Në pritje të (ri)rritjes

19/03/2012 10:23 AM 0 komente

Tregu i teknologjisë së informacionit (pajisje kompjuterike, programet e gatshme dhe shërbimet IT) ngadalësoi ndjeshëm ritmet e rritjes në 2009-n, duke reflektuar uljen e kërkesës së biznesit për produkte të tilla. Nevoja për të investuar në teknologji e zgjidhje informatike dhe për t’u bërë më konkurrues pritet t’i japë hov këtij tregu në të ardhmen

Investimi në teknologji, që i bën bizneset më eficiente dhe më konkurruese, shihet si një nga elementet kyç për kalimin e krizës ekonomike me sa më pak pasoja dhe rritjen në të ardhmen. Teorikisht, kompanitë shqiptare duket se e kanë kuptuar këtë, por praktikisht investimet konkrete duket se janë lënë për më vonë, kur ato të jenë në një situatë më të mirë likuiditeti.

Pikërisht një nga sektorët që furnizon biznesin me produkte dhe shërbime të sofistikuara dhe zgjidhje profesionale, ai i teknologjisë së informacionit -IT (pajisje kompjuterike, programet e gatshme dhe shërbimet IT) ka reflektuar gjatë 2009-s tkurrjen e ekonomisë shqiptare në tërësi. Sipas të dhënave nga tatimet, xhiroja e 8 kompanive kryesore shqiptare (me qarkullim mbi 200 milionë lekë) në sektorin e teknologjisë së informacionit shënoi rritje minimale në 2009-n në krahasim me një vit më parë, ndryshe nga 2007-2008, kur sektori ishte në fazë lulëzimi dhe shënoi ritme të larta rritjeje prej mbi 18% dhe periudha e artë 2006-2007, kur aktiviteti i këtyre kompanive në total u zgjerua me mbi 60%.

Sektori ka ndier dukshëm pasojat e ngadalësimit të aktivitetit bankar gjatë vitit 2009. Ky i fundit, teksa u përball me tërheqje të depozitave dhe rënie të fitimeve për shkak të shpenzimeve të larta për provigjionime për kreditë e këqija, i reduktoi ndjeshëm investimet në sektorin e teknologjisë. Bankat me zgjerimin e shpejtë të tyre kishin qenë gjatë viteve të fundit një burim i rëndësishëm i kërkesës si për pajisje ashtu dhe për programe në fushën e teknologjisë së informacionit.

Ecuria e dobët e tregut konfirmohet dhe nga aktorët kryesorë të tij. “Kriza globale ka prekur edhe tregun e IT-së në vend. Sektori që e ka reflektuar më shumë këtë krizë është ai bankar, investimet e të cilit në fushën e IT-së kanë rënie drastike, deri në mbi 80%. Po kështu, frenimi i investimeve të huaja ka çuar në mospërparimin e tregut me ritmet e mëparshme”, pohon z. Grigor Joti, kryetar i Bordit Drejtues të kompanive IT të “Infosoft Group”.

Ndërsa orientimi i qeverisë shqiptare në teknologjinë e informacionit i ka dhënë një dorë tregut gjatë 2009-s, duke neutralizuar disi efektin e rënies së kërkesës nga ana e bizneseve.

“Infosoft Group” vijoi të ishte kompania më e madhe në treg me një xhiro të kombinuar në kuadër të grupit të katër kompanive IT, Infosoft Systems sh.a, ITD shpk, ITD Shkup dhe Infosoft Systems Prishtina prej 4.2 miliardë lekësh në 2009-n (rreth 32 mln euro), me një rritje me bazë vjetore prej 9%. Në tregun e brendshëm Infosoft ka xhiruar rreth 25 milionë euro me një rritje të lehtë nga viti paraardhës.

“CCS Albania” (me tri kompanitë e saj CCS, “CCS Solution” dhe “CCS Office”), – e dyta në treg sipas qarkullimit ekonomik -, arriti të ruante të njëjtat nivele aktiviteti si në 2008-n, prej rreth 450 milionë lekësh, sipas deklarimeve nga vetë kompania.

