Nis aksioni për kontrollin e biznesit, formulari që plotëson ISHMT: Kontrolli synon ndërgjegjësimin për zbatimin e masave anti-Covid

20/05/2020 1:00 PM 0 komente

Prej disa javësh punonjës të administratës tatimore, të Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (në varësi të Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë), të policisë shtetërore kanë nisur aksionin ndërgjegjësues te biznesi për zbatimin e masave kundër Covid-19.

“Kontrolli nuk ka si qëllim të gjobisë biznesin, por të sensibilizojë atë për respektimin e masave që nga përdorimi i maskave, dorezave, dezifektantëve, afishimi i rregullave të publikuara nga e-Albania në pjesën e jashtme të biznesit në mënyrë që mund të shikohet nga klientët”, pohojnë inspektorët e kontaktuar në terren nga Monitori gjatë inspektimet të disa bizneseve në Tiranë.

Në fillim të muajit Maj u hapën dyqanet e veshjeve, shërbimi taxi, fast-food-et që vijoi me tej me hapje graduale të tyre. Më 11 maj pas 2 muaj e gjysëm të mbyllur nisën punën qëndrat tregtare, qëndrat estetike, parukeritë, klinikat dentare, berberët kundrejt rregullave të posaçme të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe të publikuara në e-Albania. Sipas të dhënave të Ministrisë të Financave më 11 Maj rinisën punën 11 mijë biznese dhe 22 mijë të punësuar. Baret, restorantet, kafenetë u hapën më 18 maj deri në orën 21:00, duke bërë një hapje të plotë ekonomisë.

Por kur kanë kaluar pak ditë nga hapja e aktivitetit, përveç ushqimoreve, furrave të bukës dhe farmacive të cilat kanë funksionuar edhe për muajt e karantinës, nga përfaqësuesit e ISHMT-së konstatohet se jo të gjitha bizneset respektojnë masat kundër koronavirusit. “Vërehet një papërgjegjshmëri, si nga pronarët e dyqaneve, por edhe nga klientët në respektimin e masave. Shumë prej tyre nuk vendosin maskë apo nuk kanë të përcaktuara shënjuesit për distancimin. Duhet të jenë pronarët e bizneseve ata që duhet të japin shembullin e mirë edhe te klientët për respektimin e masave, që nga vendosja e maskës që është më elementarja”, theksojnë inspektorët.

Pas kontrollit inspektorët plotësojnë një formular me të dhënat e subjektit që nga kodi i veprimtarisë, NIPT, numri i licencës në QKB, adresa e biznesit si dhe problematikat e hasura, masat dhe risku që paraqitet. I njëjti formular që plotësohet fizikisht pas kontrollit, plotësohet nga inspoktorët edhe online në portalin e-Albania.

Sipas inspektorëve të terrenit nëse klientët refuzojnë përdorimin e maskave dhe dorezave, biznesi ka të drejtë t’i refuzojë shërbimin.

Zamira pronare e një dyqani të vogël me veshje të përdorura në rrugën “Shefqet Kuka” pohon se kontrollet për zbatimin e masave kanë ditë që po vijojnë të jenë të njëpasnjëshme. “Edhe dje erdhën të tjerë inspektorë për kontrollin e masave, që nga respektimi i distancës, afishimi i rregullave dhe përdorimi i maskës. Nuk kanë vendosur gjoba, vetëm është kontrolluar respektimi i masave”, pohon ajo.

Pas hapjes të plotë që iu bë veprimtarisë të biznesit, si dhe zgjatjes të fashës të lëvizjeve të qytetarëve edhe në zonat e kuqe, aktualisht vijojnë të mbeten të mbyllura transporti publik, palestrat, klubet e natës, kinematë, muzeu, sallat e sportit të mbyllura.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of