Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, kishte deklaruar se ka këngëtarë që paguajnë vetëm 500 euro për aheng, mirëpo çmimi për një dasmë kushton deri në 10 mijë euro. Murtezaj pati thënë se gastronomia është një nga sektorët që sjell rreziqe tatimore.
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se monitorimi i fokusuar i hotelerisë/gastronomisë dhe funksioneve që lidhen me to, si këngëtarëve, stilistëve etj, ka nisur përmes projektit specifik për përmbushje tatimore në vitin e kaluar.
Ky projekt ka dhënë rezultatet e veta në trajtimin e sektorëve të përmendur më sipër, të cilët në sistemin e ATK-së dhe kanë paraqitur nivel të konsiderueshëm të rrezikut.
“Thirrjet e shpeshta nga ATK për të përmbushur detyrimet dhe puna në teren, kanë rezultuar që statistikat nga ky sektorë të jenë në një nivel të kënaqshëm, duke filluar nga qarkullimi i deklaruar me 24.24% ose 64 milionë euro, pagesa 117.08% ose 10 milionë euro dhe numri punëtorëve 14.45% ose 2,820 punëtorë më shumë se viti i kaluar. Pastaj, duke vazhduar me gjetjet nga tereni, si qarkullimi shtesë nga vizitat me dallim enorm prej 321.95% më shumë se vitin e kaluar”.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se në sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë, përveç atyre që u përmend, si dukuri e cila mbetet ndër faktorët kyç të informalitetit janë edhe punëtorët e padeklaruar, e kjo është dëshmuar edhe nga puna e inspektorëve, të cilët për 2022 kanë formalizuar 111.84% punëtorë më shumë se vitin e kaluar. Ajo çka vlen të potencohet është se ky sektor prin me statistika sa i përket fiskalizimit, por mbetet sfidë lëshimi i kuponëve fiskal.
“Projekti për përmbushje tatimore në hoteleri dhe gastronomi, si dhe zinxhirin e tyre bashkëpunues do të vazhdoj të implementohet, me qëllim të formalizimit plotë të aktiviteteve. Administrata Tatimore e Kosovës vazhdon me kërkesën për tatimpaguesit, që të përmbushin obligimet e tyre tatimore, si një e mirë e gjithmbarshme”.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media kishte deklaruar se ka këngëtarë që paguajnë vetëm 500 euro për aheng, mirëpo çmimi për një dasmë kushton deri në 10 mijë euro.
Murtezaj pati thënë se gastronomia është një nga sektorët që prodhon rreziqe tatimore.
“Gastronomia është një nga sektorët që prodhon rreziqe tatimore, ku në këtë rast kemi përgatitur projektin e veprimit, ku me anë të një kampanje i kemi informuar të gjithë akterët në përputhje me të gjitha deklarimet nga legjislacioni tatimor. Me anë të grumbullimit të fakteve kemi ardhur në përfundim se ka shpërputhje të madhe të asaj se çfarë është deklaruar në të kaluarën dhe në atë se çfarë kanë gjetur inspektorët tonë me prezencë fizike”.
Sipas tij, pas afateve të mos deklarimeve inspektorët e ATK-së do të aplikojnë masa ndëshkuese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.