“BNT Electronic’s” ishte e vetmja shoqëri që shënoi ritme të larta rritjeje gjatë 2009-s, me dyfishim të aktivitetit, e ndihmuar gjithsesi nga aktiviteti i saj në fushën e tregtimit të kasave fiskale (BNT është një nga pesë kompanitë e autorizuara nga Ministria e Financave për shitjen e tyre). Pas kësaj rritjeje, BNT renditet në firmën e tretë më të madhe në vend në këtë fushë.

“Cactus” shënoi rënien më të madhe të aktivitetit, ndërsa kompanitë e tjera kishin luhatje të vogla në ulje ose rritje. (shiko tabelën “Xhiro e kompanive kryesore në fushën e IT-së 2006-2009”).

TABELA Xhiro e kompanive kryesore në fushën e IT-së 2006-2009 (nw lekw)

2006

2007

2008

2009

INFOSOFT GROUP* N/A

3,140,804,526

3,876,629,984

4,219,377,907

CCS

372,294,474

494,750,800

450,000,000

450,000,000

BNT ELECTRONIC’S

345,649,736

293,579,702

234,801,270

403,059,794

HORIZON

134,453,972

223,685,317

306,781,822

376,229,542

CT COMPUTERS AL

21,410,372

314,834,949

321,322,338

346,853,438

SINTEZA CO

267,833,248

271,624,490

239,930,408

210,229,792

S&T ALBANIA

33,832,937

160,715,998

238,631,947

190,459,466

CACTUS

4,673,203

135,275,967

291,901,236

62,966,267

TOTALI

5,035,271,749

5,959,999,005

6,259,176,206

Burimi: Deklatimet e kompanive te tatimet, Infosoft, CCS
*xhiro e kombinuar në kuadër të grupit të katër kompanive IT, Infosoft Systems sh.a, ITD shpk, ITD Shkup dhe Infosoft Systems Prishtina

Tregu, më i ulëti në rajon

Sipas të dhënave të kompanisë ndërkombëtare të kërkimeve të teknologjisë së informacionit “IDC Adriatics”, tregu i IT-së në Shqipëri (pajisje kompjuterike, programet e gatshme dhe shërbimet IT) qarkullon rreth 110-120 milionë dollarë në vit, por këtu një peshë të rëndësishme zënë projektet e qeverisë për karta identiteti dhe pasaporta biometrike, të cilat janë jashtë sferës së aktivitetit të biznesit shqiptar. Aktorët e tregut pohojnë se realisht, tregu i brendshëm, apo aktiviteti i kompanive private vendase luhattet në 60-65 milionë dollarë dhe vlerësohet të ketë shënuar një rritje minimale në 2009-n, në raport me vitin e mëparshëm. Sipas IDC-së, tregu total kishte shënuar rritje vjetore prej rreth 31% në 2008-n.

Sipas vlerësimeve të “IDC Adriatics”, pjesën më të rëndësishme të tregut e përbëjnë pajisjet kompjuterike, të ndjekura nga shërbimet IT dhe programet e gatshme.

Tregu ka shënuar ritme të larta rritjeje në periudhën 2006-2008, por gjithsesi ai mbetet ndër më të ulëtit në rajon, si për qarkullimin vjetor ashtu dhe për investimet.

“Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të ketë shpenzime të IT-së për frymë ndër më të ulëtat në Europë, megjithëse kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit. Mbetet ende shumë për t’u bërë kryesisht në drejtim të zhvillimit të softuerëve, zbatimit të zgjidhjeve informatike dhe të shërbimeve informatike”, pohon z. Grigor Joti i “Infosoft”.

