Eksportet shqiptare rriten bindshëm në muajin korrik. Kompanitë eksportuese: Rritja, nga shtimi i porosive dhe i prodhimit. Parashikimi: Gushti, edhe më pozitiv
Muaji korrik ka shënuar periudhën më të mirë për eksportet shqiptare, duke konfirmuar rritje në të gjitha grupmallrat vendase.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, në muajin korrik, eksportet janë rritur bindshëm, rreth 32.4% më shumë se korriku i një viti më parë.
Krahasuar me një muaj më parë (qershorin) rritja ka qenë shumë më modeste, 7.4%.
Ndërsa në total, gjatë 7-mujorit 2011 rezulton të jenë eksportuar rreth 20% më shumë produkte se në 2010-n.
Ekspertët e tregtisë vlerësojnë se ndikim pozitiv në eksportet shqiptare të këtij viti po jep edhe zhvlerësimi i vazhdueshëm i monedhës vendase ndaj monedhës euro,
që jo vetëm rrit vlerën e tyre, por shton edhe të ardhurat te kompanitë eksportuese.
Mineralet, zgjerim mbi 30%
Ajo që bie në sy është rritja e ndjeshme në grupin “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Sipas INSTAT, në korrik janë eksportuar rreth 30.3% më shumë se korriku i 2010-s, ndërsa si 7-mujor rreth 16% më shumë.
Shifrat janë konfirmuar edhe nga drejtuesit e kompanive që eksportojnë minerale.
Fatos Pengu, i “Albanian Mineral Crome”, thotë për “Monitor” se pas dy-tre muajsh ndërprerje në eksporte, ato kanë rifilluar në korrik.
“Për disa muaj, ne vendosëm të mos ta shisnim kromin, sepse prisnim një çmim më të favorshëm në tregjet ndërkombëtare. Por nuk mund të prisnim më, kështu që rinisëm eksportet me sasi të mëdha në muajin korrik”, sqaron Pengu.
Sipas tij, volumi i eksporteve është i madh edhe gjatë këtij muaji, ndërsa çmimi vijon të jetë në të njëjtat nivele, rreth 280 USD/ton.
Sot përllogaritet se kromi zë peshën më të madhe në eksportet e mineraleve, për shkak të pasurive të mëdha me të. Në tre muaj (prill-qershor) eksporti i mineraleve të kromit ra 85%.
Kufizimi i eksportit të këtij produkti ishte gradual, duke filluar që nga muaji mars i këtij viti, pasi, sipas tregtarëve tanë, çmimet në tregjet ndërkombëtare nuk ishin të favorshme, ndaj u detyruan të bllokonin tërësisht eksportet.
Sipas të dhënave të tregtisë, eksportet e mineralit të kromit zënë gati 5-10% të totalit të eksporteve shqiptare.
Peshë të konsiderueshme në volumin dhe ritmin e rritjes së eksporteve të këtij grupmalli ka luajtur edhe bakri.
Koordinatori i kompanisë “Beralb” që nxjerr dhe eksporton bakër konfirmon dyfishimin e shitjeve që nga muaji korrik.
“Ne kemi investuar 13.5 miliardë lekë për rritjen e kapacitetit dhe e kemi dyfishuar atë. Që nga muaji korrik ne eksportojmë dyfishin krahasuar me muajin e mëparshëm dhe kështu po vazhdojmë edhe gjatë muajit gusht”, thotë Kumanova.
Në minierën e Fushë-Arrëzit ne arrijmë një kapacitet eksporti prej 450 mijë tonësh në vit, nga 150 mijë tonë që ishte më parë. Aktualisht çmimi i bakrit në bursa luhatet në 1600 USD/ton.
Metalet, vijon rritja
Megjithëse grupi “materiale ndërtimi dhe metale” ka pësuar rënie të lehtë krahasuar me një muaj më parë, në total për 7-mujorin eksportet e tij janë rritur rreth 45% krahasuar me një vit më parë.
Industria e përpunimit të hekurit duket se e ka hedhur njëherë e përgjithmonë pas krizën e viteve 2008-2009, kur prodhimi dhe eksporti thuajse ndali.
Zeki Kaya, administrator i “Kurum International” shpjegon për “Monitor” se kompania e vetme prodhuese e hekurit është duke i rritur edhe më shumë eksportet.
“Eksportet tona vijojnë të rriten me ritme të shpejta, me gjithë disa luhatje uljeje, për shkak të pushimeve verore. Tashmë, edhe në muajin gusht, situata është shumë e mirë”, shpjegon ai.
