadër të zbatimit të procesit të rindërtimit, shoqëruar kjo me listën e detajuar të materialeve që do të përdoren në procesin e ndërtimit, në rastin e ndërtuesit/nënkontraktorëve;
d) Kopjen e lejes së ndërtimit, të miratuar nga organet kompetente, në rastin e ndërtuesve;
dh) Kontratën e lidhur me ndërtuesin/kontraktorin, në rastin e furnizuesve të mallrave ose të shërbimeve që furnizojnë direkt ndërtuesit e autorizuar, kontraktorë/nënkontraktorë.
-Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, brenda 5 ditëve pune, nga data e dorëzimit të dokumentacionit, shqyrton kërkesën e paraqitur nga subjektet e rindërtimit. Nëse konstatohen mangësi në dokumentacion, njoftohet kërkuesi për mangësitë e konstatuara dhe për plotësimin e dokumentacionit brenda një afati pesëditor.
-Bazuar në rezultatet e shqyrtimit, kur përmbushen kërkesat e përcaktuara dhe është plotësuar dokumentacioni i sipërpërmendur, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, brenda 5 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës, lëshon autorizimin e përjashtimit nga TVSH-ja për subjektet e rindërtimit. Një kopje e autorizimit, së bashku dokumentacionin shoqërues i përcillet drejtorisë rajonale tatimore përkatëse, që ka në administrim tatimpaguesin, subjekt të rindërtimit.
-Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikon në faqen zyrtare dhe mban të përditësuar listën e subjekteve të rindërtimit, të cilat janë pajisur me autorizim përjashtimi nga TVSH-ja, ku pasqyrohen të dhënat identifikuese të tatimpaguesit, NIPT/NUIS-i, numri dhe data e lëshimit të autorizimit.
-Furnizuesit e mallrave/shërbimeve të përjashtuara nga TVSH-ja për procesin e ndërtimit, në momentin e lëshimit të faturës tatimore duhet të shënojnë në faturë dispozitën ligjore, sipas së cilës furnizimi është i përjashtuar, si dhe numrin e datën e autorizimit të përjashtimit. Gjithashtu, furnizuesi i bashkëlidh kopjes së faturës tatimore, që mban vetë, edhe një kopje të autorizimit të përjashtimit. Asnjë përjashtim nuk akordohet për furnizuesit e mallrave ose të shërbimeve që nuk furnizojnë direkt ndërtuesit e autorizuar nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
-Ndërtuesit, subjekte të rindërtimit, të cilat i importojnë vetë mallrat që do të përdoren prej tyre për procesin e ndërtimit, pas marrjes së autorizimit të përjashtimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, paraqiten pranë autoritetit doganor për të përfituar përjashtimin në import për këto mallra.
-Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve miraton procedurë/manual të posaçëm, me qëllim kontrollin e zbatimit të përjashtimeve, në përputhje me legjislacionin për tatimin mbi vlerën e shtuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.