Për z. Genci Likskëndajn, drejtor i “CCS Albania”, janë dy arsyet kryesore se pse tregu i IT-së ka një nivel zhvillimi kaq të ulët. Së pari, Shqipëria është një vend me rrjedhje të madhe truri dhe kjo nuk sjell zhvillim, sidomos në këtë sektor, ku burimet njerëzore të specializuara janë të domosdoshme. Së dyti është niveli i ulët i formalizimit të tregut në vend dhe cilësia e ulët e zbatimit të ligjit. Sipas tij nuk ndihmojnë dhe pozicionet monopol në disa segmente të caktuar të sektorit të IT-së.

“Mund të them, që krahasuar me Maqedoninë, tregu ynë i IT është pesë vite më mbrapa për nga zhvillimi edhe teknologjitë e reja të zbatuara”, pohon Klodian Gllava, drejtor menaxhues i “S&T ALBANIA”. Ai përmend një fakt domethënës: Të gjithë shitësit e mëdhenj – CISCO, HP, IBM, etj., e kanë vendosur Shqipërinë dhe Kosovën nën varësinë e Maqedonisë.

Në një këndvështrim më të gjerë, në renditjen botërore, referuar indeksit të konkurrueshmërisë për 2010-n, Shqipëria pozicionohet e 126-a në aftësinë e përdorimit të teknologjisë. Mungesa e përdorimit të mjeteve të avancuara në prodhimin e produktit final na bën më pak konkurrues me vendet e tjera të Europës Juglindore. Studime të ndryshme paraqesin një situatë negative për vendin sa i takon rëndësisë që i kushtohet tregut të IT, teknologjive të avancuara apo kërkimeve për produkte sa më cilësore.

Sipas një sondazhi të fundit të Bankës Botërore, mungesa e kulturës dhe mundësisë ekonomike na pozicionon të fundit në rajonin e Europës Juglindore, sa i takon përdorimit të kompjuterit dhe marrjes së informacionit nga interneti. Kështu, dërgimi i emaileve, ose komunikimi i bizneseve me postë elektronike në Shqipëri është në nivel 48.7 për qind, kurse në vend të parë renditet Estonia, ku gati 95 për qind e bizneseve e përdorin komunikimin elektronik.

Tregu i IT-së

– Rreth 120 milionë dollarë llogaritet vlera e tregut total të IT-së (pajisje kompjuterike, programet e gatshme dhe shërbimet IT), duke përfshirë dhe projektet qeveritare të pasaportave apo kartave të identitetit (burimi IDC)

– 60-65 milionë dollarë është tregu që xhirohet nga kompanitë vendase (burimi, operatorët vendas + Tatimet)

– Biznesi i IT-së shënoi një rritje minimale gjatë 2009-s në krahasim me një vit më parë

– Tregu i pajisjeve kompjuterike në vend zë rreth 73% të tregut (burimi IDC)

– “Infosoft” mbetet kompania më e madhe me rreth 40% të tregut të brendshëm (aktivitetit të kompanive vendase)

MBARON

Potencialet për t’u rritur

Niveli i ulët i zhvillimit të teknologjisë së informacionit implikon se tregu ka potenciale të mëdha zhvillimi për të ardhmen, sidomos në drejtim të shërbimeve. Tregu i pajisjeve kompjuterike në vend zë rreth 73 për qind të tregut, sipas IDC-së, nga rreth 65 për qind që zë ky segment p.sh. në Maqedoni dhe krejt ndryshe nga mesatarja botërore, ku pajisjet kompjuterike zinin vetëm 27 për qind të totalit të tregut botëror të teknologjisë së informacionit në 2009-n.

Orientimi drejt programeve sa vjen e po shtohet dhe në tregun shqiptar. Shoqëritë më të rëndësishme të tregut nuk mjaftohen më vetëm me rolin e shpërndarësit apo shitësit të kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera: tani shoqëritë e IT-së po shkojnë drejt ofrimit të zgjidhjeve dhe po përpiqen t’i japin një vlerë të shtuar produktit të tyre: ekspertizën. Për kompanitë kryesore në vend, pesha e të ardhurave që vijnë nga programet është rritur nga 5% në mbi 10% gjatë vitit të fundit.