Por ndërkohë që eksportet rriten, tregu vendas e ka ulur kërkesën. Kaya shpjegon se kompania ka nxitur edhe më shumë shitjen jashtë vendit, sepse kërkesa e brendshme është ulur.
“Ne jemi duke i intensifikuar eksportet, sepse kërkesa vendase është ulur dhe presim që të ketë rikuperim të saj”, thotë Kaya.
Fasoni, porosi të shpejta
Sipas INSTAT, eksportet e tekstileve dhe këpucëve, që përfshihen kryesisht në sektorin e fasonit (industria që punon me material porositës) në muajin korrik janë rritur me 20%, ndërsa gjatë 7 muajve rritja është rreth 18.5%.
Fasonistët konfirmojnë për “Monitor” ecurinë pozitive të muajve të fundit, sidomos të korrik-gushtit.
“Është e vërtetë që në korrik ka pasur shtim të eksportit nga ana jonë. Kjo ka ardhur sepse firmat e huaja këtë vit i kanë kryer më parë porositë e tyre, me qëllim që koleksioni i kërkuar të eksportohej sa më shpejt”,
shpjegon Flamur Hoxha, kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve.
Nëse gjatë viteve të mëparshme, kompanitë e huaja i kryenin dhe i dorëzonin porositë në ndërmarrjet shqiptare në muajin maj, këtë vit ato i kanë dorëzuar që në prill dhe brenda muajit korrik është dorëzuar pjesa më e madhe e porosive.
Këtë fakt e konfirmon edhe drejtuesja e kompanisë “Omega”, Lindita Legisi, e cila shpjegon se kompanitë, sidomos ato italiane, kanë kërkuar që të kenë koleksionet në vitrina më shpejt.
“Ne tashmë i kemi mbyllur koleksionet për periudhën vjeshtë-dimër dhe kemi nisur punën për koleksionet e ardhshme”, shpjegon Legisi.
Për kreun e Dhomës, arsyeja që ka nxitur firmat e huaja të kryejnë më shpejt porositë është qëllimi për të tërhequr sa më shumë klientët, duke i propozuar atyre në një kohë rekord modelet për sezonin e ardhshëm.
“Ky ka qenë shkaku kryesor që ka shtuar eksportet në muajin korrik, ndërkohë që ka pasur ndërmarrje të tjera që kanë pasur edhe shtim të porosive”, shpjegon Legisi.
Ushqime, përkeqësim bilanci
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, eksportet ushqimore të këtij 7-mujori janë rritur me 16% krahasuar me 7-mujorin 2010 (5.9 miliardë lekë).
Ndërkohë, importet ushqimore u rritën 8% (52 miliardë lekë). Kjo bëri që deficiti ushqimor të përkeqësohet me 8% (47 miliardë lekë).
Sipas të dhënave doganore, rritjen më të madhe në eksporte e kanë shënuar farërat vajore dhe bimët e tjera mjekësore, por kanë pasur rritje të lehtë edhe prodhimet shtazore.
Deficiti i tregtisë ushqimore është “i rrezikuar” edhe për shkak të strukturës së tij pothuajse të pazëvendësueshme.
Importet e cigareve zënë rreth 10% të totalit të importeve agroushqimore dhe siguron pothuajse të gjithë tregun e duhan cigares në vend. Po kështu, drithërat zënë gati 8% të “shportës agroushqimore” të blerë jashtë.
Nga të dhënat e tregtisë, rezulton se vlera e importit të prodhimeve agroushqimore, erdhi për shkak të rritjes së sasisë së importit të mallrave më me peshë, se sa rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Kriza Lindjes së Mesme, ende asnjë efekt
Kur kriza në Libi, një nga vendet me ndërmarrje të shumta fasoni me partnerë italianë, është rritur, fasonistët shqiptarë duket të kenë pak gjasa për të përfituar.
Flamur Hoxha thotë se në Shqipëri, ende nuk po duket ndonjë spostim i firmave italiane që punojnë në Libi, kjo sepse “njohja” e Shqipërisë do ende kohë.
“Jemi në fillimet e njohjes për shumë kompani të mëdha të huaja, prandaj me gjithë krizat në Lindjen e Mesme, parashikoj që do të duhen ende vite para se ato të vijnë në Shqipëri”, thotë Flamur Hoxha.
Edhe Lindita Legisi, administratore e “Omega”, e sheh të largët mundësinë e përfitimit nga kriza në Libi, megjithëse sipas saj, ka pasur disa kompani që kanë pasur kontakte dhe interes.