Rritja në të ardhmen në tregun e teknologjisë së informacionit pritet të vijë si nga shteti ashtu dhe nga biznesi.

“Investimet e sektorit shtetëror në këtë drejtim janë rritur gjatë dy viteve të fundit, ndërsa pritet një rritje më e madhe në vitet që vijnë. Edhe sektori privat i biznesit aktualisht ndodhet në një fazë të ulët investimesh, por kërkesat e ekonomisë së tregut dhe të konkurrencës do të bëjnë që në të ardhmen, edhe ky sektor të rrisë investimet në drejtim të zhvillimit të softuerëve, implementimit të zgjidhjeve informatike dhe të shërbimeve informatike”, pohon z. Joti i “Infosoft”.

“Potencialet tona janë kudo, por duhet një lidership që të mendojë për avantazhe krahasuese të vendit tonë krahasuar me rajonin, si dhe të nxisë nismat e lira dhe kreativitetin, çka është e fundit gjë që mendohet në Shqipëri”, thotë z.Gllava i “S&T Albania”. “Pa investime të mëdha në fushën e arsimit (universitete edhe institucione edukative), marrjen e ekspertizës nga jashtë për të parë dhe zbatuar rastet më të mira, si dhe rritjen e nivelit të profesionalizmit në administratën shtetërore që është shumë e ulët, nuk mund të ketë zhvillim me vizion afatgjatë”.

Biznesi, më i ndërgjegjësuar për zgjidhje profesionale

Një treg që sa po vjen e po maturohet, ku konkurrenca sa vjen e po bëhet më e ashpër dhe gjetja e tregjeve të reja është më e vështirë dhe kriza ka dhënë goditjen e saj, prirja për investime në teknologji duket se është shtuar, sidomos në programe dhe shërbime IT. Bizneset pritet të tërheqin njëri-tjetrin në garën për t’u bërë sa më të sofistikuar, çka do ta bëjë më të dukshëm produktin virtual të IT-së.

“Në këto momente vihet re rritje e interesit të biznesit për zgjidhje teknologjike”, pohon z. Likskëndaj i “CCS Albania”. Gjithsesi ai pohon se problem mbeten vonesat në pagesa, të cilat janë shtuar. “Cikli i procesit të shitjes është rritur nga rreth 2 muaj, në 3-4 muaj”, thotë ai.

Vitet e kaluara është vënë re njëfarë skepticizmi për investime në teknologji, të cilat nuk shiheshin si një mjet themelor në strukturën e biznesit. Aktorët e tregut pohojnë se i është kushtuar më shumë rëndësi marketingut viziv sesa infrastrukturës së IT-së. Biznesmenët shqiptarë mund të shpenzonin miliona për ndërtesa e fasada të bukura, por ngurronin të harxhonin për një zgjidhje informatike apo program të mirë antivirus.

Bizneset në Shqipëri janë të vogla, si për nga madhësia ashtu edhe për nga volumi i biznesit, krahasuar me vendet e rajonit. Shumë kompani kanë nevoja të mëdha për staf të specializuar në fushën e IT-së, gjë që nuk plotësohet nga tregu. “Shpesh pronarët e bizneseve duan të investojnë, por nuk janë të sigurt se kujt t’ia besojnë investimet e tyre edhe a do të kenë kthim nga investimi në fushën e IT”, pohon z.Gllava i “S&T Albania”. “Duhet të kemi parasysh që edhe shtrirja e internetit në vendin tonë vazhdon të jetë shumë e ulët. Njerëzit vazhdojnë të përdorin telefonat celularë dhe paguajnë fatura stratosferike, kur me anë të përdorimit të VOICE, këto shpenzime mund të ulen ndjeshëm”.

Gllava shton se bizneset po investojnë në fushën e IT-së, por këto investime nuk po kryhen nga biznesi vendas, por nga kompani internacionale. “Investimet e mëdha në fushën e IT po gllabërohen nga biznese që janë jashtë Shqipërisë me prezencë internacionale dhe me influenca në zyrat qendrore të kompanive të ndryshme. Investimet nga bizneset e vogla me sipërmarrje vendase janë të vogla dhe jo domethënëse”.

Arsimi profesional, sa problem!

Drejtuesit e kompanive të teknologjisë së informacionit janë të gjithë në një mendje kur diskutohet lidhur me njohuritë profesionale të brezit të ri që del nga bankat e shkollës dhe aftësive të tyre për t’iu përshtatur pozicionit të punës në këtë fushë (IT, burimet njerëzore, menaxhim, marketing etj.). Sidomos ata mbeten skeptikë për kontingjentin që vjen nga universitetet private.

Z. Grigor Joti, kryetar i Bordit Drejtues të kompanive IT të “Infosoft Group” pohon se niveli i përgatitjes së kuadrove nga universitetet tona nuk i përgjigjet nivelit të rritjes dhe zhvillimit të biznesit shqiptar. Kërkesat e këtij biznesi për personel të formuar mirë nga universitetet tona po përballohen gjithnjë e më me vështirësi. Për këtë arsye, shumë biznese po hedhin sytë jashtë vendit, për të rekrutuar personel të arsimuar dhe me eksperienca ndërkombëtare.


“Unë mendoj që sistemi arsimor shqiptar duhet të orientohet shumë më tepër ndaj kërkesave të ekonomisë dhe biznesit dhe të përpiqet të mbështesë më mirë nevojat që ka tregu për kuadro profesionale. Është e nevojshme të ndryshojnë metodat e mësimdhënies dhe t’i kushtohet më shumë rëndësi përgatitjes praktike të studentëve, për të qenë të aftë për t’u përshtatur me kërkesat e tregut të punës”, thotë drejtuesi i “Infosoft”.

Grigor Joti, “Infosoft”:

Sistemi arsimor shqiptar duhet të orientohet shumë më tepër ndaj kërkesave të ekonomisë dhe biznesit dhe të përpiqet të mbështesë më mirë nevojat që ka tregu për kuadro profesionale. Është e nevojshme të ndryshojnë metodat e mësimdhënies dhe t’i kushtohet më shumë rëndësi përgatitjes praktike të studentëve për të qenë të aftë për t’u përshtatur me kërkesat e tregut të punës

Për sa u takon studentëve të punësuar nga universitetet private dhe shtetërore, z. Joti pohon se ata intervistojnë të gjithë kandidatët pa preferenca dhe pa bërë diferencime, por “duhet thënë, që deri tani, shifra e të punësuarve nga universiteti shtetëror është dukshëm më e lartë në krahasim me universitetet private.

“Një problem shumë i madh me të cilin përballemi është pikërisht plotësimi i pozicioneve të hapura të punës që ne kemi”, pohon Klodian Gllava i “S&T Albania”. “Brezit të ri i mungon shumë ekspertiza dhe kualifikimi. Jemi të detyruar që të investojmë përherë për këtë brez të ri në të gjitha fushat”. Gllava pohon se të gjithë personat e punësuar së fundmi vijnë vetëm nga universitetet shtetërore.

Sipas Genc Likskëndajt të “CCS Albania”, po krijohet një kosto e lartë, si rrjedhim i mospërshtatjes së edukimit me nevojat reale të tregut. P.sh., po prodhohen 6500 juristë në vit që nuk dihet se kujt mund t’i duhen dhe ku do të gjejnë punë, ndërsa profesionet e lira kanë marrë goditje. Kjo situatë, që Liksëndaj e quan edukim artificial, po çon në një deformim të tregut të punës, me pasoja të rënda për të ardhmen. CCS, nga tetë punësime që ka bërë kohët e fundit, vetëm një ka qenë nga universitetet private.

“Infosoft”, si u përballua rënia e kërkesës nga sektori privat

Rënien e kërkesës nga sektori privat për produkte dhe shërbime IT gjatë 2009-s, “Infosoft Group”, kompania më e madhe e IT-së në vend, e ka kompensuar si rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të investimeve të administratës publike në sektorin e IT-së dhe projekteve të rëndësishme në këtë drejtim.