“Kanë ardhur disa kompani që kryesisht kanë bërë disa mostra dhe janë duke parë kapacitetin dhe cilësinë, por nuk është ende asgjë konkrete”, shpjegon ajo.
Në fakt, viti 2010 i dha ndihmë shumë të madhe sektorit, sepse u krijua stabilitet, sidomos në muajt e fundit të tij. Kjo solli siguri për të ardhmen për shumë kompani shqiptare të fasonit, i cili zë peshë të konsiderueshme në punësimin e brendshëm.
Kompanitë e huaja, pas sinjaleve pozitive që po merrnin nga tregjet, u garantuan edhe më shumë dhe si pasojë rritën interesin për të prodhuar më shumë. Kjo solli që t’i drejtohen Shqipërisë.
Por me gjithë shanset që sot i ofrohen këtij sektori, shumë kompani nuk po munden t’i shfrytëzojnë dot ato. Fakti që në vend nuk ka më shumë se dhjetë firma të mëdha të fasonit, të afta për të “kënaqur”
kërkesat e industrialistëve europianë, konfirmon se me gjithë zhvillimin gati 20-vjeçar të sektorit, është investuar pak.
Shumë firma kanë punuar “sot për nesër” pa investuar në teknologji dhe në staf, duke u kujdesur vetëm për marrjen e të ardhurave dhe jo në afate të gjata.
Këto ndërmarrje të vogla janë edhe më “të pambrojturat” në raste vështirësish dhe këtë e konfirmoi kriza e vitit 2009, sepse shumë prej tyre u detyruan të shpallnin falimentin dhe të mbyllnin njëherë e përgjithmonë aktivitetin.
Firma të tjera ndërkohë arritën të mbijetonin, duke punuar me pak porosi dhe me numër të reduktuar punonjësish. Disa të tjerë zgjodhën të shpërngulnin aktivitetin në qytete me kosto më të ulët jetese,
si rrjedhojë me paga të ulëta, me synimin për të reduktuar në maksimum kostot.
Por tashmë duket se është bërë e nevojshme që të investohet në teknologji. Sipas të dhënave nga fasonistët, shumë ndërmarrje janë duke investuar në këtë drejtim,
ndërkohë që në disa raste janë vetë partnerët ndërkombëtarë që kanë shprehur gatishmërinë për të asistuar firmat shqiptare. Kjo vlen më shumë për firmat italiane, që u intereson kryesisht të nxisin ndërmarrjet e fasonit, sesa të mbajnë ndërmarrje në Itali.
Importi rritet 2.4%
Sipas Institutit të Statistikave, vetëm gjatë muajit korrik, u importuan 47.773 miliardë lekë mallra me rritje 2.4% në krahasim me qershorin 2011 dhe rritje 7.4% në krahasim me korrik 2010.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 29.9 miliardë lekë, duke shënuar ulje prej 0.4% krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 3.5% krahasuar me korrik 2010.
Tregtia me vendet e BE është 69.1%.
Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë, eksporti është 56.4% dhe importi 33.8%, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.5% dhe importi 11.2%.
Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, për eksportin janë Austria, Italia, Kosova, Maqedonia, Spanja, etj., kurse për importin Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia, SHBA etj.
Importi i grupit “lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 23 për qind, “prodhime druri dhe letre” – 18.1 për qind, “produkte kimike dhe plastike” u rrit 12.5 për qind etj. Importi i grupit “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 7.7 për qind, etj.
Në korrik 2011, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 7,155 milionë lekë, duke zënë 15 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me qershor 2011, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 4.8 përqindësh.
Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, 76.1 për qind, e zënë nënproduktet e naftës.
Pse u rritën eksportet e…
Mineraleve
Pas dy-tre muajsh ndërprerje në eksportet e kromit për shkak të çmimeve të ulëta në tregjet ndërkombëtare, ato kanë rifilluar në korrik.
Ndërkohë, rritja e kapaciteteve të kompanisë “Beralb” që nxjerr dhe eksporton bakër konfirmon dyfishimin e shitjeve që nga muaji korrik
Metaleve
Eksportet vijojnë rritjen me ritme të kënaqshme, duke kompensuar rëniene kërkesës vendase
Fasonit
Firmat e huaja të veshjeve e këpucëve këtë vit i kanë kryer më parë porositë e tyre, me qëllim që koleksioni i kërkuar të eksportohej sa më shpejt
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.