“Ne si kompani e kemi studiuar situatën dhe e kemi rifokusuar vëmendjen tonë drejt Administratës Publike. Ky reagim i kompanisë sonë ka rezultuar në ruajtjen e shifrave të 2008-s, madje kemi pasur edhe një rritje të lehtë. Ndërkohë që degët tona në Maqedoni dhe Kosovë (sidomos në Maqedoni), me gjithë rënien e sektorit të IT-së në këtë vend, kanë rezultuar me rritje në masën 70%. Në rritjen e degës që kemi në Maqedoni, besoj se ka ndikuar edhe fakti qe ne jemi firmë e re atje dhe si e tillë, jemi vazhdimisht në rritje”, pohon z. Grigor Joti, kryetar i Bordit Drejtues të kompanive IT të “Infosoft Group”.

Një reagim tjetër i kompanisë në këtë situatë globale krize ka qenë orientimi drejt zgjidhjeve dhe shërbimeve informatike. “Gjatë 2009-s dhe në vazhdim, ne kemi krijuar dy departamente të rëndësishme, atë të zbatimit të zgjidhjeve ekonomike për biznesin (implementimin e sistemeve ERP) dhe Departamentin e Aplikacioneve në drejtim të menaxhimit të dokumentacionit për institucione shtetërore dhe kompani të mëdha”.

“CCS Albania”, shpresa te 6-mujori i dytë

“CCS Albania” (ku përfshihen CCS, “CCS Solution” dhe “CCS Office”) ka arritur të ruajë të njëjtin nivel të ardhurash në vitin 2009, në krahasim me 2008-n. Me një xhiro prej rreth 450 milionë lekësh, CCS ka vijuar të mbetet kompania e dytë më e madhe në vend, pas grupit “Infosoft”, me një nivel të ardhurash që gjithsesi mbetet disa herë më i ulët në krahasim me kryesuesin e tregut. Edhe për 2010-n, të ardhurat nuk kanë shënuar rritje në krahasim me periudhën paraardhëse, pohon Genci Likskëndaj, drejtuesi i kompanisë. Sipas tij, shpresat janë se mund të ketë rritje në tremujorin e dytë, ku kompania shpreson të fitojë disa tenderë.

Në përballje me pasojat e krizës, kompania ka reaguar duke lëvizur nga klientët e vegjël drejt atyre korporativë. “Gjatë periudhës së krizës kryem investime në burime njerëzore dhe njohuri, si dhe rritëm cilësinë e shërbimeve, në mënyrë që të bëheshim më konkurrues”, pohon Likskëndaj. Marrja e certifikimeve “Microsoft Gold Partner” dhe “Oracle Gold Partner” e ndihmoi kompaninë në këtë drejtim.

“S&T ALBANIA”, portofoli i shitjeve më i harmonizuar

Klodian Gllava, drejtor menaxhues i “S&T ALBANIA”, pohon se kompania e tij gjatë 2009-s shënoi rënie prej 10% në krahasim me 2008-n, por në ndryshim nga viti 2008, portofoli i shitjeve ka qenë më i harmonizuar me zgjidhje në fushën e “IT security” dhe “Telecom Solution”.
Gllava pohon se kompania i ndjeu efektet e krizës globale për shkak të rënies së investimeve në sektorin bankar dhe shpenzimet qeveritare. “Problem i përhershëm për një kompani internacionale si e jona është korrupsioni në rritje, i cili e bën të pamundur konkurrencën e pastër. Kjo është shumë e ndjeshme në sektorin shtetëror, si dhe vështirësitë janë më të mëdha.

Në një mjedis të tillë, “S&T ALBANIA” është përqendruar në zgjidhje të cilat përmirësojnë proceset e punës për klientët, si dhe duke shtuar ekspertizën inxhinierike. “Pikat tona të forta janë Know-How që zotërojmë, si dhe vizioni i qartë që kemi për të ardhmen”, shprehet Gllava.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of